Lëndohet edhe Lirim Kastrati, rrezikon të mungojë për ndeshjet e shtatorit te Kosova - NACIONALE

Lëndohet edhe Lirim Kastrati, rrezikon të mungojë për ndeshjet e shtatorit te Kosova

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Mbrojtësi i krahut i Ujpest, Lirim Kastrati do të jetë jashtë fushës për disa javë pas lëndimit që pësoi në sfidën e fundit.

Kosovari si zakonisht ishte titullar te skuadra hungareze, por që u detyrua të largohet nga fusha pas vetëm 19 minutave lojë shkaku i një lëndimi jo të lehtë në humbjen e thellë nga Ferencvaros (0:6).

E shkaku i këtij lëndimi, Kastrati do të jetë jashtë fushës për disa javë e rrezikon edhe të jetë një tjetër mungesë e Kombëtares së Kosovës për ndeshjet e shtatorit.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, mbrojtësi nga Malisheva konfirmoi se do të mungojë për disa javë.

"Shumë i mërzitur dhe zhgënjyer për përfundimin e ndeshjes së djeshme. I kërkoj falje tifozëve për ndeshjen e djeshme".

"Duhet të mungoj disa javë shkaku i lëndimit. Shpresoj që të shërohem me kohë, sa më parë të jetë e mundur dhe të rikthehem që ta rikthej Ujpest për vendin ku kujtohet sërish".

"Faleminderit të gjithëve për mesazhet", shkroi ai.

Tjetër lojtar që rrezikon të mungojë te Kosova në shtator?

Fatkeqësisht numri i futbollistëve që rrezikojnë ta përfaqësojnë Kosovën në ndeshjet e shtatorit është duke shkuar gjithmonë e më poshtë.

Lojtarët tanë që janë ftuar zakonisht te ekipi A, nuk janë duke kaluar formën më të mirë e disa kanë pësuar lëndime.

Portieri i Burnley, Arijanet Muric ka pasur probleme këto ndeshjet e fundit, sulmuesi i Lilles, Edon Zhegrova u lëndua në xhiron e fundit, e tani kësaj liste i shtohet edhe Kastrati, që në qershor zhvilloi minuta të mirë në mungesë të Florent Hadërgjonaj e Mërgim Vojvodës.

Padyshim duhet përmendur edhe fakti i disa lojtarëve që po kalojnë një formë jo të mirë, si Milot Rashica që nuk është ftuar në tre ndeshjet e fundit nga trajneri i Norwich Cityt, Dean Smith.

Po ashtu, situatë jo e mirë është edhe te mesfushori Valon Berisha që ka bërë një hap mbrapa në karrierë, duke iu bashkuar skuadrës australiane Melbourne City nga Reims.

Ndërkohë, kujtojmë se Kosova zhvillon dy ndeshje zyrtare në muajin shtator, kundër Irlandës Veriore më 24 shtator, e tre ditë më vonë do ta mirëpret Qipron në “Fadil Vokrri”.

Ditëve në vijim do të konfirmohen edhe miqësoret e Kosovës, njëra prej tyre veçse dihet ndaj shtetit të ri të Greenland, por që ende nuk është bërë zyrtare.

Lajme të ngjashme