Mërgim Vojvoda mahnit te Torino ndaj Leece dhe vlerësohet si lojtari i ndeshjes
Ylli i Kombëtares së Kosovës, Mërgim Vojvoda ka zhvilluar ndeshjen më të mirë për këtë edicion te Torino, kundër Leece duke u vlerësuar edhe si lojtarit të ndeshjes.
Pas shërimit nga lëndimi, Vojvoda për herë të parë këtë edicion zhvilloi një ndeshje të plotë dhe ishte thjeshtë i jashtëzakonshëm ndaj Leece.
Ai kishte luajtur vetëm disa minuta në dy xhirot e fundit, pra 45 minuta ndaj Atalantas, ndërsa 35 minuta kundër Cremonese pasi sapo ishte rikthyer nga lëndimi që e mbajti jashtë fushës për disa muaj.
Ditën e hënë trajneri Ivan Juric i besoi Vojvodës nga minuta e parë dhe mbrojtësi 'dardan' ia shpërbleu besimin me një super paraqitje ndaj Leece.
Fillimisht Vojvoda e nisi shumë mirë në mbrojtje duke mos lejuar mysafirët të krijojnë aksione në anën e tij, e nisi edhe kundërzbritje të shpejta.
Zhvillohej minuta e 40-të e takimit, kur Vojvoda me një asistim maestral gjeti kroatin Nikola Vlasic, duke e vendosur përballë portierit që pastaj e kishte të lehtë të shënonte nga afërsia (40').
Kjo paraqitje e mirë e Vojvodës vazhdoi edhe gjatë 45-minutëshit të dytë, duke qenë i saktë me pasime me një përqindje të lartë prej 86 (38 nga 44 që provoi) dhe duke pasur siguri të madhe kur kishte në kontroll topin.
Në fakt, kosovari kishte edhe një rast të artë të vuloste fitoren e Torinos tre minuta pa përfunduar koha e rregullt, duke gjuajtur në korner të portës, mirëpo Wladimiro Falcone bëri një super pritje që t'ia mohojë golin.
Padyshim kjo ishte njëkohësisht pritja më e mirë e ndeshjes, pasi duke marrë parasysh këndin dhe pozitën, jo shumë portierë mund ta ndalnin.
Sidoqoftë, ky rast i humbur nuk kishte ndonjë vlerë në paraqitjen e Vojvodës, që në fund të ndeshjes u vlerësua si më i miri në fushë.
Mediumet e njohura si "Whoscored" (7.5) dhe "Fotmob" (7.9), i dhanë Vojvodës notën më të lartë në fushë duke e shpallur si futbollisti i ndeshjes.

Për Vojvodën që ka zhvilluar tre ndeshje këtë edicion në Serie A, ka të regjistruar dy asistime.
Fatmirësisht për Kosovën, mbrojtësi është duke gjetur formën më të mirë që do të nevojitet për ndeshjet e shtatorit.
