Muharrem Sahiti flet për Nacionalen: Leart Paqarada i ka dyert e hapura - ka një arsye pse mungon Arbër Zeneli
Drejtori sportiv i kombëtarës së Kosovës, Muharrem Sahiti, në një intervistë ekskluzive për gazetën Nacionale, ka folur hapur për mungesat në listë të Leart Paqaradës, Arbër Zenelit, për afrimin e lojtarëve të rinj dhe shumëçka tjetër.
Sot, në orët e pasditës kombëtarja e Kosovës publikoi listën e parë të saj me në krye përzgjedhësin e ri, Alain Giresse. Mungesat e Leart Paqaradës, Arbër Zenelit dhe mos-përfshirja e ndonjë lojtari të ri prej atyre që nuk ishin më herët, në përjashtim të Ermir Sahitit, ngjalli reagim publik të opinionit futbolldashës.
Për të folur për këto dhe disa tema tjera, gazeta Nacionale gjatë ditës kontaktoi me Drejtorin Sportiv të kombëtares, Muharrem Sahitin, i cili dha një intervistë për ne menjëherë pas publikimit të listës.
GAZETA NACIONALE
Cilat janë arsyet pse Arbër Zeneli dhe Leart Paqarada nuk janë pjesë e listës? Për këtë të dytin parashtrimi i pyetjes bëhet i pashmangshëm, marrë parasysh interesimin e publikut.
MUHARREM SAHITI
"E para, Arbër Zeneli para dy ditësh është lënduar në stërvitje me Reims. Ka një problem muskulor. Stafi mjekësor i ekipit francez ka vendosur që duhet të pushojë për katër javë. Kësisoj nuk mund të llogarisim në shërbimet e tij. Sa i përket Leart Paqaradës është në të drejtën e përzgjedhësit që t'i bëjë ftesat.

"Ne si federatë do të sigurohemi jo vetëm nga Leart Paqarada, por nga të gjithë lojtarët që të mos të marrin veprime të ngutshme sikur ato në të kaluarën. Edhe nëse nuk është pjesë e këtij grumbullimi, unë shpresoj që në të ardhmen do të jetë".

GAZETA NACIONALE
Lista e re që u publikua sot ka vetëm një afrim, atë të Emir Sahitit, lojtarit të Hajdukut, që gjatë dhjetorit pranoi ta përfaqesojë Kosovën A. Mirëpo, vetëm kaq. Në fund të janarit keni qenë në një vizitë në Zvicër, së bashku me Kryetarin, Ademi. Nga ajo vizitë a është shënuar ndonjë hap drejt afrimit të ndonjë lojtari, qoftë edhe të ri, përspektiv?
MUHARREM SAHITI
"Për shkak të procesit ne jemi të kufizuar të japim detaje në publik, sepse kjo është vetë kërkesë e tyre. Por, në të ardhmen do të ketë risi, ngase punojmë vazhdimisht në këtë drejtim".
GAZETA NACIONALE
Atëherë, po e parashtroj pyetjen në formë më direkte, me shembull konkret. Ardon Jashari, pjesë e Lucern, që së fundmi u ftua nga kombëtarja helvete U21, a është kontaktuar nga Kosova? A mund ta konfirmoni zyrtarisht një gjë të tillë? Nëse po, cila ka qenë përgjigja që keni pranuar?
MUHARREM SAHITI
"Po, mund ta konfirmoj që kemi kontaktuar me talentin në fjalë, Ardon Jashari. Vërtet është një lojtar që premton shumë. Ai ka kërkuar që t'i japim paksa kohë, që të mendojë deri sa të përcaktohet rreth të ardhmës së tij. Mirëpo, po, definitivisht. Na intereson!
Për takime të tilla kemi edhe përkrahjen e Kryetarit, Agim Ademi, i cili nuk kursen asgjë që të na ndihmojë."

GAZETA NACIONALE
Me Paqaradën që mungon, si e keni menduar ta mbuloni krahun e majtë të mbrojtjes? Me Lirim Kastratin e Ujpest, Fidan Alitin apo Mërgim Vojvodën, njësoj sikurse po luan anësor në Torino momentalisht?
MUHARREM SAHITI
"Po, sigurisht e ka planifikuar përzgjedhësi. Sa i përket atij pozicioni, vërtet kemi nevojë për Leart Paqaradën, ngasë është lojtar shumë kualitativ. Po shpresoj që edhe ai shumë shpejt do të jetë pjesë e kombëtares së Kosovës. Por, gjithsesi, përveç emrave që përmendet, aty mund të luajë edhe Florent Hadërgjonaj."
GAZETA NACIONALE
Blendi Idrizin e shihni me shume si mesfushor të tërhequr në kombëtare, apo si "10"-sh mbrapa sulmuesit?
MUHARREM SAHITI
"Ne i kemi dhënë informata të mjaftueshmë përzgjedhësit Giresse, për secilin lojtar, qoftë edhe për pozitat që mbulojnë. Ai tashmë ka njohuri për secilin prej tyre dhe tani i mbetet t'i analizojë lojtarët, si në rastin në fjalë. "
GAZETA NACIONALE
Z. Sahiti, me ketë listë mund të thuhet që zyrtarisht ka përfunduar cikli i Hekuran Kryeziut dhe Herolind Shales si tandem mesfushe në kombëtare. Çfarë po ndodh me të parin? Jeni në kontakte?
MUHARREM SAHITI
"Po, jemi në kontakte. Kemi të bëjmë me dy futbollistë që kanë dhënë shumë për Kosovën dhe kanë akoma për të dhënë. Hekuran Kryeziu ka qenë shumë afër të transferohej në Turqi, por edhe në Ukrainë, mirëpo me shpërthimin e luftës atje, atij iu pamundësua finalizimi i marrëveshjes në një klub ukrainas.

"Fatkeqësisht për neve ai është pa klub. Pa gjetur klub është e pamundur të ketë ftesë në kombëtare. Ndërsa nivelin që është aktualisht Herolind Shala, ai duhet të bëjë më shumë për të qenë pjesë e kombëtares".
GAZETA NACIONALE
Vedat Muriqi ka filluar t'i rimarrë minutat në këmbë e bashkë me to gradualisht edhe formën po e rikthen. A mendoni që duhet të jetë pikë referimi për sulmin, njësoj siç ishte më herët?
MUHARREM SAHITI
"Edhe në të kaluarën gjithmonë ka qenë pikë referimi në sulm. Aq më tepër tani me këtë transferim që bëri, që i mundësoi të ringjallet. Edhe kur nuk ka pasur minutazh në Lazio, tek ne ka qenë pikë kyçe në atë repart."
GAZETA NACIONALE
Të enjtën luajmë ndaj Burkina Fasos, për të vazhduar më 29 mars në ndeshjen ndaj Zvicrës në Zurich. Çfarë do të kerkojë Kosova më shumë në këto dy takime?
MUHARREM SAHITI
"Tani, është një rast shumë i mirë që përmes këtyre dy ndeshjeve miqësore përzgjedhësi t'i njohë edhe më mirë nga afër aftësitë e secilit lojtar. Do të na shërbejnë shumë këto ndeshje. Jemi shumë të kënaqur me formën që po kalojnë lojtarët tonë në klubet respektive, ku po kanë minuta në këmbë dhe po luajnë titullarë. Sa më shumë të luajnë ata titullarë, aq më të fortë do të jemi si kombëtare. Uroj që kjo formë e tyre të vazhdojë edhe në grumbullimet kur do t'i kemi për Ligën e Kombëve në qershor.
GAZETA NACIONALE
Deri në fillimin e Ligës së Kombeve në qershor, a mendoni që duhet të sqarohen disa pozita në fushë? Fjala vjen, Ibrahim Dreshevic nganjëherë luan në mbrojtje, pastaj zhvendoset si mesfushor shkatërrues, apo Betim Fazliji që javë më parë luajti disa ndeshje si mesfushor i tërhequr. A mendoni që me dy ndeshjet në vijim Alain Giresse do t'i ketë përgjigjet e mjaftueshme në lidhje me atë se ku do t'i koncentrojë në fushë lojtarët që janë polivalentë?
MUHARREM SAHITI
"Përzgjedhësi ka njohuri që disa lojtarë mund të luajnë në pozita të ndryshme. Fatmirësisht që kemi lojtarë universalë që mund të luajnë në disa pozicione. Në fund do të jetë zgjedhja e trajnerit, pasi t'i vlerësojë nga afër në stërvitjet që do t'i mbajë dhe më pastaj do të përcaktohet se ku mund të vendosen".
GAZETA NACIONALE
Për fund, në çfarë faze është plotësimi i stafit teknik të Alain Giresse? A janë konfirmuar ish-zëvendës-trajnerët apo do të ketë rifreskim me emra të rinj, qoftë vendorë apo të huaj që do t'i bashkohen përzgjedhësit francez?
MUHARREM SAHITI
"Tash, jemi në përfundim e sipër të këtij procesi. Ai e ka ndihmësin e tij të parë që është francez dhe ka vendosur të vjen së bashku me të. Përzgjedhësi ka mundur të ketë kërkesa edhe më të mëdha, por duhet të kuptohet edhe kapaciteti buxhetor i federatës. Gjithsesi, ai ka pranuar të vazhdojë bashkëpunimin me Sebastianin dhe Tomën, me të cilët ne jemi shumë të kënaqur me punën që kanë bërë deri më tani. Ata i njohin lojtarët edhe në aspektin fizik, teknik dhe në atë taktik. Kështu që, jemi në kompletim e sipër.

"Deri të hënën presim të konfirmohet. Mirëpo, për nevojat që ka Giresse stafi teknik është kompletuar. Tani, mbetet të shihet në të ardhmen, varësisht prej nevojës, nëse do të vendoset që të zgjerohet stafi", përfundoi Drejtori Sportiv i kombëtares së Kosovës, Muharrem Sahiti.