Ngarendja e Zhegrovës: Lëndime, gjashtë minuta lojë në tetë javët e fundit dhe humbja e pozitës së titullarit
Për Edon Zhegrovën nuk ka nisur sezoni në formën më të përkryer të mundshme. Sulmuesi kosovar ka vetëm gjashtë minuta lojë në tetë javët e fundit. Lëndimet dhe forma e Adam Ounasit kanë ndikuar që të bie nën hije.
Vetëm 7 milionë euro i kushtoi Lillet kartoni i sulmuesit kosovar në afatin kalimtar dimëror të fillimit të vitit 2022. Kalimi nga Baseli ishte i bujshëm, ngase në sezonet e fundit Zhegrova nuk kishte qenë çdoherë lojtar titullar në ekipin helvet.
Çmimin e paguar nga klubi francez Zhegrova e legjitimoi përmes paraqitjeve që bëri në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar. Mbase 23-vjeçari po përjetonte shkëlqimin më të madh gjatë karrierës së tij në pranverë.
Me të drejtë filloi të profilizohej edhe si lojtari kyç i Kombëtares së Kosovës. I tillë ishte në atë hark kohor. I tillë u dëshmua edhe në dy grumbullimet e para nën drejtimin e përzgjedhësit Alain Giresse, gjegjësisht në mars dhe qershor, kur shënoi edhe një gol.
Një seri lëndimesh ndikuan që ai gradualisht të mos arrinte ta mbante një linjë të formës. Kjo vihet re edhe në sezonin aktual, ku është aktivizuar vetëm gjashtë minuta në tetë javët e fundit.
Lëndimi muskulor që pranoi më 4 shtator në ndeshjen ndaj Montpellier e detyroi që të dilte nga fusha. Kësisoj, nuk ishte në gatishmëri për të luajtur në tre ndeshjet pasuese në kampionat. Ky lëndim i kushtoi edhe me mosgrumbullim me “dardanët” në dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve që u zhvilluan në shtator.

Ndërkaq në tre ndeshjet e fundit ai është lënë në bankë rezervë, duke u shfrytëzuar vetëm ndaj Strasbourgut para dy javësh në minutat e fundit të takimit. Kurse në ndeshjen e javࣙës së kaluar ndaj Monacos, sado ekipi i drejtuar nga Fonseca bëri tre zëvendësime në pjesën e dytë – nuk pati hapësirë edhe për Zhegrovën.
Ish-trajneri i Romës, Fonseca, nga fillimi i këtij sezoni ka marrë udhëheqjen e ekipit. Deri më tani Zhegrovën e ka inkuadruar vetëm tri herë në formacionin bazë. Në rastet tjera ose ka munguar për shkak të lëndimeve apo thjesht për arsye teknike është lënë stol.
Ngritja i Ounas si faktor i ngarendjes së Zhegrovës
Lille më 1 shtator zyrtarizoi transferimin e sulmuesit Adam Ounas. Ky moment kishte interferim edhe te sezoni i Zhegrovës, pasi futbollisti algjerian pati impakt të menjëhershëm në skuadër.
Aryseja pse interferoi shumë te Zhegrova, përtej lëndimeve të këtij të fundit, është se përfaqësuesi algjerian mbulon të njëjtën pozitë në fushë me atë të Zhegrovës: sulmuesin e krahut të djathtë.
Paraqitjet e tij ishin bindëse në javët e fundit, saqë fitoi edhe çmimin e futbollistit të muajit shtator të ekipit të Lillet. Nga ajo që vërehet në këtë fillim të epokës së Fonsecas si trajner i klubit francez, tek Ounas ai ka një besim të madh, të cilin e deklaron vazhdimisht.

Zhegrova posedon aftësi të larta teknike, por njëra prej të metave të tij më të mëdha që është nënvizuar kaherë është mos të qenët polivalent. Thënë troç, në asnjë pozitë tjetër të fushës nuk shkëlqen njësoj sikurse në krahun e djathtë.
Me një lojtar në formë të konsiderueshme siç është Ounas momentalisht, kjo ia vështirëson akoma edhe më shumë impaktin në skuadër.
Pak dromca shpresa për këtë fundjavë
Kjo fundjavë mund të jetë një pikë kthese për Edon Zhegrovën nëse i referohemi gjendjes së lojtarëve në infermierinë e klubit të Lille.
Vetë Fonseca gjatë ditës së djeshme bëri të ditur që është e paqartë prania e Ounas në fushë gjatë ndeshjes që ekipi i tij do ta luajë të dielën mbrëma ndaj Lyonit.
Futbollisti algjerian ka pësuar një lëndim, të cilin e ndiente prej kohësh, por akoma nuk dihet se për çfarë shkalle po flasim dhe nëse vërtet do të arrijë të grumbullohet.
Emri i Edon Zhegrovës po përmendet si një alternativë e çmuar nga shtypi francez për formacionin bazë. Cilësitë që ai ka demonstruar trajnerit paraprak, Galtier, njëherësh trajnerit të sotëm të PSG, 23-vjeçari kosovar pret që t’i jepet akoma e më shumë rasti që t’ia vë në dukje edhe trajnerit aktual.
Kujtojmë se Zhegrova në gjashtë ndeshje sa është paraqitur në këtë sezon nuk ka arritur që të shënojë ndonjë gol apo të dhurojë ndonjë asist.


