Dardani i javës: Aro Muric me paraqitjen e fundit mbresëlënëse bëri për vete të gjithë - NACIONALE

Dardani i javës: Aro Muric me paraqitjen e fundit mbresëlënëse bëri për vete të gjithë

4 vjet më parë

nga Shpend Thaçi

Aro Muric ka zhvilluar një paraqitje të madhe kundër WBA në udhëtim gjatë mbrëmjes së premte, duke qenë kështu lojtari dardan që spikati më së shumti gjatë javës që lëmë pas.

Portieri 23-vjeçar vuajti nga dhimbjet në shpatullën e majtë gjatë tërë javë së shkuar, por pavarësisht frikës fillestare, ia doli që të rikuperohej në kohë rekord, duke qenë kështu i gatshëm për ndeshjen kundër WBA.

Anipse luajti nga minuta e parë, dhimbjet në krah ende iu rikthyen atij, duke u zëvendësuar për herë të dytë, në dy ndeshje radhazi para përfundimit të 90 minutave.

Në çdo rast nga kampi i Burnley janë shprehur optimistë se nuk mendojnë që është diçka serioze. Një frymëmarrje edhe për Kosovën, që me të drejtë i druhej një mungese të tij në dy ndeshjet e fundit që do t’i luajnë “dardanët” në Ligën e Kombeve pas tri javësh.

Paraqitja për kartolinë nga Aro Muric kundër WBA

Aro Muric ka qenë një mur i vërtetë për WBA, pasi londinezët ushtruan presion dhe sulme të njëpasnjëshme drejt portës së tij pareshtur.

Pritjen e parë e bëri në minutën e 7-të të takimit, duke ndalur një goditje nga jashtë zona e rreptësisë, të cilin e bëri fantazisti i “albionëve”, Swift. Portieri kosovar pa telashe arriti që ta kapte topin.

Sidoqoftë, në minutën e 21-të Muric dëshmoi se ishte në elementin e tij më të mirë, kur një kombinim i realizuar mirë i vendësve mes dy mbrojtësve të krahut, prodhoi në fund një goditje të Townsend, të cilit portieri kosovar ia mohoi golin, pasi goditi nga afërsia e ngushtë para portës.

Për fatin e mirë të Burnley ata e gjeten golin në minutën e 30-të me sulmuesin Rodriguez, duke i kaluar në epërsi. Megjithatë, ende lojtari kryesor që po i mbante gjallë shpresat e mysafirëve ishte Muric.

Në minutën e 32-të një aksion vetanak mjaft i mirë i zhvilluar nga krahu i djathtë nga Wallace, zuri në befasi mbrojtjen e Burnleyt, por jo edhe portierin 23-vjeçar, i cili shfaqte reflekset e mira, duke ia neutralizuar atij goditjen, për ta shpirë në këndore.

Në minutën e 43-të WBA përmes ekzekutimit të një goditjeje standarde, duke përdorur skemën me harkim në brendi të zonës, u përpoq që ta gjente rrugën e golit, por edhe në këtë rast portieri i Kombëtares së Kosovës u tregua syhapur, duke kapur topin.

Paraqitje magjepse e Muricit vazhdoi. Ai ishte gjithmonë në presion nga sulmet e vazhdueshme të vendësve.

Harwood-Bellis në minutën e 44-të me anë të një pasimi tokazi gjeti mjaft mirë Wallace. Ky i fundit me t’u afruar në 16-metërsh liroi një goditje të fuqishme me të majtë, por një devijim me dorën e majtë nga Muric ishte përcaktues, për të bërë që topi të prekte në shtyllën e parë pingule, duke kaluar kështu rrezikun për Burnleyn. Kësisoj, skuadrat shkuan në pushim të pjesës së parë me rezultatin 0:1 në të mirë të mysafirëve.

Pjesa e dytë ishte më me pak punë për portierin “dardan”, por ai gjithmonë vazhdoi të ishte në qendër të detyrës. I tillë u dëshmua edhe në minutën e 66-të, kur lexoi mjaft mirë një kombinim mes Churlinov dhe Gudmundsson, kur ky i fundit goditi me të majtën e çekuilibruar të tij, duke bërë që topi të përfundonte në duart e portierit shtatlartë.

Kjo ishte pritja e fundit ndaj një goditjeje kërcënuese që u bë në drejtim të kornizës së katërkëndëshit të tij. Në minutën e 83-të ai doli nga loja, kur rezultati vijonte të ishte 0:1 dhe Burnley ishte një fije peri larg sigurimit të një fitoreje mjaft të çmuar. Për ironi të fatit, me të dalë nga loja, respektivisht në minutën e tetë shtesë të akorduar nga gjyqtari, WBA gjeti golin e barazimit, duke mbyllur shifrat e ndeshjes në 1:1.

Statistikat ngazhëllyese të Aro Muricit në ndeshjen e fundit

Aro Muric nuk pati aspak punë të lehtë kundër WBA. Porta e tij ishte gjithnjë në shënjestër të sulmeve kundërshtare. Plot 17 herë WBA u shfaq kërcënues, por portieri kosovar ishte tejet në formë të mirë për t’i mënjanuar rreziqet. Në të gjitha goditjet që u bënë në kuadratin e portës, ai ia doli t’i neutralizoi, duke mbyllur ndeshjen me një efikasitet të lartë të pritjeve prej 100%.

Prej të gjitha këtyre sulmeve nga WBA, dy ishin rastet kur prodhuan pritje sensacionale nga portieri kosovar. Për më tepër ai ishte shumë syhapur edhe sa i përket leximit të situatave tjera, si harkimet që u bënë në drejtim të zonës së 16-metërshit të tij. Në dy harkime të rrezikshme, ai ia doli që të dilte dhe ta kapte topin, pa i kanosur skuadrës rreziqe të tjera për të pësuar gol.

Nëse në të kaluarën bënte disa gabime në pasime të shpejta, të pakontrolluara mirë, kjo ishte ndeshja e dytë që tregoi se edhe në këtë element ka shënuar pjekuri. Në asnjë prej pasimeve të shkurtra nuk gaboi ndaj WBA. Me saktësi të mbrehtë ishte edhe sa i përket pasimeve me duar, ku në tri raste, u shfaq 100% i saktë.

Saktësia edhe sa i përket pasimeve të të gjitha llojeve me këmbë (pasime të shkurtra, pasime me distancë të mesme dhe të gjata) gjatë kohës kur topi ishte në aksion, ishte për çdo lakmi. Në të rasteve 93% u tregua i saktë.

Të gjitha këto detaje arsyetojnë në tërësisht formën tejet të mirë që po kalon Aro Muric gjatë kampionatit, pavarësisht disa luhatjeve që ka dëshmuar në ndonjë prej tetë ndeshjeve të luajtura – ai në shumicën e herëve ka qenë ndër lojtarët më të mirë të skuadrës së tij, për çka ka marrë lëvdata edhe nga stafi teknik.

Ndryshe, pas javës së tetë të luajtur në divizionin e dytë anglez, Championship, Burnley zë vendin e pestë në tabelë me 13 pikë të tubuara ose katër pikë më pak sesa Sheffield United që zë vendin e parë.

Lajme të ngjashme