Liga e Kombeve: Kosova dhe Shqipëria qëndrojnë aty ku ishin ndërsa Italia, Holanda, Kroacia dhe Spanja luftojnë për trofeun - NACIONALE

Liga e Kombeve: Kosova dhe Shqipëria qëndrojnë aty ku ishin ndërsa Italia, Holanda, Kroacia dhe Spanja luftojnë për trofeun

2 muaj më parë

nga Vivianit Gërguri

Ndeshjet e natës së djeshme ishin të fundit për këtë sezon të Ligës së Kombeve. Kombëtarja e Kosovës pavarësisht fitores së thellë ndaj Qipros mbeti në Ligën C pasi u radhit e dyta, Shqipëria në anën tjetër vetëm falë Rusisë mbetet edhe për një sezon në Ligën B, pasi ishte treta në grup me dy pikë të grumbulluara, ndërsa për trofeun e Ligës së Kombeve do të luftojnë Italia, Spanja, Holanda dhe Kroacia si fituese në grupet e Ligës A.

Kombëtarja e Kosovës ishte pjesë e Ligës C2 së bashku me Greqinë, Irlandën Veriore dhe Qipron.

Në gjashtë takime të zhvilluara, kombëtarja jonë arriti tre fitore dhe tre humbje, dy nga të cilat ishin nga lideri Greqia dhe një humbje e hidhur në minutat e fundit nga Irlanda Veriore.

Si rrjedhojë Kosova përfundoi e dyta me nëntë pikë të grumbulluara, gjashtë më pak se Greqia dhe katër më shumë se dy skuadrat më poshtë.

Greqia nga Liga C2 shkon tutje në Ligën B, ndërsa Qipro pas përfundimit në vendin e fundit largohet drejt Ligës D.

Shqipëria në anën tjetër zhgënjeu në kampanjën e vet, që në tërësi ishte e dështuar.

Liga B2 kishte tre skuadra si pasojë e përjashtimit të Rusisë nga UEFA dhe FIFA nga garat e tyre dhe kjo doli të ishte një ndihmë e madhe për Shqipërinë.

Në katër ndeshje të zhvilluara, kuqezinjtë pësuan dy humbje dhe morën dy barazime, duke mbetur pas Islandës me katër pikë dhe vendit të parë Izraelit me tetë pikë.

Izraeli lëviz drejt ligës A, teksa Shqipëria e Islanda qëndrojnë në Ligën B.

Katër fituesit e Ligës A

Kroacia, Spanja, Italia dhe Holanda arritën të fitonin grupet e tyre në Ligën A dhe tani ato do të luftojnë përmes play-offit për trofeun e Ligës së Kombeve.

Kroacia në Ligën A1 ishte së bashku me Danimarkën, Francën dhe Austrinë ku arriti që në gjashtë ndeshje të marrë katër fitore, një barazim dhe një humbje dhe la danezët në vendin e dytë me një pikë më pak të grumbulluar.

Franca përfundoi e treta me një kampanjë të dështuar për kampionët botëror në fuqi, ndërsa Austria ra në Ligën B si vendi i fundit.

Spanja në Ligën A2 kishte të bënte me Portugalinë, Zvicrën dhe Republikën e Çekisë.

Spanja dhe Portugalia luftuan deri në fund për pozitën e parë, me spanjollët që shënuan fitore krejt në minutat e fundit për të kapur pozitën e parë dhe si rrjedhojë portugezët mbetën në pozitën e dytë.

Zvicra me dy pikë më pakë se vendi i parë dhe një pikë më pak se vendi i dytë, përfundoi në pozitën e tretë, ndërsa e eliminuara e Ligës A2 për në Ligën B ishte Republika e Çekisë.

Italia edhe pse dështoi të kualifikohej në Kampionatin Botëror, bëri një kampanjë mjaftë të mirë në Ligën e Kombeve, duke marrë pozitën e parë në konkurrencë me Hungarinë, Gjermaninë dhe Anglinë.

Ky ishte grupi i vdekjes dhe pati befasi të mëdha. Hungaria ishte befasia më e madhe që deri në ndeshjen e fundit me Italinë mbante vendin e parë dhe më herët i kishte shkaktuar dy humbje Anglisë, ndërsa këta të fundit ishin zhgënjyes duke rënë në Ligën B me vetëm tre pikë të grumbulluara.

Gjermania ishte e treta me shtatë pikë, Hungaria e dyta me 10 dhe Italia me 11 si lider i Ligës A3 do të luajë në play-off për trofeun e madh.

Liga A4 ishte më pak interesante. Holanda ishte e pandalshme aty duke arritur të fitojë pesë ndeshje dhe në vetëm një ndeshje u ndal me barazim, duke grumbulluar 16 pikë. E dyta përfundoi Belgjika me 10 pikë, Polonia ishte e treta me shtatë pikë dhe e fundit Uellsi me vetëm një pikë të grumbulluar që si pasojë ra në Ligën B.

Trofeu i Ligës së Kombeve

Italia do të përballet me Spanjën dhe Holanda me Kroacinë në gjysmëfinalet për trofeun e Ligës së Kombeve. Këto ndeshje do të zhvillohen më 14 dhe 15 qershor të vitit 2023, ndërsa finalja dhe ndeshja për vendin e tretë zhvillohet më 18 qershor.

Vendi ku do të organizohet play-offi i Ligës së Kombeve do të mësohet në janar të vitit 2023, ku katër nga skuadrat e Ligës A4 janë të interesuara për organizimin e saj.

Lajme të ngjashme