“Të gjithë e duan Shqipërinë” – Pse në të vërtetë futbollistët po e braktisin Kosovën për Shqipërinë - NACIONALE

“Të gjithë e duan Shqipërinë” – Pse në të vërtetë futbollistët po e braktisin Kosovën për Shqipërinë

2 muaj më parë

nga Ekrem Idrizi

Vetëm brenda një viti, Kosova i ka humbur tre futbollistë me të ardhme shumë të ndritur, dy prej të cilëve te kombëtarja të cilën e cilëson si motër, Shqipëria.

Medon Berisha i Lecce në Itali ndërroi aleancë duke braktisur Kosovën për Shqipërinë ditë më parë, rrugë të cilën ka vendosur ta ndjekë edhe bashkëlojtari i tij deri sot te Kosova U21, Adrion Pajaziti i Fulham në Angli. Kjo ndodhi vetëm pak muaj pasi Edvin Kurtulus iku nga U21 dardane te kombëtarja A e Suedisë.

“Të gjithë e duan Shqipërinë”, thotë Armand Duka, presidenti i Federatës së Futbollit të Shqipërisë për Gazetën Nacionale, duke ngurruar të futet në hollësi për atë se si i bindi dy lojtarët e rinj e talentuar të Kosovës të kthehen te Shqipëria.

Të dy kishin qenë pjesë e Shqipërisë U19, para se të vinin te Kosova U21, vetëm e vetëm për t'u kthyer te kombëtarja kuqezi.

Federata kosovare nuk i është përgjigjur kërkesës së Nacionales për koment.

Por a është vetëm dëshira dhe dashuria e lojtarit për ngjyrat kuqezi arsyeja e braktisjes së Kosovës? Jo tamam

Derisa mund të ekzistojë dëshira e lojtarin për të zgjedhur një kombëtare për arsyeje emocionale, drejtuesit e shtëpisë së futbollit të Kosovës nuk kanë treguar se kanë ndonjë plan të përgjithshëm për integrimin e lojtarëve të grupmoshave në kombëtaren A.

Trajneri i Kosovës Alain Giresse, njëlloj si paraardhësi i tij Bernard Challandes, nuk u kanë dhënë hapësirë lojtarëve të talentuar të ekipit U21 madje as në ndeshje miqësore.

Eroll Salihu, ish-sekretar i Federatës së Futbollit të Kosovës, fajëson drejtuesit e shtëpisë së futbollit të Kosovës për humbjen e lojtarëve të rëndësishëm për të ardhmen, duke i akuzuar për mungesën e një strategjie dhe për reputacion të keq, të cilat, këmbëngul ai, ndikojnë në largimin e lojtarëve drejt Kombëtareve të tjera.

“Problemi është lidershipi në radhë të parë, sepse lojtarët nuk mund t’i sjellësh këtu më zor, por duhet të jesh i sinqertë me ta. Por ky lidership nuk ka kredibilitet. Para miqësores së Kosovës me Zvicrën, në mediat zvicerane doli kryetari jonë si njeri që është rrahur me anëtar të vet, prandaj cili lojtar vjen te ky lidership?” tha Saliu për Nacionale.

Kosova e di si është të humbësh nga dora lojtarë premtues, sepse para këtyre dy rasteve të freskëta, Ardian Ismajli dhe Kastriot Dërmaku ishin pjesë të saj, para se të largoheshin në drejtim të Shqipërisë vite më parë. FFK-ja kishte dështuar t’i bindë edhe Andi Zeqirin dhe Albian Ajetin në të kaluarën, të cilën kishin zgjedhur Zvicrën përfundimisht.

Rasti i Ismajlit të Empolit është mbase shembulli më i mirë se sa e rëndësishme është mënyra se si i afrohesh një lojtari për ta bindur të luajë për ekipin tënd kombëtar. Ish-presidenti i FFK-së Fadil Vokrri – si një legjendë e futbollit shqiptar – kishte shkuar në Kroaci për ta takuar Ismajlin, kur ai luante për Hajduk Splitin, dhe e kishte bindur ta përfaqësonte Kosovën në vitin 2018.

Por vetëm disa muaj pas vdekjes së ish-presidentit Vokrri, Ismajli u largua nga Kosova dhe u kthye te Shqipëria.

Kur shkonte (Fadil) Vokrri, lojtarët mezi prinin të vinin, por me vdekjen e tij shumë lojtarë të bindur kanë ndërruar mendje, si (Andi) Zeriqi dhe (Albion) Ajeti. Agim Ademi nuk ka kurrfarë autoriteti për të përfituar lojtarë sepse i ka 100 mijë skandale. Duhet të kesh projekt të gatshëm, sinqeritet dhe transparencë dhe ky lidership, ky komitet dhe ky kryetar nuk janë në gjendje ta përfitojnë asnjë lojtar, nënvizoi Salihu.

Ai shtoi: “Çdo gjë ka ngecur sepse Ademi që dy vite është duke u marrë vetëm me mënyrën se si të shpëtojë nga ligji. Cili lojtar vjen në këtë mjedis? Këta njerëz e kanë humbur besueshmërinë, lojtarët më nuk kanë interes për të ardhur këtu, në këtë federatë të mbushur me skandale. Kjo ndikon, sepse mund t’i shihni rezultatet dhe atmosferën në kombëtare.”

Lojtarët e ekipit kombëtar U21 presin gjatë për një mundësi në kombëtaren A

Gani Sejdiu, trajner futbolli, e sheh telashin e ikjes së Berishës dhe Pajazitit si humbje durimi të tyre për të pasur mundësi të thirren në kombëtaren A, me Kurtulus shembullin më të mirë se si një lojtari mund t’i humbasë durimi dhe besimi.

Problemi është që këtyre lojtarëve nuk iu tregojnë me kohë statusin e tyre në Kombëtare. Ata e presin, e presin dhe e presin rastin për thirrje në Kombëtaren A”, theksoi Sejdiu për Nacionalen.

Ai beson se Shqipëria ka treguar strategji më të mirë dhe më të shpejtë se Kosova në joshjen e lojtarëve më të ardhme premtuese.

“Kjo tregon që Kombëtaret e tjera, përfshinë Shqipërinë, janë shumë më të shpejta se ne në këtë aspekt. Duhet të joshën dhe t’iu tregohet statuti i tyre këtyre talenteve, duhet të vlerësohen herët dhe mendoj që Shqipëria është para neve në këtë aspekt. Ndërsa ne po presim kur ata ta përfundojnë përvojën në U21 nëse ka mundësi për t’i ftuar në A. Jo, duhet të dihet më kohë nëse një lojtar ka aftësi për të luajtur për Kombëtaren A”, vazhdoi ai.

Sejdiu beson se Kosova duhet të jetë më syhapur kur vjen puna te lojtarët e grupmoshave dhe t’iu ofrojë mundësitë e duhura para se këtë ta bëjë Shqipëria apo ndonjë kombëtare tjetër.

Është shqetësuese që lojtarët e ekipit tonë kombëtar U21 t’i merr dikush në çastin kur ata duhet të kalojnë në Kombëtaren tonë A. Na duhet të jemi të parët që iu japim mundësi lojtarëve tonë të dalluar U21, Kosova duhet t’i paraprijë Shqipërisë dhe Kombëtareve tona., prandaj njerëzit kompetentë duhet t’i përcjellin këta lojtarë dhe duhet të jenë më të shpejtë në integrimin e tyre në A.”

“Shqipëria u tregua më e zonja se ne, ne duhet të krijojmë strategji më të saktë, më të hollësishme, më joshëse për këta talentë për Kombëtaren A,” përfundoi ai.

Lajme të ngjashme