Ringjallja dhe minutazhi i fituar i Florian Loshajt, shpresë edhe për mesfushën e Kosovës
Mesfusha e Kosovës në trevjeçarin e fundit po shënon një krizë të rëndë nga shumë pikëpamje. Njëri ndër mesfushorët dardanë, Florian Loshaj, mund t'i sjellë sërish infuzion Kosovës, pasi ka rifituar vendin titullar te Cracovia.
Florian Loshaj u grumbullua nga përzgjedhësi Alain Giresse, qëkur ai ka marrë drejtimin e Kombëtares së Kosovës. Megjithatë, ftesa e Loshajt nuk ishte tregues i njëmendtë se ai po kalonte në një formë të mirë. Përkundrazi, mesfushori 25-vjeç ishte në një amolli, pasi e kishte humbur pozitën e titullarit te skuadra polake.
Marrë parasysh rënien drastike të mesfushorëve si Besar Halimi, Herolind Shala, dhe Hekuran Kryeziu, të cilët deri në vitin 2019 përbënin bërthamën e repartit të mesfushës - përzgjedhësi francez u detyrua që, përkundër formës së mangët, prapë ta ftonte Loshajn për ndeshjet miqësore dhe ato kualifikuese që u luajtën në qershor për Ligën e Kombeve.
Sido që të jetë, tani, konkretisht thënë në këtë fillim të sezonit të ri, për fatin e mirë gjërat kanë filluar të rikthehen në pozitën e vet. Loshaj e ka rifituar pozitën e titullarit, e bashkë me të edhe vetëbesimin, si dhe kondicionin fizik të pëlqyeshëm, të cilat mund të shërbejnë edhe si një ogur i mirë për Kombëtaren e Kosovës për ndeshjet në vijim.
Gjetja e formës fizike
Florian Loshaj thuajse ka gjetur formën fizike të dikurshme, e cila e karakterizonte në momentet më të mira të tij që kishte kaluar si futbollist në Poloni.
Në tri ndeshjet e para, ai ka qenë gjithnjë titullar, duke ndihmuar mjaft shumë skuadrën e tij që ta bënte një nisje të përkryer të kampionatit, me tri fitore radhazi të grumbulluara, të cilat kanë rikthyer entuziazmin te tifozëria e flakët e Cracovias.
Deri më tani, ai ka një mesatare prej 71 minutash të luajtura në fushë. Për më tepër, ajo që vazhdon të vlerësohet tek ai është prirja për ta mbuluar sa më gjerë dhe shumë repartin e mesfushës, duke qenë i kudondodhur.
Një tipar të tillë e dëshmon edhe statistika e nxjerrë në përfundim të ndeshjes kundër Korona, më 23 korrik, kur Loshaj kishte qenë lojtari i katërt për Cracovian me më së shumti kilometra të vrapuara, gjegjësisht 9,46 kilometra për 87 minuta lojë si i aktivizuar në fushë.

Me këto premisa, ai mund t'ia dalë që ta blindojë edhe pozitën e titullarit, sepse me statistika simetrike kishte luajtur edhe dy sezone më parë, kur pati shënuar edhe periudhën më të mirë të formës qëkur është transferuar në Poloni, duke e fituar edhe Kupën.
Më aktiv dhe i pranishëm në aksionet e skuadrës
Ajo çfarë është vërejtur në ndeshjet e fundit të mesfushorit kosovar me Cracovian, është marrja më e madhe e përgjegjësisë në lojë, duke qenë ai katalizatori i aksioneve që ndërtohen nga skuadra polake.
Një gjë të tillë e ka dëshmuar edhe në fushë dhe është parë shumë qartë. Po kaq qartë e konfirmojnë edhe parametrat statistikorë.
Ta zëmë, në krahasim me sezonin e kaluar (i cili ishte për t'u harruar), Loshaj në këtë fillim të sezonit të ri si mesatare po dëshmon një predispozitë më enorme për të qenë i pranishëm në sulmet e skuadrës. Gjithashtu, përmes këtij ilustrimi që mund të shihet më poshtë, është lehtësisht e dallueshme se në sa shumë pjesë të fushës ka pasur kontakt me topin - duke konfirmuar edhe mbulimin e mirë të fushës në tërësi.

Si rrjedhojë, për dallim nga sezoni paraprak, kur si mesatare kishte një involvim të papërfillshëm në goditjet drejt kornizës së portës kundërshtare, gjegjësisht prej 0,41 goditje për ndeshje - në tri ndeshjet e para kjo mesatare ishte mbi trefish më mirë: 1,33 goditje për ndeshje.
Edhe numri i dueleve të fituara është një tjetër karakteristikë në fushë, ku veçohet se ka nisur të rikthehet në formën e tij të zakonshme. Gjatë sezonit të kaluar ai kishte një mesatare prej 6 dueleve të fituara për ndeshje, ndërsa deri më tani, në kuadër të edicionit të ri të kampionatit polak që ka filluar, një statistikë e tillë shënon 10 duele të fituara për ndeshje.
Rritja e formës dëshmohet edhe në driblime. Në tri ndeshjet e fundit ka qenë mjaft solid edhe në këtë aspekt, ku si mesatare ka bërë dy depërtime për ndeshje, duke qenë 83% i saktë, ndryshe nga sezoni që lëmë pas, ku kishte 1,03 driblime për ndeshje me vetëm 57% efikasitet.
Ai ishte protagonist edhe në ndeshjen hapëse të kampionatit të sivjem kundër Gornik, ku arriti të shënojë një gol mjaft të bukur, me kthesë, në sfidën që Cracovia e fitoi me rezultat 0:2.
E ardhmja në mëdyshje
Pavarësisht faktit se ai mbetet lojtar i Cracovias dhe se ka zënë sërish vendin titullar pas një sezoni të errët që shënoi në 2021/2022, Florian Loshajn me klubin polak e lidh vetëm edhe një vit tjetër kontratë.
Interesimi i lojtarit deri para pak javësh ka qenë ekskluzivisht që të largohej, pa menduar gjatë, ngase nuk shihte më në horizont ndonjë shpresë për të qenë pjesë e planeve të skuadrës.
Situata ndryshoi në formë të papritur gjatë javëve të fundit, me trajnerin Zielininski që e futi sërish në mesin e të besuarve të tij për të qenë pjesë e 11-shes titullare.

Deri në mbyllje të afatit kalimtar në vendet evropiane, mbetet enigmatike se çfarë do të sjellë e ardhmja e mesfushorit kosovar.
Skenaret janë lehtë të interpretueshme: -ose do të shkohet deri në përfundim të kontratës, për t'u liruar më pastaj si lojtar i lirë me parametra zero; ose do të gjendet një marrëveshje për rinovim të kontratës; ose do të transferohet në ditët në vijim te ndonjë klub i ri, për të përfituar ndonjë shumë parash Cracovia, në vend të privimit nga ai si lojtar i lirë.
Deri në përcaktim të këtyre mëdyshjeve, Florian Loshaj mund t'i ndihmojë mjaft shumë përzgjedhësit të Kosovës, Alain Giresse, që t'i përgatisë ndeshjet e fundit që e presin Kosovën në këtë vit kalendarik. Kujtojmë se 25-vjeçari deri më tani ka zhvilluar 15 paraqitje me dardanët.

