Familja e Bekajt për Nacionalen: Është totalisht e pavërtetë se Visari është shitur në Manisa - NACIONALE

Familja e Bekajt për Nacionalen: Është totalisht e pavërtetë se Visari është shitur në Manisa

1 vit më parë

nga Shpend Thaçi

Emri i Visar Bekajt ishte në ballinat e medieve shqiptare, ku flitej se është pranë kalimit në Turqi, te Manisa. Por, për Gazetën Nacionale, Dardan Bekaj, si përfaqësues i familjes, e ka demantuar kategorikisht këtë lajm.

Portieri prishtinas, Visar Bekaj, u veçua me një sezon tejet të mirë me fanellën e Tiranës. Nga të gjithë njohësit e futbollit në Shqipëri, ishte lojtari që mori më së shumti lëvdata për nivelin e paraqitjeve për skuadrën kryeqytetase, e cila fitoi titullin kampion në edicionin 2021/2022.

Sigurisht, duke dijtur edhe faktin që është përfaqësues i Kosovës, ndonëse jo me minutazhin e dëshiruar dhe të duhur, pesha dhe vlera e Bekajt kanë filluar të rriten, e bashkë me to edhe interesimet e klubeve të ndryshme për shërbimet e tij.

Në një prononcim ekskluziv për Gazetën Nacionale, Dardan Bekaj, si njëri nga përfaqësuesit e tij, mohoi të gjitha zërat e 24 orëve të fundit, të cilat e lidhin atë me një transferim te Manisa, konkretisht thënë në ligën e dytë turke.

Qëndrimi i familjes rreth lajmit për kalimin e Visar Bekajt në Manisa

Vetëm sa nuk filloi që të portretizohej si çështje e kryer në opinionin publik shqipfolës kalimi i Visar Bekajt te Manisa. Madje, filluan të qarkullonin edhe shifra të marrëveshjes së presupozuar. Thuhej se negociatat kishin mbaruar me sukses, për një shifër rreth 180 mijë euro.

Për ta sqaruar njëherë e mirë këtë situatë, Gazeta Nacionale kontaktoi me Dardan Bekajn, i cili njihet si njëri ndër përfaqësuesit e poriterit prishtinas, që i qëndron afër tani e një kohë të gjatë në rrugëtimin e tij si profesionist.

"Sa i përket lajmeve që qarkulluan dje në mediet vendore dhe ato në Shqipëri, mund të them se janë totalisht të pavërteta dhe të çuditshme. Janë të pavërteta, ngase në asnjë moment të vetëm nuk kemi qenë në kontakt me klubin e lartëpërmendur as ne si përfaqësues, po ashtu as Klubi i Futbollit Tirana"
, nënvizoi ai.

Ai shprehet i habitur edhe me mënyrën e publikimit të lajmit, duke ngritur dilema se me çfarë qëllimi është bërë, pasi ka negociata që janë duke u zhvilluar me disa klube tjera.

"Kemi biseduar me Tiranën dhe po e njëjta na është komunikuar se ky lajm është totalisht i pavërtetë. Të themi të drejtën është edhe i çuditshëm, ngase nuk po e dimë burimin se nga ka dalë dhe me çfarë qëllimi është bërë. Këso lloj lajmesh, përveç se mund ta dëmtojnë reputacionin e lojtarit, mund edhe t'i dëmtojnë negociatat tjera të cilat janë në proces e sipër"
, komentoi Bekaj.

Prishtmëritë për të ardhmen e Bekajt

Portieri 25-vjeç kosovar ka vetëm edhe një vit kontratë me Tiranën. Për këtë arsye janë duke u bërë përpjekjet maksimale që të shitet kartoni i tij, para se të shkohet në skadim të kontratës. Përfaqësuesi i familjes së tij, Dardan Bekaj, tregoi më detajisht për punët që po bëhen për të ardhmen e Visarit.

"Pas një sezoni të jashtëzakonshëm me Tiranën, ku edhe u kurorëzua me titullin e parë kampion, ofertat dhe interesimet për Visarin nuk kanë munguar. Kemi pasur interesime konkrete, ku disa kanë dërguar dhe ofertë te klubi i Tiranës, por nuk kanë qenë në nivelin që kërkon Tirana për kartonin e Visarit"
, potencoi ai.

Krejt në fund të prononcimit, Dardan Bekaj tregoi se deri në fund të këtij afati kalimtar veror, do të bëhet e pamundura që te Tirana ta sjellin ofertën më të mirë të mundshme për kartonin e portierit të Kombëtares së Kosovës.

"Kemi thuajse edhe një muaj kohë deri në përfundim të afatit kalimtar dhe është duke u punuar intensivisht që të sjellim një ofertë te Tirana për Visarin"
, përfundoi Dardan Bekaj.

Me prononcimin e tij për Gazetën Nacionale, mund të konstatohet se u dha fund dhe i përgënjeshtroi të gjitha spekulimet që e lidhnin Visarin me një transferim të mbyllur te Manisa.

Bekaj për gjashtë vite me radhë (2014-2020) ka qenë portier senior i Prishtinës. Për shkak të paraqitjeve të tij të mira me klubin më të trofeshëm kosovar, si dhe me atë çfarë tregoi në kampanjën kualifikuese me Kosovën U-21, ai më vonë mori një ofertë të rëndësishme nga Tirana, për t'u bërë pjesë e saj nga 2020. Te Prishtina në tërësi ka bërë 169 paraqitje.

Në kampionatin shqiptar, të njohur si Superiorja, 25-vjeçari ka zhvilluar 69 paraqitje, duke u stolisur së fundmi edhe me titullin kampion. Megjithatë, fushata kualifikuese në garat evropiane për Tiranën ishte krejtësisht e dështuar, me dy eliminime të shpejta, si nga rrethi i parë i Ligës së Kampionëve, po ashtu edhe nga ai i dyti i Ligës së Konferencës. Prapëseprapë, Bekaj u karakterizua me paraqitje solide edhe në ato ndeshje.

Ndërsa, te Kombëtarja e Kosovës vijon të ftohet rregullisht, anipse duke mos pasur hapësirë që t'i dëshmojë aftësitë e veta si titullar në ndonjë ndeshje, qoftë edhe në ato miqësore, për çka është kritikuar shpesh edhe stafi teknik nga publiku kosovar.

Lajme të ngjashme