Trajneri i Torinos i ashpër: E largova Vojvodën për arsye teknike, nuk më pëlqeu çfarë po bënte - NACIONALE

Trajneri i Torinos i ashpër: E largova Vojvodën për arsye teknike, nuk më pëlqeu çfarë po bënte

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Trajneri i Torinos, Ivan Juric e ka pranuar haptas se largoi nga fusha mbrojtësin Mërgim Vojvoda për arsye teknike.

Zhvillohej minuta e 30-të në fushë në ndeshjen mes Romës dhe Torinos, ku tekniku kroat vendosi ta zëvendësojë nga fusha Mërgim Vojvodën, duke inkuadruar Wilfried Singo.

Pas barazimit në fund, Juric ka bërë të ditur se nuk po i pëlqente mënyra si po luante Vojvoda, prandaj vendosi ta largojë.

"Vojvoda u zëvendësua për arsye teknike? Po, nuk më pëlqeu aspak çfarë bëri", ishte përgjigja e tij e shkurtër".

Kjo padyshim ishte befasi për të gjithë, pasi që Vojvoda një xhiro më parë ishte në formë të shkëlqyer ndaj Sampdorias, ku zhvilloi 90 minuta duke dhuruar një asistim.

Përndryshe, kosovari që prej lëndimit që ka pësuar ende nuk ka gjetur formën më të mirë të mundshme. Këtë edicion, ka zhvilluar vetëm nëntë ndeshje në kampionatin italian.

Prej tyre, vetëm katër herë ka bërë paraqitje të plotë, derisa në pesë të tjera ka qenë inkuadrues. Përpos kësaj, ai tre herë ishte në stol, derisa tre sfida tjera i humbi shkaku i lëndimeve muskulore.

Kujtojmë, se Mërgim Vojvoda edicionin e kaluar kishte qenë i lidhur me largimin nga klubi i Torinos, me rivalin AC Milan të interesuar.

Një gjë të tillë e patë konfirmuar edhe agjenti i tij, por që një marrëveshje e tillë asnjëherë nuk ndodhi pasi Juric e bindi të qëndrojë te Torino. Po ashtu, iu nevojiten muaj që të shërohet nga një lëndim.

Mërgim Vojvodës i skadon kontrata me Torinon pas më pak se dy viteve, pra më 1 qershor 2024.

Lajme të ngjashme