“Sulmues vrastar”: Gazeta e madhe spanjolle ia dedikon Muriqit një artikull me plot lëvdata - NACIONALE

“Sulmues vrastar”: Gazeta e madhe spanjolle ia dedikon Muriqit një artikull me plot lëvdata

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gazeta e madhe sportive spanjolle, “AS”, ka publikuar një shkrim në superlativ për Vedat Muriqin. Sipas të përditshmes në fjalë, Valladoidin e pret sot një ndeshje e vështirë, pasi duhet ta neutralizojë një sulmues vrastar siç është Muriqi.

Sot, me fillim në ora 18:30, Mallorca luan në shtëpi kundër Valladoidit. Vedat Muriqi rikthehet në aksion në La Liga, aty ku në këtë sezon ka lënë mbresa shumë të mira.

Kësisoj, gazeta e madhe sportive spanjolle, “AS”, ka shkruar se Valladoidi sot do t’i bëjë llogaritë ndaj një sulmuesi shumë kërcënues siç di të jetë 28-vjeçari kosovar.

“Një vijë defansive inovative ajo e Valladoid, që ka si për sfidë kalimin e një prove të rëndë: të ndalë Muriqin, një sulmues vrastar”
, shkroi “AS” në artikullin dedikuar për shkathtësitë e Muriqit që mund të jenë fatale për ekipin mysafir.

Gazeta spanjolle po ashtu ritheksoi faktin se si kishte qenë vendimtar përfaqësuesi kosovar gjatë kësaj mesjave në ndeshjen e Kupës së Mbretit. Me t’u inkuadruar ai në fund të ndeshjes, bëri të mundur që Mallorca të fitonte me rezultat 2:0 kundër Pontevedras.

Muriqi kontribuoi me një asist dhe një gol në ndeshjen në fjalë, duke ia siguruar ekipit ishullor kalimin në mesin e 16 skuadrave më të mira të Kupës së Mbretit.

Përgjithësisht ai ka lënë gjurmë me paraqitjet e tij në këtë njëvjeçar në futbollin spanjoll. Nëse ndalemi te edicioni i fundit i La Ligas, “Pirati” siç quhet ndryshe nga tifozët e vet të Mallorcas, ka shënuar plot 8 gola, duke u renditur në pozitën e dytë të golashënuesve, pasi vendin e parë e mban Lewandowski me 13 gola.

Lajme të ngjashme