Muriqi nuk gjen më dot golin, futet në mini krizë prej katër ndeshjeve pa shënuar në La Liga - NACIONALE

Muriqi nuk gjen më dot golin, futet në mini krizë prej katër ndeshjeve pa shënuar në La Liga

1 vit më parë

nga Shpend Thaçi

Kur kanë kaluar tri javë nga rikthimi i La Ligas pas pauzës të Kupës së Botës, Vedat Muriqi gjen vetën në agjërim të golave. Ai nuk ka arritur të shënojë dot gol në këtë periudhë kohore, çka është tregues i një mini krize në të cilën është futur.

Mallorca po vazhdon që disi të nxjerrë pikë, edhe pse pa shkëlqyer, por këtë po e bën pa “piratin” e saj. Vedat Muriqi nuk po ia del që të jetë i dobishëm dhe shpëtimtari i madh i kësaj skuadre, siç ishim mësuar në pjesën e parë të sezonit.

Sulmuesi kosovar mbrëmë luajti për 84 minuta në fushë, në fitoren që Mallorca e arriti me mund kundër Celta Vigos, respektivisht me rezultat 1:0.

Mirëpo, përtej faktit që nuk po e gjen më dot golin, shqetësim për tifozët e skuadrës ishullore spanjolle përbën edhe një shkëlqim i mangët që po vërehet në fushë nga përfaqësuesi kosovar.

I lexueshëm në aksionet e tij, i parrezikshëm për mbrojtjen kundërshtare dhe – me raste -edhe i ngathtë, siç u dëshmua në ndeshjen e mbrëmshme në rastin e vetëm për gol që pati në minutën e 51-të, kur goditi me këmbën e djathtë brenda zonës së 16-metërshit, por topi përfundoi larg mbi portë.

Trajneri i Mallorcas i pashqetësuar

Trajneri meksikan i Mallorca, Javier Aguirre, kur është pyetur të premten rreth kësaj mini krize në të cilën është futur Muriqi – deklaroi se për të asgjë nuk ka ndryshuar dhe se vazhdon ta shohë me sy pozitiv formën e sulmuesit kosovar.

“E shoh njësoj sikur më parë. Kjo situatë po ndodh sepse nuk na janë akorduar më penallti. Nuk kemi pasur goditje të mjaftueshme. Kështu që, të tjerët kanë shënuar gol. Mirëpo, unë e shoh njësoj. Prapëseprapë njësoj është i përfshirë, i angazhuar dhe i lumtur brenda zhveshtores”, tha ai.

Aguirre është meritor që ka arritur t’ia rikthejë Muriqit vetëbesimin, duke bërë që edhe një herë të ishte frytdhënës para golit, pas një periudhe të errët që përjetoi në dyvjeçarin 2020/2022 te Lazio.

Ai vazhdon ta konsiderojë si një thesar të çmuar të ekipit dhe shpreson që do të mund t’i rrisë golat e shënuar për skuadrën gjatë ndeshjeve në vijim.

“Është një thesar për ne. Ai është njëri nga lojtarët më të dashur të tifozëve dhe të stafit teknik. Shpresojmë që do të mund të shënojë ca gola për të vazhduar kështu që ta rrisë sasinë e tyre”, u shpreh ai.

Sezon produktiv

Pavarësisht kësaj ecurie që po gëzon tani, sulmuesi “dardan” ka një bilanc të mirëfillët për momentin në La Liga sa i përket statistikave. Ai ka shënuar 8 gola në 15 paraqitje, duke kontribuar edhe me një asist tjetër.

Po kaq produktiv ka qenë edhe në Kupën e Mbretit, ku ka arritur të shënojë një gol dhe një asist në dy paraqitje, anipse nuk ka qenë startues, por është futur në fund të ndeshjeve respektive.

Në Kupën e Mbretit Mallorca u eliminua gjatë mesjavës, pas humbjes 1:0 që pësoi në udhëtim kundër Real Sociedadit. Muriqi tani e tutje do të jetë i fokusuar vetëm në kampionat për t’ia mundësuar ekipit të tij që të shpëtojë pa rënë nga kategoria, njësoj siç bënte në sezonin paraprak.

Gjasat janë të mira, pasi pozicionimi i tanishëm në renditjen tabelore është optimal. Falë 25 pikëve të siguruara, Mallorca aktualisht gjen vetën në mesin e tabelës, respektivisht në pozitën e 10-të.

Distanca me zonën e mbijetesës është prej 9 pikësh, e që mund të konstatohet se është relativisht e madhe. Tani shpresat e ishullorëve janë që ta rigjejnë edhe një herë formën më optimale të “piratit” të tyre. Kujtojmë se në një agjërim të ngjashëm golash Muriqi kishte hasur edhe në sezonin e shkuar.

Madje, ai për gjashtë ndeshje rresht nuk shënonte në kampionat, në një periudhë goxha të gjatë: nga 26 shkurti deri më 9 prill asnjë gol në La Liga.

28-vjeçari gjatë verës së shkuar nënshkroi kontratë pesëvjeçare me Mallorcan, pas arritjes së një ujdie të vështirë me Lazion. Odiseadë kjo që zgjati me muaj të tërë, e që përfundoi me blerjen e kartonin për 7,7 milionë euro klubi spanjoll, i cili ishte i kënaqur me periudhën sa kishte pasur në radhët e veta si të huazuar sulmuesin prizrenas, gjegjësisht në pjesën e dytë të sezonit 2021/2022.

Lajme të ngjashme