Edon Zhegrova: M'u deshën 10 sekonda ta pranoj ftesën e Kosovës, nuk krahasohem me këta që e refuzojnë - NACIONALE

Edon Zhegrova: M'u deshën 10 sekonda ta pranoj ftesën e Kosovës, nuk krahasohem me këta që e refuzojnë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sulmuesi Edon Zhegrova ka reaguar ashpër lidhur me futbollistët që janë duke refuzuar Kombëtaren e Kosovës.

Anësori i Lilles nuk është pjesë e listës së përzgjedhësit Alain Giresse shkaku i lëndimit që pësoi te skuadra franceze.

Sidoqoftë, këto javët e fundit nuk kanë qenë fare të mira për Kosovën, me lojtarët që janë duke refuzar haptas ftesat, ndërsa disa as nuk po i hapin telefonat.

"Vetëm nëse e doni dhe mund ta ndjeni këtë shtet, mund të luani për Kosovën. Jam një mijë herë më i mirë ose nuk krahasohem me të gjithë këta lojtarë që nuk e pranojnë Koosvën dhe unë kisha nevojë vetëm për 10 sekonda të pranoj shtetin tim sepse zemra ime e ndjen".

"Nëse nuk e don shtetin tënd, nuk je pjesë e saj. Kjo është për të gjithë ata që mendojnë që janë dikushi. EZH", shkroi Zhegrova, duke shtuar një foto me flamurin e Kosovës dhe fanellën e Lilles.

Përpos Zhegrovës, edhe përzgjedhësi Alain Giresse në konferencën e fundit për media u ankua që lojtarët po e refuzojnë.

Tekniku francez tregoi haptas se lojtarët si Elvis Rexhbecaj dhe Mërgim Berisha as nuk po i hapin telefonat.

“Nuk është e lehtë, çfarë mendoni ju çfarë bëjmë ne, natyrisht se i fitojmë lojtarët por mos mendoni që na e hapin dorën. Kurtulus ma dërgoi një mesazh, trajner e kam zgjedhur Suedinë dhe jam i lumtur. Në momentin që një lojtar ta mbyllë derën ne nuk merremi më me të, neve na interesojnë lojtarët që tregojnë dëshirë për të ardhur te ne. Nuk kemi mbërritur deri në atë pikë për të marrë një përgjigje po ose jo (nga Mërgim Berisha dhe Elvis Rexhbecaj)”, theksoi shkurtimisht ai.

Dëshira e madhe e Zhegrovës që të jetë i gatshëm për Kosovën, por i pafat

Edon Zhegrova punoi tepër shumë që të jetë i gatshëm për dy ndeshjet e Kosovës, por që assesi nuk ia arriti.

Në fakt, ylli i Lilles punoi aq shumë dhe provoi deri në fund t’i bind stafin mjekësorë të klubit francez që ta lejojnë të luajë së paku kundër Qipros, mirëpo ankesa iu refuzua sërish, kështu raportoi dje ekskluzivisht gazeta Nacionale.

Kujtojmë, se Kosova do të zhvillojë dy ndeshje brenda këtij muaji, atë ndaj Irlandës Veriore më 24 shtator, ndërsa tre ditë më vonë do ta pres Qipron në “Fadil Vokrri”.

Lajme të ngjashme