Legjenda shqiptare: Serbia shfryu mllef ndaj Xhakës, shtatë futbollistë e sulmuan
Ish-futbollisti shqiptar, Kujtim Shala, ka realizuar një intervistë për mediumin kroat “Tportal”, ku ka mbrojtur Granit Xhakën, duke thënë se u provokua marrëzisht nga futbollistët serbë.
Vazhdon të nxisë debat të madh kualifikimi i Zvicrës ndaj Serbisë dhe veçanërisht futbollisti shqiptar, Granit Xhaka, i cili ishte në epiqendër të shumë provokimeve nga futbollistët e kombëtares serbe.
Ish-futbollisti i spikatur shqiptar, Kujtim Shala, i cili në të kaluarën ka luajtur për Prishtinën e gjeneratës së artë dhe më pas në Dinamo Zagreb, e sheh krejtësisht neveritëse sjelljen e futbollistëve serbë karshi Xhakës.
“E pe (iu drejtohet gazetarit kroat) pas ndeshjes si shtatë serbë sulmuan Xhakën? Pse? Sepse ishin duke e festuar një triumf. Serbia ka qenë kaq e pshtirë në këtë Kupë të Botës, saqë ka nuk ka treguar asgjë dhe ka shfryrë të gjithë mllefin mbi një lojtari”, shtoi Shala.

Ish-futbollisti shqiptar dëshiroi të saktësojë që provokimet e serbëve kanë nisur shumë më herët dhe ato derivojnë që para fillimit të ndeshjes.
“E di çfarë ju them (iu drejtohet sërish gazetarit kroat): futbolli është një lojë që luhet në fushën e blertë. Përndryshe, provokimet e kombëtares serbe kanë filluar shumë më herët para se të niste ajo ndeshje”, nënvizoi ai.
Shala e vlerësoi krejtësisht të pavend kryqëzimin që iu bë Xhakës: “Si ndodhi? Mirë, Xhaka është një futbollist i kombëtares helvete dhe familja e tij jeton në Zvicër. Prandaj nuk shoh asnjë motiv që ndokush ta provokojë.”

Ish-mesfushori nuk harroi që ta bëjë të ditur edhe faktin që ishte vetë përzgjedhësi serb Stojkovic ai që i pari ofendoi rëndë shqiptarët duke i sharë me nënë.
“Kam lexuar që Stojkovic ka sharë ‘q**sha nënat e shqiptarëve’. Është absolutisht gjest i dënueshëm dhe nevojitët reagimi i FIFA-s”, përfundoi Kujtim Shala.
Zvicerant në drojë se FIFA mund të hapë hetim ndaj Xhakës
"Blick", si mediumi më i madh zviceran, ka vendosur që t'ia dedikojë ballinën Granit Xhakës pas paraqitjes sublime që bëri mbrëmë ndaj Serbisë, por njëherësh ngre dyshime për ngritjen e ndonjë hetimi të FIFA-s për sjelljet e tij pas ndeshjes.
Një gjest më se simbolik i interpretuar nga prizma e shqiptarëve bëri që Xhaka të shndërrohej edhe një herë në një imazh patriotizmi dhe në një figurë heroike. Po flasim për veshjen e fanellës me mbiemrin Jashari nga ylli shqiptar, Granit Xhaka.
Megjithatë, në Zvicër druhen se mos një gjest i tillë do të nxisë edhe reagimin e FIFA-s duke hapur një hetim, ngase për dikë mund të duket si mesazh politik.
Mirëpo, siç bën të ditur "Blick", deri më tani nuk është shënuar asnjë hap nga instanca më e lartë e futbollit në lidhje me këtë çështje.

Ishte vetë Granit Xhaka që dje pas ndeshjes sqaroi publikisht se s'kishte asnjë mesazh me prapavijë politike, por thjesht ishte një dedikim për bashkëlojtarin e tij, Ardon Jasharin.
Analistët në Zvicër nuk mendojnë se ishte një veprim i duhur. Ata e shohin krejtësisht të padobishëm. Madje, e etiketojnë si "budalla" Xhakën në rast të ndonjë reperkusioni nga FIFA.
"Ishte një gjest i padobishëm. Nëse do të ketë ndonjë pasojë nga FIFA për të dhe skuadrën, atëherë është budalla", komentoi analisti dhe njëherësh ish-futbollisti zviceran, Beni Huggel, për televizionin "SRF".

Mediet helvete gjatë ditës së sotme kanë publikuar shkrime të shumta ku druhen se FIFA do të hapë ndonjë hetim ndaj Xhakës në lidhje me atë mesazh, i cili nga pala serbe është interpretuar si politik, ndonëse nga futbollisti shqiptar është mohuar diçka e tillë.


