Pamje: Gabimet që detyruan Juricin ta largojë Vojvodën qysh në minutën e 30-të - NACIONALE

Pamje: Gabimet që detyruan Juricin ta largojë Vojvodën qysh në minutën e 30-të

3 vjet më parë

nga Shpend Thaçi

Dje nuk ishte një ditë e lehtë për Mërgim Vojvodën në “Olimpico” në ndeshjen ndaj Romës. Mbrojtësi kosovar mori një ndëshkim goxha të rëndë nga trajneri Ivan Juric, duke u zëvendësuar nga loja në minutën e 30-të pas një seri gabimesh që bëri.

Vetëm 30 minuta të luajtura në “Olimpico”. Ndeshja e djeshme ndaj Romës që përfundoi 1:1 është krejtësisht për t’u harruar për Mërgim Vojvodën.

Trajneri atij ia besoi pozitën e titullarit për herë të dytë rresht, por Vojvoda hasi në vështirësi groteske gjatë minutave sa qëndroi në fushë.

Ai u largua shumë shpejt nga fusha pas disa gabimeve që bëri, e që për trajnerin e Torinos ishin të tepërta. Gjatë javëve në vazhdim mbetet të shihet nëse ky detaj do të ndikojë te besimi i trajnerit kroat në 27-vjeçarin.

Dy momentet që acaruan Juricin

Ishin dy rastet që e nevrikosën tej mase trajnerin Ivan Juric me Mërgim Vojvodën gjatë ndeshjes së djeshme. Zhvillohej minuta e 18-të kur Vojvoda bëri një pasim të gabuar nga i cili u krijua një rast shënimi solid për Romën.

Fantazisti kroat, Vlasic, u tërhoq mbrapa për ta pranuar topin. Ai pasoi drejt Vojvodës në anën e majtë. Vojvoda duke mos arritur që të shtynte topin përpara, tentoi ta rikthente atë në gjysmëfushë.

Sado që distanca ishte e afërt dhe pasimi llogaritej i thjeshtë, topi nuk shkoi as në këmbët e Riccit e as të Vlasicit. Përkundrazi, ai përfundoi në mesin e të dyve, ku ishte mesfushori korpulent i Romës, Camara, ai që përfitoi nga rasti për ta rrëmbyer atë, duke bërë një tranzicion të shpejtë.

Me një pasim të gabuar në gjysmëfushën e vet, Vojvoda tërthorazi ia fali Romës aksionin e parë dhe të vetëm për gol në pjesën e parë. Zaniolo provoi goditjen me këmbën e majtë nga këndi anësor i 16-metërshit, por topi përfundoi larg shtyllës së dytë.

Zyrtarisht Vojvoda u fut në një periudhë krize. Kupa u mbush pesë minuta më vonë. Zhvillohej minuta e 23-të kur përfaqësuesi kosovar anashkaloi presionin e lartë të ekipit vendës me në krye mbrojtësin e djathtë turk, Celik.

Ai vonoi që të pasonte ose thjesht ta largonte topin prej vetes, duke e mbajtur atë pranë vijës së rivënies anësore. Një vonesë e topit që shkaktoi po ashtu një rrezik potencial të radhës për portën e skuadrës “granata”. Vojvoda ia pasoi keq dhe rrezikshëm topin portierit të skuadrës Milinkovic-Savic. Ky i fundit nuk ia doli ta spastronte topin siç duhej, duke e kthyer në të njëjtën zonë ku ishte më parë.

Vojvoda u pa i hutuar teksa Celik doli fitimtar ndaj tij. Mandej u krijua një tollovi e madhe. Topi qëndroi për disa sekonda në atë rrëmujë, kur më pas ishte Cristante ai që me një depërtim të thjeshtë kaloi mes këmbëve të mbrojtësit "dardan" duke sulmuar zonën e Torinos, para se topi të dilte në rivënie këndore.

Në ato çaste është parë mesfushori italian, Ricci, teksa qortonte Vojvodën për një situatë të pavolitshme që edhe një herë e kishte futur ekipin e tij.

Ndërkohë Juric ftoi mbrojtësin këmbëshpejtë Singo që të përgatitej për t’u inkuadruar në fushë. Nuk kaluan më shumë se pesë minuta dhe Torino kërkoi që ta bënte zëvendësimin e parë.

Nuk dihej se për çfarë arsye po bëhej ky zëvendësim dhe se kush do të largohej nga loja. Fillimisht u aludua nëse Lazaro kishte ndonjë tërheqje muskolare. Ashtu nuk ndodhi.

Me t’u sinjalizuar numri 27, u nënkuptua që Vojvoda po merrte ndëshkimin e pastër nga trajneri për lëshimet e bëra në fushë.

Natyrisht, mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës për asnjë moment nuk dëshmoi ndonjë çalesë në të vrapuar ku do të mund të hamendësonim në ndonjë lëndim potencial.

Për ta përkrahur dhe inkurajuar atij iu afrua mesfushori Ricci, duke u solidarizuar me të në atë moment të keq, pasi zëvendësimet në pjesën e parë nga trajnerët për zgjedhje teknike nuk janë të lehta për t’u kapërdirë për asnjë lojtar.

Mërgim Vojvoda po vazhdon të qëndrojë i heshtur pas këtij episodi. Ai as nuk ka shkruar ndonjë fjalë në profilet e tij në rrjetet sociale apo as nuk është prononcuar për ndonjë medium.

Gozhdimi i hapur i Juricit ndaj Vojvodës

Me të përfunduar ndeshja për transmetuesin italian të Serie A, “DAZN”, u prononcua trajneri kroat i Torinos, Ivan Juric.

Ndër pyetjet e para që iu parashtruan atij ishin renditja e arsyeve se përse e detyruan atë që të bënte një zëvendësim aq të pazakonshëm dhe të shpejtë, duke larguar në minutën e 30-të nga loja Vojvodën për ta inkuadruar Singon.

Përgjigja ishte e prerë dhe e qartë nga ana e tij: “Po, Vojvoda u largua nga loja për zgjedhje teknike. Nuk më pëlqeu aspak se çfarë po bënte."

Ky vit ka qenë i vështirë për mbrojtësin 28-vjeçar. Ai ka qenë i penalizuar nga tre lëndime muskulore në tre periudha të ndryshme kohore (maj – qershor; korrik – gusht; tetor- nëntor).

Për shkak të lëndimeve ai ka humbur edhe dy grumbullimet kyçe të Kosovës, ato të qershorit dhe shtatorit, kur u zhvilluan edhe ndeshjet e Ligës së Kombeve.

Mërgim Vojvoda në Serie A këtë sezon ka luajtur nga minuta e parë vetëm në katër ndeshje. Në pjesën tjetër të ndeshjeve ose ka munguar për shkak të lëndimeve, ose është futur në lojë në pjesët e dyta. Ndjesinë e fundit e ka provuar pesë herë, ndërsa në tre raste tjera ka qëndruar në bankinë pa u futur fare në lojë.

Gjatë kësaj periudhe po zhvillohen edhe negociatat mes Torinos dhe përfaqësuesve të Vojvodës për vazhdimin e kontratës. Deri tani duket proces i mbetur pezull. Kontrata e tij me Torinon është e vlefshme deri në verën e vitit 2024.

Nëse nuk do të arrihet që të gjendet një gjuhë e përbashkët për ta vazhduar bashkëpunimin, atëherë me shumë mundësi mund të konstatohet se ky, aktuali, mund të jetë sezoni i fundit i Vojvodës me ekipin italian.

Lajme të ngjashme