Mirlind Kryeziu: pritja e gjatë e lojtarit fjalëpak që zgjodhi Kosovën pa hezitim
Mbrojtësi me prejardhje nga Malisheva, Mirlind Kryeziu, sipas indicieve të para sot pritet të luajë nga minuta e parë në ndeshjen miqësore ndaj helvetikëve që luhet në Zurich. Në stadiumin ku është zhvilluar si lojtar profesionist, Letzigrund, do ta formojë dyshen e mbrojtjes me Amir Rrahmanin. Përveç kësaj, ndryshe nga shumica, Mirlind Kryeziu njëmend zgjodhi Kosovën si alternativë të parë.
Kosova i afrohej çdoherë e më shumë fitimit të grupit të saj në Ligën D të Ligës së Kombeve në 2018. Në grumbullimin e nëntorit të atij viti, kur pritej të luheshin dy ndeshjet e fundit, Mirlind Kryeziu ftohej dhe zyrtarizonte proceduralisht kalimin te Kosova. Çastet e para në ambientin dardan i shijonte nga stoli në ndeshjen e fituar 0 me 5 në udhëtimin në Maltë, kurse paralajmërimin se do t'i bashkohej ekipit dardan e kishte bërë një muaj më herët.
I rritur në grupmoshat e Zvicrës nga U16 deri në U20, ai luajti plot 22 ndeshje për ngjyrat e helvetikëve. Mirëpo, në momentin e përcaktimit vendimtar se ku do ta vazhdonte karrierën në nivel kombëtaresh, ai nuk pati mëdyshje dhe zgjodhi Kosovën. Dhe, nuk ishte zgjedhje e lehtë. Mediat helvetike me nevrikosje komentonin largimin e tij, pasi Mirlindi kishte luajtur si kapiten në grupmoshat zinxhir. Përfshirë këtu edhe gazetat zviceraneqë në orët e fundit po shfaqin kinse afërsi ledhatuese ndaj Kosovës, e kishin linçuar e gozhduar qendërmbrojtësin shtatlartë për atë zgjedhje që kishte ndërmarrë. Andaj, ndeshja e sotme do të jetë e veçantë edhe nga ky aspekt.
Fjalëpak, i qetë, i disiplinuar dhe profesionist
Nëse flasim në terma të përgjithshëm, të gjithë lojtarët e Kosovës me raste e kanë shfaqur indinjatën e tyre për mungesë të ftesës në listën e lojtarëve apo për mospërfshirjen në formacionin titullar. Disa qëndrime janë publike, disa mbahen të fshehta, por që dihen brenda kampit dardan. Ekziston vetëm një përjashtim në këtë mes dhe atë e përbën pikërisht Mirlind Kryeziu.

Ai në asnjë moment nuk e ka ngritur zërin as brenda zhveshtores për inkuadrimin e tij fare minimal me fanellën e kombëtares dardane. Madje, nëse ai pranonte ftesën e Kosovës për ndeshjet e muajit nëntor, 2018 - i njëjti ka pritur për plot thuajse tre vjet debutimin me Kosovën dhe atë për 1 minut, duke u inkuadruar nga banka rezervë, në minutën e 90-të, në ndeshjen ndaj Gjeorgjisë që e fitonim më 2 shtator, të vjeshtës që lamë pas me rezultat 0 me 1.
Përkundër kësaj pritjeje të gjatë, asnjëherë nuk e shantazhoi stafin teknik kosovar. Asnjëherë nuk përdori mediat kosovare për të shfaqur pakënaqësi. Asnjëherë nuk përdori rrjetet e tij sociale për ta shfaqur ndonjë mllef të brendshëm apo për të përçuar mesazhe kodifikuese, siç bënin disa prej bashkëlojtarëve të tij. Gjithmonë i qetë dhe durimtar. I njëjti nuk ia lejoi vetes të bëjë insinuata dhe skenare të llojllojshme siç ishim mësuar të shihnim më parë, ku për ta rritur presionin që një lojtar të luante titullar, përdorej edhe Shqipëria si alternativë e dytë, me idenë që "nëse nuk më përfshini në formacion, mund ta lëvizi nga këtu". Eh po, mirë. Gjitha këto makinacione nuk i bëri Mirlindi.
Lojtar me sjellje shembullore, që priti saktësisht tri vite debutimin nga minuta e parë, i cili erdhi në sfidën miqësore ndaj Jordanisë, që u zhvillua në nëntorin e shkuar, ku pësuam disfatë turpëruese 0 me 2.
Fakti që është fjalëpak, i disiplinuar, profesionist në sjellje dhe jo i llastuar, ka bërë që edhe opinioni futbolldashës mos ta përmend shpesh, mirëpo ai meriton lëvdata të mëdha për mënyrën se si e ka trajtuar me nder dhe respekt fanellën dardane.
Luhatjet në formë dhe karakteristikat e tij si qendërmbrojtës
Si qendërmbrojtës filloi të spikasë në Kupën e Zvicrës, kur në moshë 21 vjeçare, gjegjësisht në vitin 2018, arriti ta fitojë kupën në fjalë. Pati një shkëlqim të konsiderueshëm. Ajo ishte kupa e fundit e fituar nga Zurich. Pak muaj më vonë iu bashkua Kosovës.
Nga ai moment e deri para fillimit të pandemisë covid-19, Mirlindi ishte shumë i margjinalizuar tek ekipi i tij, Zurich. Konsiderohej si lojtar stoli, ku shpeshherë ishte i katërti në hierarki. Në raste të caktuara doli edhe nga planet e skuadrës, meqë nuk përfshihej fare në listën e të grumbulluarve për ndeshjet kampionale. Në kompensim, luante me ekipin rezerv të Zurich.

Edhe viti 2020 konfirmoi krizën në rendiment. Kur mendohej që gjithçka po shkonte drejt rënies së tij të lirë, ai u përkujdes të rikëndellej një vit më vonë, gjegjësisht në 2021, falë edhe disa ndryshimeve në konstruktin e tij trupor. Duhet thënë që gjatë kësaj periudhe ka pasur probleme edhe me covid-19, të cilat kanë ndikuar në një formë gjithnjë e në zbehje. Pas kësaj periudhe, ai u rikthye dhe filloi të humbasë peshë, ndryshe nga më herët që e pengonte ky fakt. Kështu, fitoi gradualisht minutat në këmbë, deri kur u bë lojtar stabil si titullar.
Tani është prej lojtarëve më në formë tek ekipi i tij që po udhëheq në kampionatin helvet. Me kontratën që e rinovoi së fundmi, ai është tetë fitore larg të shpallurit kampion i Zvicrës me bardhekaltërtit, e cila do të ishte hera e parë për të. Mirlindi këtë triumf do ta gëzojë si protagonist, pasi ka luajtur rol qenjësor në suksesin e Zurich këtë vit, si lideri i mbrojtjes.
Qendërmbrojtës shtatlartë, korpulent, me diagonale të gjata e të sakta, si dhe në duele ajërore i pakonkurrueshëm, me 196 cm që e favorizojnë: këto janë veçoritë që e spikasin atë si lojtar i mbrojtjes.

Mangësia e tij më e madhe që vërehet në paraqitjet në Superligën e Zvicrës që i zhvillon, është markimi në lojën 1 kundër 1, ndryshe nga Rrahmani i cili edhe në këtë aspekt ka shënuar rritje që pas transferimit në Hellas Verona dhe ushtrimeve që ka pasur nën urdhrat e Ivan Juric.
Sot, informatat e para që vijnë nga kampi dardan, shpijnë se ai do të luajë nga minuta e parë në krah të Amir Rrahmanit. Kjo do të jetë paraqitja e tij e dytë për të kur do të luajë nga fillimi i ndeshjes përkrah mbrojtësit prishtinas dhe një mundësi e artë ta konsolidojë pozitën e titullarit, nëse Dresheviç do të vazhdojë të qëndrojë aty ku ishte pozicionuar me Bernard Challandes. Pra, si mesfushor shkatërrues.
Një balotazh mes Alitit, Fazlijit dhe Mirlind Kryeziu do të na shoqërojë gjatë këtij viti, në garën se cili do ta fitojë besimin e përzgjedhësit francez, Alain Giresse, për të qenë në 11-shen startuese. Nëse analizohet rendimenti në skuadrat respektive ku luajnë, meritokracia flet në të mirën e Mirlind Kryeziut. Nëse në këtë analizë hyn në mes përvoja, kimia dhe kompaktësia - atëherë Fidan Aliti ka një përparësi më të madhe.