Rashkaj: Dështim është zbritja në Ligën D – lojtarët që u larguan treguan karakterin dhe interesin e tyre, s’ka faj Kosova
Ish-kapiteni i Kosovës, Anel Rashkaj, është prononcuar për Gazetën Nacionale rreth rezultateve të “dardanëve” dhe zgjedhjes së lojtarëve të rinj se cilën kombëtare ta përfaqësojnë.
Me të drejtë Anel Rashkaj gëzon një respekt dhe reputacion të madh në kuadër të tifozëve brenda vendit, për shkak të kontributit të tij të përulur për “dardanët” ndër vite.
Lidhja e tij emotive me Kosovën nuk është vënë asnjëherë në dyshim, ngase ka qenë gjithmonë e pastër. Ai gjatë majit të këtij viti vendosi të tërhiqej nga Kombëtarja e Kosovës, ndonëse ende luan si mesfushor aktiv për Örgryte në Suedi.
Mesfushori 32-vjeç në prononcimin dhënë për Gazetën Nacionale, foli për disa tema në lidhje me Kombëtaren e Kosovës dhe rendimentin e saj të fundit, aq më shumë pas disfatës djeshme kundër Irlandës Veriore me rezultat 2:1.
Zbritja në Ligën D dështim, por Giresset i duhet ende kohë
Mesfushori prizrenas, Anel Rashkaj, mendon se deri më tani Kosova ka qenë brenda pritshmërive, por ndryshe do të gjykohet ajo nëse do të bie në Ligën D.
“Mendoj se ka qenë në rregull deri më tani, sepse jemi në pozitën e dytë në grup. Mirëpo nëse humbim ndeshjen e radhës dhe zbresim në Ligën D, atëherë do të jetë dështim”, potencoi ai.
Rashkaj mendon se përzgjedhësi Alain Giresse dhe e tërë Kombëtarja e Kosovës është brenda objektivit sa i përket renditjes tabelore, gjithmonë me përjashtim nëse do të bëhet një hap shtesë fals.
“Për momentin është brenda objektivit. Mirëpo, e ripërsëris që më poshtë sesa pozita e dytë në grup do të jetë dështim”, insistoi ai.
Mundësia që Kosova të zbresë në Ligën D është realiste, veçanërisht nëse pasnesër pëson disfatë ndaj Qipros dhe në ndeshjen tjetër nëse Irlanda Veriore barazon ose fiton kundër Greqisë, që nuk do të ishte befasi, pasi kombëtarja greke luan pa motivim shtesë, meqë ka kohë që ka siguruar primatin në grup dhe – rrjedhimisht – promovimin në Ligën B.
Sidoqoftë, Rashkaj mendon se është ende herët që Alain Giresset t’i jepet një vlerësim meritor për punën e tij në krye të “dardanëve”.

Ai nuk mendon se tani është koha që të studiohen alternativa tjera për pozitën e përzgjedhësit të kombëtares.
“Jo, mendoj është herët. Nevojitet paksa më shumë kohë për të dhënë analizë më të gjerë”, sqaroi ai.
Nevoja për stabilitet në mesfushë
Gjatë prononcimit Anel Rashkaj nuk mund të mos pyetej për mesfushën e Kosovës, meqë është edhe pozita të cilën e mbulon vetë ai si lojtar dhe ka qenë në kohëra të ndryshme pjesë e kontingjentit të “dardanëve” (para pranimit në UEFA dhe nga 2019 deri në vitin 2021). Ai ka dhënë mendimin e tij se ku qëndron problemi.
“Në mesfushë mendoj se kemi shumë rotacion. Nuk kemi gjetur ende stabilitetin. Duhet të kemi mesfushorë që janë stabilë dhe të cilët do të luajnë një kohë më të gjatë së bashku”, nënvizoi ai.
Prej që kanë pasur probleme me lëndime dhe me humbje të formës dyshja e dikurshme e mesfushës, Hekuran Kryeziu dhe Herolind Shala, Kombëtarja e Kosovës vazhdimisht ka provuar lojtarë të ndryshëm në pozitat e mesfushorëve balancues.

Shpesh duke provuar alternativa të shumta edhe është improvizuar, duke tërhequr në mesfushë lojtarët fantazistë, ose duke i avancuar mbrojtësit në mesfushorë shkatërrues.
Kombëtarja e Kosovës pa faj për largimet e Berishës dhe Pajazitit, si dhe të tjerëve
Pak minuta para se të fillonte ndeshja e djeshme kundër Irlandës Veriore, Anel Rashkaj shkroi një status në rrjetin social “Facebook”, duke thënë fjalë motivuese se si Kosova duhet trajtuar me pasion dhe përfaqësimi i saj duhet të vijë me krenari, pa shikuar sesa para i ke në xhirollogari bankare.
Ai në të kaluarën heraherës është prononcuar edhe për metamorfozat e lojtarëve, të cilët sa pranojnë Kosovën, pastaj refuzojnë e kështu me radhë. Në pyetjen e Gazetës Nacionale për këtë fenomen, duke marrë si mostër largimet e fundit të Medon Berishës dhe Adrion Pajazitit drejt Shqipërisë U21, ai dha opinionin e tij.
“Këto raste janë të vështira, sepse këtu është në pyetje roli i karakterit të lojtarëve. Kosova U21 i ka ftuar dhe i ka pranuar në radhët e veta. Pastaj, ata vetëm se e tregojnë personalitetin, karakterin dhe interesin e tyre, ku s’ka faj Kombëtarja e Kosovës”, deklaroi ai.
Në fund të prononcimit për Gazetën Nacionale, ai po ashtu e la të hapur mundësinë që një ditë t’i bashkangjitet stafit teknik të Kosovës, nëse do të pranonte ndonjë ftesë të tillë nga zyrtarët e Federatës së Futbollti të Kosovës.
“Po, nga ana ime nuk diskutohet”, përfundoi ai.

Anel Rashkaj me Kombëtaren e Kosovës ka zhvilluar 11 ndeshje zyrtare pas pranimit në UEFA dhe FIFA, ndërsa më herët kishte qenë kapiten i “dardanëve” gjatë kohës kur luheshin ndeshjet miqësore me dhe pa fusnotë, si të pranuara ndërkombëtarisht, ashtu edhe të papranuara. Si rrjedhojë, marrë parasysh gjithë përkushtimin e sinqertë që ka treguar për Kosovën, respekti për të ka qenë gjithmonë maksimal.

