Mirlind Kryeziu shënon gol, Fidan Aliti me paraqitje të tmerrshme kundër Qarabag - NACIONALE

Mirlind Kryeziu shënon gol, Fidan Aliti me paraqitje të tmerrshme kundër Qarabag

3 vjet më parë

nga Shpend Thaçi

Zurich pësoi humbje me rezultat 3:2 në ndeshjen e zhvilluar në udhëtim ndaj Qarabag, e vlefshme për rrethin e dytë në Ligën e Kampionëve. Mirlind Kryeziu shënoi gol, kurse Fidan Aliti bëri paraqitje katastrofike.

Kampioni në fuqi i Zvicrës, Zurich, tek sot e nisi aventurën në Ligën e Kampionëve. Skuadra zvicerane u mposht me rezultat të ngushtë ndaj Qarabag. Azerët meritonin më shumë dhe mund të thuhet se rezultati nuk ishte pasqyrë e vërtetë e asaj çfarë u pa në fushë.

Në këtë ndeshje nga minuta e parë luajtën edhe binomi mbrojtës i Kombëtares së Kosovës, Fidan Aliti dhe Mirlind Kryeziu.

Që të dy hasën në vështirësi të theksuara gjatë ndeshjes. Mirëpo, Mirlindi ishte më stabil dhe me raste tregoi disa lëvizje të mira.

Fidan Aliti me paraqitje shumë të dobët

Mbrojtësi kosovar, Fidan Aliti, kishte shumë problem që t'i neutralizonte sulmet e azerëve gjatë mbrëmjes së sotme.

Paraqitja e tij e sotme ishte tejet e zbehtë. Tregoi jo-stabilitet gjatë gjithë ndeshjes. Për më tepër, te goli i dytë i pranuar nga Qarabag, katranosi gjithçka, duke dalë huq në një përpjekje zhagas për të ndërhyrë te topi.

Ozobic me këtë manovrim e bëri të dukej shumë keq. Këtë lëvizje të mahnitshme të mesfushorit kreativ azer, e përfundoi me gol sulmuesi senegalez Wadji në minutën e 36-të.

Duhet thënë që prej fillimit të ndeshjes, Aliti pati shumë probleme në markim të lojtarëve. Qarabag me pak fat mund ta mbyllte edhe me shifra të thella rezultatin e pjesës së parë, por fati ishte në të mirën e zviceranëve. Të njëjtën gjë e pranoi edhe transmetuesi helvet i ndeshjes, gjersa isha duke e parë ndeshjen.

Shumë më mirë Aliti nuk ishte as në pjesën e dytë. Madje, mund t'i faturohet një pjesë e fajit edhe për golin e fundit që pranoi Zurich, atë të tretin, pasi nuk ia doli ta bllokojë goditjen e Wadji, i cili dërgoi topin brenda kuadratit të portës në minutën e 66-të.

Fillimi i sezonit ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme për mbrojtësin 28-vjeç kosovar. Paraqitje të tillë të keqe e regjistroi edhe kundër Young Boys në ndeshjen e parë që Zurich zhvilloi në kampionatin zviceran për edicionin e ri 2022/2023, me ç'rast shënoi humbje me rezultat të thellë 4:0.

Mirlind Kryeziun e "amniston" goli

Mirlind Kryeziu shënoi gol, por nuk mund të thuhet që ishte çelik në mbrojtje. Aspak madje. Por, mbrojtësi kosovar pati disa momente gjatë ndeshjes ku tregoi cilësitë e veta.

Në pjesën e parë ekzekutoi një goditje të dënimit nga një distancë e gjatë, e cila ishte tejet e rrezikshme, pasi goditja e tij e fuqishme përfundoi zhagas në këndin e djathtë të poshtëm të portës. Portieri azer, Shahrudin Mahammadaliyev, falë një shkëputjeje të mirë, arriti që ta ndalojë goditjen e tij.

Mirëpo, Mirlindit mund t'i faturohet një pjesë e fajit te goli i dytë i pranuar. Kur Wadji shënoi golin për 2:0 në minutën e 36-të të ndeshjes, Mirlindi nuk ia doli që ta mbyllte atë siç duhej.

Në pjesën e dytë ishte më me vetëbesim dhe nxori skuadrën shpesh nga disa situata jo të lehta. Në fund, Mirlind Kryeziu mori përgjegjësinë për ta ekzekutuar penaltinë që Zurich e fitoi. Ishte minuta e 86-të kur Mirlindi la të shtangur portierin kundërshtar, për ta ngushtuar epërsinë në 3:2.

Përmbledhja e ndeshjes

Qarabag dominoi gjatë shumicës së kohës që u zhvillua ndeshja. Azerët kaluan në epërsi në minutën e 17-të me mesfushorin Kady.

Ndërkaq, në minutën e 36-të, Wadji dyfishoi epërsinë për 2:0. Ndërkohë, sulmet e Qarabag nuk kishin të rreshtur, por nuk arrinin të ishin pragmatikë para portës.

Në mënyrë të habitshme pjesa e parë përfundoi me të njëjtin rezultat, pa arritur që ta rriste atë Qarabag.

Në pjesën e dytë Zurich filloi të luante më me shumë personalitet. Lindrit Kamberi shënoi gol nga ndërprerja në minutën e 65-të, për ta ngushtuar rezultatin në 2:1.

Por, gëzimi i zviceranëve zgjati vetëm një minutë, sepse e menjëhershme ishte kundëpërgjigjja e Wadji, i cili riktheu kapitalin prej dy golave, duke shënuar për 3:1.

Zurich nuk mbeti i dorëzuar. U mundua që të krijojë ndonjë rast shënimi. Në fakt, faza e fundit e ndeshjes, ose 30 minutat e fundit, ishin më të mirat që u panë nga Zurich.

Në minutën e 86-të, Mirlind Kryeziu shënoi nga 11-metërshi, për të shënuar për rezultatin 3:2.

Ndeshja e kthimit do të luhet javën e ardhshme, saktësisht më 27 korrik.

Lajme të ngjashme