Dhuna në kryeqytet: Kë po e pret Përparim Rama për Policinë e Prishtinës? - NACIONALE

Dhuna në kryeqytet: Kë po e pret Përparim Rama për Policinë e Prishtinës?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Dhuna nëpër shkolla fillore e të mesme, substancat narkotike që merren pa karar, qentë endacakë që "mbajnë mbledhje" herë në Fakultetin Ekonomik, e herë te Mensa dhe ‘Rruga B’ e meme-tizuar si zona e luftës “Dust II” në video-lojën me armë “Counter Strike”. Të gjitha këto kanë ndodhur në Prishtinë e të cilat i risolli në vëmendje vrasja e një nxënësi së fundi, ashtu siç risolli edhe nevojën e një Policie të kryeqytetit.

Ligji për Kryeqytetin ka disa vite që ka kaluar. Ai parasheh formimin e kësaj Policie të dedikuar vetëm për nevojat e qytetarëve të Prishtinës.

Ngjarja e fundit, ku një nxënës 14 vjeçar humbi jetën si pasojë e plagëve të marra pasi u ther me thikë, ka rikthyer rëndësinë e kësaj policie munguese.

Nga Komuna e Prishtinës, në një përgjigje për gazetën Nacionale, kanë theksuar thjesht se janë angazhuar për çështjen e sigurisë në shkolla.

“Rasti i vdekjes së nxënësit 14 vjeçar ka ndodhur jashtë territorit të shkollës dhe tani për tani me këtë rast po merren organet e sigurisë. Departamenti i Arsimit dhe Policia e Kosovës do të intensifikojnë dhe do të rishikojnë bashkëpunimin e tyre në çështjen e sigurisë në shkolla, duke vepruar që rastet e tilla të parandalohen para se të vijnë në pika të tilla kritike”, - thanë nga kabineti i kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.

Sa i përket Policisë së Kryeqytetit na thanë se janë iniciuar bisedimet për formimin e saj, derisa po presin gatishmëri nga niveli qendror.

“Ligji i Prishtinës, i aprovuar në vitin 2018, nuk është i aplikueshëm në çështjen e sigurisë, pasi që bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin e Policisë. Prandaj, ne kemi inicuar bisedimet fillestare me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), me qëllim të organizimit fillimisht të një tryeze me akterët e interesuar, për ta pasuar pastaj me formimin e një grupi punues ndër-institucional për amandamentimin e ligjit në fjalë. Ne jemi të gatshëm të procedojmë sapo të jetë edhe niveli qendrore”, - thuhet më tej në përgjigjen nga Komuna e Prishtinës.

Por, çka thuhej në Ligjin për Kryeqytetin për këtë çështje?

Neni 7 i këtij ligji thotë si vijon:

“Policia themelon Drejtorinë e Policisë për Kryeqytetin, organizimi dhe funksionimi i së cilës rregullohet me Ligjin për Policinë, e cila do të ketë kompetencë vetëm në territorin e Kryeqytetit.”

“Me kërkesën e Kryetarit të Kryeqytetit, Policia e Kosovës në pajtim më ligjin për policinë, themelon njësite të veçanta duke u bazuar në nevojat e Kryeqytetit.”

Përderisa nuk ka ndonjë veprim konkret për parandalimin e këtyre rasteve e as përgjigje konkrete nga Komuna e Prishtinës, nuk mund të themi se rastet e dhunës do të ndalen.

Në anë tjetër, Këshilli i Prindërve në Prishtinë në një përgjigje për gazetën Nacionale ka bërë të ditur disa kërkesa që i kanë drejtuar Komunës së Prishtinës, e të cilat sipas tyre, nuk janë përfillur.

Photo 23

Nga ky Këshill kanë thënë se në shkollat e Prishtinës duhet anagazhim më i shtuar i njësiteve policore.

“Ne vazhdimisht kemi kërkuar, në takimet për çështje të sigurisë, prezencë të përhershme të psikologëve në shkolla, që aktualisht nuk ndodh. Përveç kësaj kemi kërkuar që të ketë patrullime në hyrje dhe afër shkollave të njësive policore, qoftë civile ose të uniformuar, pasi ka prezencë të shtuar të personave të rritur me historikë të dyshimtë, të cilët i përdorin ose nxisin fëmijët nxënës për sjellje a veprime të caktuara”, - kanë thënë nga Këshilli i Prindërve.

Më tej, prindërit e Prishtinës, kanë theksuar se edhe bizneset afër shkollave duhet të inspektohen.

“Po ashtu, vazhdimisht kemi kërkuar që bizneset afër perimetrit të shkollave të jenë rregullisht të inspektuara, meqë shumica nuk i plotësojnë kushtet për çka ofrojnë. Ato janë vendet kryesore të organizimit të aktiviteteve devijuese të fëmijëve tanë”, - kanë thënë ata.

Edhe psikologët kanë treguar për gazetën Nacionale se çfarë ndikimi kanë tek fëmijët rastet e dhunës në shkolla.

Psikologu klinik nga Shoqata e Psikologëve të Kosovës, Ilir Havolli, për gazetën Nacionale ka treguar ndikimin si dhe masat që duhet të ndërmerren nga institucionet për parandalimin e dhunës në shkolla.

“Ndikim psikologjik mjaft negativ, dëmtim psikologjik dhe vështirësi në zhvillimin social, akademik dhe emocional, frikë, shqetësim dhe vetëvlerësim të ulët, tendencë të shmangies së shkollës dhe kontaktit me njerëz”, - ka thënë ai.

Havolli ka thënë se duhet të bëhet hartmi i disa programeve prandaluese për dhunën në shkolla.

“Duke qenë se fenomeni i dhunës në shkolla ka shënuar një rritje shqetësuese, atëherë qasja e duhur për të krijuar siguri sa më shumë dhe rezultate në planin afatgjatë është hartimi i programeve parandaluese të dhunës në shkollë, të hartuara nga vet shkollat ku përfshihen edhe psikologët. Kur themi programe parandaluese të dhunës në shkollë atëherë nënkuptojmë një sërë veprimesh e rregullash të cilat përcaktohen dhe udhëhiqen nga personeli shkollor, e që kanë për qëllim reduktimin dhe parandalimin e shfaqjes së sjelljeve të dhunshme në shkollë”, - ka thënë psikologu Ilir Havolli.

“Në mënyrë që të krijohet një mjedis shkollor i sigurt dhe mbështetës, këto programe duhet të ndërtohen me bashkëpunim të ngushtë të personelit shkollor, psikologëve, prindërve dhe komunitetit”, - ka shtuar ai për Nacionalen.

Për vrasjen e nxënësit që kishte ndodhur në Prishtinë para disa ditësh, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit për një muaj një nxënësi tjetër me inicialet E.V. për shkak të dyshimit të bazuar se e ka kryer veprën penale vrasje e rëndë.

Lajme të ngjashme