Perëndimi i shkëlqimit të Lirim Kastratit - NACIONALE

Perëndimi i shkëlqimit të Lirim Kastratit

4 vjet më parë

nga Shpend Thaçi

Lirim Kastrati po shënon fazën më të errët të tij si futbollist, pasi assesi nuk po arrin që të këndellet. Edhe te Kombëtarja e Kosovës një katandisje e tillë i ka shkaktuar me pasoja, pasi minutazhi i është reduktuar vazhdimisht.

Djaloshi nga Dardana, Lirim Kastrati, dikur ka qenë prej talentëve më të përfolur në mesin e futbollistëve të rinj kosovarë. Pas një seri sezonesh pozitive që përjetoi në futbollin kroat me fanellën e Lokomitva Zagrebit, ai filloi të identifikohej si një sulmues krahu shumë premtues.

Sidoqoftë, pasi u transferua te Dinamo Zagreb në vitin 2020, filluan të vërehen edhe të metat e mëdha të tij si futbollist. Kritikat ndaj tij nisën të rriteshin, pasi niveli i paraqitjeve nuk ishte në përputhje me pritshmëritë që ishin ndërtuar për të.

Katandisja mori formë akoma më enorme kur Dinamo Zagreb vendosi që ta ndërpresë bashkëpunimin me të pas një viti, për ta pranuar ofertën e Legias. Këtu ishte një fillim i ri për Kastratin. Në të vërtetë, ishte veç pikënisja e një rënie apokaliptike që kishte marrë një rrugë pa kthim mbrapa.

Kapitulli te Legia, pikënisje e rënies së formës nga Kastrati

Për hir të vërtetës, Legia e prezantoi me një pompozitet të madh afrimin e Lirim Kastratit. Nga ai pritej që ta bënte dallimin dhe t'i ndihmonte skuadrës në arritjen e objektivave që ia kishte caktuar vetes.

Sidoqoftë, shumë gjëra ndikuan që të rrjedhnin dinamikat ndryshe nga seç ishin paraparë. Njëri prej faktorëve kryesorë që i atribuohet Lirim Kastratit për këtë rënie, ka të bëjë edhe mungesa e seriozitetit dhe profesionalizmit jashtë ndeshjeve zyrtare. Kështu të paktën është parë në sytë e publikut.

Në kampionatin polak është përfshirë në shumë pak ndeshje në sezonin e parë debutues me Legian. Në tërësi është aktivizuar në 15 ndeshje, duke mos arritur të lërë ndonjë gjurmë, pa shënuar ndonjë gol apo regjistruar ndonjë asist.

Më shumë iu dha minutazh në grupet e Ligës së Evropës, ku në pesë paraqitje të paktën shënoi një gol. Ndërkohë, gazetarë dhe opinionistë të ndryshëm në Poloni, kanë qenë të zëshëm me kritika ndaj tij, duke mos lavduar atë që ka dëshmuar deri më tani.

Sezoni i sivjem nuk është se ka nisur më mirë. Në pesë ndeshjet e para që janë luajtur në kampionatin polak, Lirimi është aktivizuar vetëm 13 minuta dhe atë në pjesën e dytë kundër Cracovias, në derbin që skuadra rivale ku aktivizohet bashkëkombësi i tij, Florian Loshaj, fitoi me rezultat 3:0.

Kësisoj, edhe në ndeshjen e djeshme që Legia e zhvilloi kundër Widzew Lodz, ai nuk ishte fare i grumbulluar.

Çdoherë e më pak minutazh te Kosova

Lirim Kastrati ka qenë pjesë e grupmoshave të reja të Kosovës dhe Shqipërisë. Në rastin e Kombëtares kuqezi, Kastrati ishte pjesë e saj në grupmoshën U17.
Ndërkaq, më vonë, që nga vjeshta e 2017-ës, u bë pjesë e Kosovës U19 të udhëhequr nga Ramiz Krasniqi, për t'i luajtur parakualifikimet për Evropian.

Falë paraqitjeve të mira që tregoi me U19, e më pastaj edhe më U21, ku njëmend bëri dallimin - detyroi ish-përzgjedhësin e Kombëtares seniore të Kosovës, Bernard Challandes, që ta grumbullonte për ndeshjet e Ligës së Kombeve gjatë muajit tetor të vitit 2018.

Kishin mjaftuar shtatë minuta inkuadrim para përfundimit të ndeshjes kundër Maltës në Prishtinë, të cilën Kosova e fitonte me rezultat 3:1, që Kastrati të blindohej si lojtar i dardanëve, pa pasur të drejtë të ndyshojë kombëtare, edhe nëse do ta shfaqte atë dëshirë.

Pa marrë parasysh që gjatë asaj periudhe po kalonte në një formë të lakmueshme me Lokomotiva Zagrebin, Kosova kishte (dhe vazhdon të ketë) zgjedhje të shumta në të dy krahët e sulmit. Prandaj, edhe minutazhi i tij te Kosova ka qenë gjithmonë i cunguar, pasi gjithsejt ka luajtur vetëm shtatë herë si titullar, nga 17 herë sa është grumbulluar me dardanët.

Megjithatë, ia vlen të theksohet që rënia drastike e formës që ka pësuar te Legia, ka ndikuar tej mase edhe te Kosova që të jetë çdoherë e më i margjinalizuar, e shpeshherë të mos ftohet fare, duke e bërë edhe më të ndërlikuar luftimin për një pozitë të rëndësishme si protagonist.

Hera e fundit që është grumbulluar me Kombëtaren e Kosovës daton nga ndeshja kundër Gjeorgjisë, më 10 dhjetor të vitit të kaluar, ku luajti për 90 minuta, në humbjen që dardanët shënuan me rezultat 1:2 për kualifikimet e Botërorit Katar 2022. Që atëherë, Kosova nuk ka luajtur shtatë ndeshje kualifikuese dhe miqësore, por pa qenë sulmuesi këmbëshpejtë pjesë e saj.

Një efekt domino me pasoja të theksuara, të cilat rrezikojnë që t'ia venitin akoma edhe më shumë formën dhe për këtë arsye mund të konstatohet se është në një fazë të perëndimit të shkëlqimit të tij.

Lajme të ngjashme