Kosova humb në frymën e fundit ndaj Irlandës Veriore, tashmë i rrezikohet edhe pozita e dytë në grup - NACIONALE

Kosova humb në frymën e fundit ndaj Irlandës Veriore, tashmë i rrezikohet edhe pozita e dytë në grup

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kosova ka shënuar humbje me rezultat 2:1 kundër Irlandës Veriore në Belfast. Për “dardanët” fatale ishin çastet e fundit të takimit, ku vendësit përmbysën gjithçka.

Një humbje e hidhur për Kosovën, që nuk ia doli ta menaxhojë epërsinë e krijuar me golin e Vedat Muriqit në pjesën e dytë.

Ajo çfarë u vërejt në pjesën e dytë ishte një rënie nga loja e thellë e pjesës dërmuese të lojtarëve të Kosovës, të cilët humbën qoftë koncentrimin, ashtu edhe kondicionin fizik.

Mungesat e mëdha në mbrojtje, sidomos Rrahmani dhe Kryeziu në qendër të saj, si dhe Vojvoda me Paqaradën, ishin tej mase me peshë. Ato nuk kaluan pa u dalluar, nëse marrim si pikë referimi mënyrën e golave se si u pësuan.

Raporti i ndeshjes Irlandë Veriore 2–1 Kosovë

Kosova e nisi mjaft mirë pjesën e parë kundër Irlandës Veriore. Ishin “dardanët” ata që u versulën menjëherë në sulm.

Rasti më i mirë erdhi vetëm pak minuta pas fillimit të ndeshjes. Zhvillohej minuta e 5-të kur Florent Muslija goditi bukur nga 20 metra. Portieri kundërshtar arriti ta devijojë topin me duar. Më pastaj ishte Rashica që u gjend në afërsi të zonës i vetëm, por nuk arriti të konkretizojë, pasi u pengua edhe nga mbrojtësi kundërshtar.

Kosova dominimin e diktoi edhe në minutat në vijim, ku pati disa raste tjera ku u shfaq e rrezikshme, si rrjedhojë edhe e pasigurisë së mbrojtjes vendëse. Ky mbizotërim në lojë nga Kosova zgjati për më shumë se një çerek lojë, por dështoi që të shënojë golin që do ta zhbllokonte rezultatin.

Në çerekun e dytë të pjesës së parë, respektivisht nga minuta e 15-të deri në minutën e 30-të, loja u koncentrua më shumë në mesfushë, me të dy skuadrat që përpiqeshin ta vendosnin diktatin në fushë.

Gjithsesi, në suaza të përgjithshme Kosova u tregua më e qartë në aksionet e veta sulmuese, edhe pse pa arritur që ta gjejë rrugën e rrjetës.

Irlanda Veriore të vetmen goditje serioze në drejtim të portës së Aro Muric e kishte në minutën e 37-të, por gardiani dardan u tregua syhapur, duke larguar rrezikun.

Kësisoj, edhe pjesëloja e parë mbaroi me rezultat 0:0.

Në pjesën e dytë Irlanda Veriore hyri në fushë me një ritëm loje vërtet të lartë, ku e vuri në vështirësi mbrojtjen e Kosovës menjëherë.

Në minutën e 58-të atyre iu anulua edhe një gol i shënuar për pozitë jashtë loje. Ndërkaq, pas një minuti erdhi kundërpërgjigja e Kosovës.

Vedat Muriqi nga 20 metra goditi me saktësi të madhe drejt portës vendëse, duke e lënë të shtangur portierin e tyre.

Kosova nuk ia doli që ta ruante një qarkullim të denjë të topit në minutat në vijim, ku me faza të caktuara u shtyp në vijën e saj mbrojtëse nga Irlanda Veriore.

Golin e parë ata e shënuan në minutën e 82-të, duke e barazuar rezultatin me Whyte, pasi nga loja ra Fazliji.

Kosova në vijim ka mundur që ta rikthente në epërsi rezultatin, por nuk ishte efikase në kundërsulmet e veta.

Kur mendohej se po shkohej drejt një barazimi të sigurt, Kosova e pësoi në minutën e 92-të golin e radhës, atë që i kushtoi me humbje.

Goli i Magennis ishte ai që çoi në delir tifozët nikoqirë, duke bërë që Irlanda Veriore t'i rikthehej fitores pas shumë kohësh. Njëherazi, kjo ishte fitorja e parë në grup.

Lajme të ngjashme