Zhegrova i rikthehet fushës, aktivizohet për disa minuta në fitoren e Lillet në kampionat
Edon Zhegrova më në fund i është rikthyer fushë së blertë. Ai u aktivizua nga minuta e 84-të në ndeshjen e sontme që Lille e fitoi 3:0 në udhëtim ndaj Strasbourgut.
Futbollisti kosovar, Edon Zhegrova, pas pesë javësh sa qëndroi në rikuperim e sipër ndaj lëndimit që kishte pësuar në ndeshjen e Montpellier - arriti që t'i fitojë minutat e para sonte, kur Fonseca vendosi që të inkuadrojë në minutën e 84-të në vend të Cabella.
Ky i fundit katër minuta më herët shënoi golin e tretë në ndeshje për Lille. Në pozitën natyrale të Edon Zhegrovës gjatë javëve të fundit ka luajtur ish-sulmuesi i Napolit, Ounas.
SUBS 🔄
— LOSC (@LOSC_EN) October 14, 2022
↩️ @tiagodjalo_3, @RemyCabella, André
🔛 Alexsandro, Zhegrova, Martin
🔵 0-3 🤍 #RCSALOSC#LOSC | @Ligue1_ENG
Lëndimi i pësuar në fillim të muajit shtator ishte bërë shkas që Zhegrova të mos arrinte të grumbullohej me Kombëtaren e Kosovës në ndeshjet që kjo e fundit i kishte në program gjatë fundit të muajit shtatorit.
Deri më tani Edon Zhegrova akoma nuk ka arritur që të zhbllokohet në kampionat sa i përket realizimit të golave.
Thuajse gjysmën e ndeshjeve deri më tani i ka humbur për shkak të pengesave që ka pasur me gjendjen fizike të tij.
Edon Zhegrova është vlerësuar me paraqitje të mira edhe nga vetë tifozët e Lillet. Të qenët një lojtar që krijon superioritet numerik përmes depërtimeve, ka shtyrë që publiku francez të zbavitet me lëvizjet e tij teknike në fushë.
Ai që nga fillimi i këtij viti kalendarik i është bashkuar Lillet, duke u transferuar nga Basel. Me klubin francez ka nënshkruar një kontratë katër-vjeçare.
Duhet thënë që jo gjithmonë ka mundur ta përforcojë pozitën e titullarit, duke u lënë shpesh edhe në bankë rezervë, pavarësisht gjendjes së tij fizike.
Te Kombëtarja e Kosovës ka spikatur me paraqitje të mira veçmas në kohën e fundit sa është emëruar përzgjedhës Alain Giresse. Tërë kjo më shumë si reflektim i faktit që luan në një nivel më të lartë prej që ka kaluar te Lille sesa që ka ndikuar shumë ndryshimi në stafin teknik të ekipit kombëtar “dardan” nga Bernard Challandes te përzgjedhësi francez, Giresse.
