Drejtori i Kombëtares për Nacionalen: E mirëpresim angazhimin e Hekuran Kryeziut, është vlerë e shtuar për ne - NACIONALE

Drejtori i Kombëtares për Nacionalen: E mirëpresim angazhimin e Hekuran Kryeziut, është vlerë e shtuar për ne

1 vit më parë

nga Shpend Thaçi

Hekuran Kryeziu pas një kohe të gjatë u bë me një klub të ri. Për Gazetën Nacionale, drejtori i Kombëtares, Muharrem Sahiti, u shpreh i lumtur për transferimin e tij te Winterthur.

Lëndimi në ligamentet e gjurit për Hekuran Kryeziun në prillin e vitit 2019 ishte vrastar. Nga aty filloi një tatëpjetëze e frikshme e tij. Fillimisht, mesfushori 29-vjeç qëndroi tetë muaj jashtë fushave të blerta.

Kur u kthye të stërvitej me Zurich pasi kishte lënë lëndimin anash, më nuk ia doli që së bashku me vrapimin ta rikthejë edhe formën e dikurshme.

Lëndimi në fjalë bëri që skuadra zvicerane të mos ia rinovojë kontratën në verën e vitit 2021. Si lojtar i lirë, ai kaloi dymbëdhjetë muaj pa qenë aktiv në asnjë skuadër.

Kjo kishte reperkusione edhe sa i përket angazhimit të tij te Kombëtarja e Kosovës, pasi më nuk u ftua që nga ndeshjet miqësore kundër San Marinos dhe Maltës të qershorit të vitit të kaluar.

Kombëtarja e Kosovës e mirëpret angazhimin e Hekuran Kryeziut në klubin e ri

Paraqitjet e mesfushorit anamoravas me Kombëtaren e Kosovës në ndeshjet zyrtare janë 27 sosh. Vazhdimisht, deri para se të lëndohej në vitin 2019, ishte portretizuar dhe cilësuar si njëri ndër lojtarët me redimentin më stabil në Kombëtaren e Kosovës.

Rëndësinë e tij te Kosova e njeh mirë edhe drejtori i Kombëtares së Kosovës, Muharrem Sahiti, i cili dikur ka qenë edhe ndihmës-përzgjedhës i Bunjakut dhe Challandes.

"E kemi mirëpritur shumë mirë angazhimin e Hekuranit (në Winterthur). Ai është një vlerë e shtuar për ne si Kombëtare"
, shtoi Muharrem Sahiti për Gazetën Nacionale.

Në pyetjen nëse me këtë kalim Kryeziut i janë rihapur dyert për t'u ftuar edhe nga përzgjedhësi Alain Giresse, ai sqaroi qëndrimin zyrtar në lidhje me këtë çështje.

"Natyrisht, do të varet nga paraqitjet e tij. Tani mbetet në duart e përzgjedhësit (nëse do ta shqyrtojë si opsion për t'u ftuar)"
, përfundoi Muharrem Sahiti.

Hekuran Kryeziu, lojtar me peshë dikur në Kombëtare, tani në vështirësi që ta rifitojë atë status

Barra e mesfushës kalonte në këmbët e tij. Ai së bashku me Herolind Shalën ishin dy të pazëvendësueshmit për ish-përzgjedhësin e Kosovës, Bernard Challandes.

Hekuran Kryeziu fitoi respekt dhe rëndësi të veçantë pas paraqitjeve të mira që pati me Kombëtaren në fushatën e parë kualifikuese në Ligën e Kombeve në vitin 2018, kur Kosova u kualifikua deri në gjysmëfinale, për t'u venitur më vonë ëndrrra e kualifikimit në Euro 2020, pas disfatës së pësuar ndaj Maqedonisë së Veriut në Shkup me rezultat 2:1.

Te Kosova thuajse në të gjitha ndeshjet ka luajtur në sistemin 4-2-3-1, të cilin me konservatorizëm e aplikonin si Bunjaku, ashtu edhe Challandes.

Megjithatë, gjatë tri viteve të fundit kanë ndryshuar shumë gjëra dhe evoluimi te mesfusha e dardanëve është evident. Jo se janë shënuar hapa kushedi sa të mëdhenj (mbase, heraherës ka pasur ngarendje), por ka zgjedhje më shumë dhe para Kryeziut në hierarki ka lojtarë të tjerë.

Transformimi rrënjësor në mesfushën e Kosovës që prej kohës sa ai ka munguar

Paraqitjet pozitive të Loshajt, përshtatja e mirë në pozitën e mesfushorit në rastin e Dresheviqit, përvoja e Valon Berishës, si dhe minutazhi çdoherë e më i madh që kanë nisur ta fitojnë Idrizi, Domgjoni dhe Muslija, e bëjnë të vështirë që Kryeziu ta rikthejë statusin e dikurshëm të lojtarit me peshë, për të cilin karakterizohej te tifozët kosovarë.

Jo vetëm Kryeziu, por të gjithë bashkëlojtarët e tij të dikurshëm në repartin e mesfushës, sot gjenden në një situatë simetrike. Dikur së bashku me Valon Berishën, Shalën, Halimin dhe Vocën ishin lojtarët mbi të cilët rëndonte barra e përgjegjësisë në mesfushë, ndërsa sot nga të gjithë këta emra të cekur më lart - vetëm Valon Berisha vijon të mbetet lojtar që ftohet në listën e Alain Giresse.

Thënë ndryshe, vetë fakti që ka kaluar një kohë e gjatë pa u angazhuar në ndonjë skuadër, gjegjësisht një vit, e bën skenarin e rikthimit në Kombëtare shumë të vështirë. Një rikthim si protagonist të paktën është i ndërlikuar. Një rikthim dosido nuk i shërben as atij, e as Kombëtares.

Gjithsesi, Hekuran Kryeziu në aksion mund të rikthehet që nga fundi i kësaj jave, anipse është thuajse e pamundur të mendohet se do të luajë titullar. Skuadra e tij e re, Winterthur, në kuadër të javës së katërt të kampionatit zviceran sfidon Servette në udhëtim, respektivisht të shtunën, me fillim në ora 18:00.

Lajme të ngjashme