Shqipëria barazon ndaj Islandës, mbyll grupin pa asnjë fitore - NACIONALE

Shqipëria barazon ndaj Islandës, mbyll grupin pa asnjë fitore

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Shqipëria e ka mbyllur me barazim grupin 2 të Ligës B ku merr pjesë në Ligën e Kombeve, duke u ndalur me shifrat 1:1 ndaj Islandës, por prapëseprapë do të mbetet në Ligën B, për shkak të pezullimit nga UEFA të Rusisë.

Shqipëria mes kontestimeve dhe fishkëllimave të publikut shqiptar, mbylli grupin pa asnjë fitore, duke barazuar në çastet e fundit ndaj Islandës.

Edy Reja la në bankë rezervë lojtarë të kalibrit të Kristjan Asllanit dhe Armando Brojës. Ishte Çikalleshi ai që udhëhoqi “kuqezinjtë” në sulm.

Gjithsesi, nga momenti kur Shqipëria kishte superioritet numerik në fushë, filloi të mbizotërojë edhe me lojë, duke qenë më bindëse.

Kësisoj, goli erdhi në minutën e 35-ëtë nga Ermir Lenjani, i cili shënoi bukur me kokë, pasi u asistua me një harkim mjaft të mirë nga Uzuni.

Lenjani sot luajti si mbrojtës i majtë dhe e arsyetoi në tërësi besimin e përzgjedhësit italian, pasi ishte vendimtar me golin që shënoi dhe me kontributin që dha gjatë lojës.

Pas golit të realizuar, Shqipëria ishte sërish më e qartë në lojën e saj, e ndihmuar sigurisht edhe nga të qenët në fushë me një lojtar më shumë.

Pjesa e parë u mbyll me rezultat 1:0, me Shqipërinë që nuk ia doli të krijojë ndonjë aksion tjetër të rrezikshëm për ta synuar një gol të radhës.

Në pjesën e dytë, ashtu siç po i ndodh qe shumë kohë ekipit “kuqezi”, ra tempo e lojës, duke mos qenë shumë të shpejtë në aksionet që ndërtonin, çka edhe heraherës irritonte të pranishmit në stadium.

Gjithsesi, në një moment, më saktësisht në minutën e 62-të, Islanda rrezikoi edhe barazimin me Bjarnason, por ishte Strakosha ai që parandaloi më të keqen, duke ruajtur të paprekur portën e tij.

Kësisoj, me Shqipërinë që u koncentrua në menaxhim të epërsisë, ishte edhe pasqyra e të gjithë asaj çfarë u pa në 45 minutat e fundit. Mirëpo kjo qasje konservatore nuk prodhoi fryt të madh, pasi sërish Shqipëria pësoi në çastet e fundit të ndeshjes, konkretisht në minutën e 97-të.

Një harkim nga krahu i djathtë doli të ishte fatal për Shqipërinë. Helgason ishte ai që futi topin në brendi të zonës, ku Anderson e devijoi në rrjetë më pastaj, duke barazuar rezultatin 1:1.

Ky ishte një dush i ftohtë për Shqipërinë, që nuk arriti të bëjë më shumë në sekondat e mbetura, duke përfunduar rezultati kësisoj. Shqipëria mbyll grupin në vendin e tretë dhe Islanda i gëzohet ruajtjes të pozitës së dytë.

Lajme të ngjashme