Katër të arrestuar për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë, mungon vetëm njëri - NACIONALE

Katër të arrestuar për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë, mungon vetëm njëri

1 vit më parë

nga NACIONALE

Janë arrestuar edhe dy persona të tjerë për rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë.

Këtë e ka konfirmuar edhe ministri i punëve të brendshme, Xhelal Sveçla.

Ky i fundit përmes një komunikate ka thënë se ka kërkuar angazhim më të madh të policisë, teksa dha si informacion arrestimin e dy të tjerëve, krahas dy të parëve që veçse ishin vënë nën pranga gjatë ditës.

“Nga Policia e Kosovës kam kërkuar angazhim maksimal për arrestimin sa më të shpejtë të të gjithë kryesve të këtij akti makabër dhe sapo u njoftova se janë arrestuar edhe 2 të tjerë. Koordinimi i të gjitha organeve kompetente është i domosdoshëm sepse nuk ka asnjë dilemë që dënimi ndaj këtyre kriminelëve duhet të jetë maksimal.Nuk duhet dhe nuk do të tolerohet asnjë veprim që cënon jetën, integritetin dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve tanë. Vendi ynë duhet dhe do të jetë vend i sigurtë për të gjithë, sidomos për vajzat dhe gratë, dhe nuk ka asnjë alternativë tjetër”, thuhet në këtë njoftim.

Ekremi

Nacionale pak çaste më parë, duke u thirrur edhe në publikimet e mediave tjera ka raportuar edhe për njërin prej të dyshuarve. Bëhet fjalë për Ekrem Rexhepin.

I dyshuari për aktin që ka tronditur vendin del se ka qenë aktiv në rrjetet sociale të Internetit, më saktësisht në platformën TikTok.

Në këtë rrjet social, ai shihet derisa me PickUp-in me të cilin në dosjen e Prokurorisë pretendohet të ketë kryer aktin, xhiron shumë e shumë klipe për ndjekësit e tij.

Videoja e fundit e tij është postuar dy ditë më parë, (27 gusht) ose saktësisht në kohën kur raportohet të ketë ndodhur dhunimi i dyshuar në Parkun e Lagjes Arbëria (ish-Dragodan) në Prishtinë.

Në një nga këto video, ai xhirohej nga dikush duke dalë nga rruga e një mali të panjohur pikërisht me PickUp-in (veturë transportuese) e përmendur nga Prokuroria Themelore.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e të dëmtuarës "në atë mënyrë që të pandehurin fillimisht e kishte thirrur në telefon vëllai i tij i mitur. Pastaj i pandehuri ka shkuar me (veturë) PickUp te parku në lagjen "Arbëria" në Prishtinë dhe e ka marrë me veturë vëllain e tij dhe të dyshuarit Xh. S. dhe G. J. të cilët ndodhen në arrati, dhe të dëmtuarën. Pastaj rrugës tek varrezat kanë zbritur i mituri dhe Xh. S. ndërsa i pandehuri së bashku me G. J. dhe të dëmtuarën janë larguar me veturë, ashtu që pas pak E. R. ka ndaluar veturën në një vend të panjohur dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën. Edhe pse e ka ditë që e dëmtuara është nën 14-vjeç", përshkruhet në kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj tij.

Kujtojmë se Rexhepi tashmë është në paraburgim me vendim të Gjykatës, ndërsa tre persona të tjerë janë në arrati të kërkuar nga Policia e Kosovës. Rexhepi ka qenë i dyshuar edhe për vepra të tjera penale, por ishte lënë i lirë nga autoritetet.

Personat e apostrofuar janë të pafajshëm deri në një vendim ose aktgjykim të formës së prerë nga Gjykata.

Lajme të ngjashme