U fotografua me fanellën Jashari, ish-futbollisti zviceran: Nëse ka pasoja nga FIFA, atëherë Xhaka është budalla - NACIONALE

U fotografua me fanellën Jashari, ish-futbollisti zviceran: Nëse ka pasoja nga FIFA, atëherë Xhaka është budalla

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Granit Xhaka vendosi që ta veshte fanellën me emrin Jashari pas fundit të ndeshjes ndaj Serbisë. Analisti dhe ish-futbollisti zviceran, Beni Huggel, për "SRF" e ka quajtur "budalla" Xhakën në rast të një dënimi nga FIFA.

Mesfushori shqiptar në fund të ndeshjes për ta çliruar krejt dufin e brendshëm emocional, vendosi që fitoren ndaj Serbisë dhe kualifikimin në fazën e eliminimit direkt ta festonte duke veshur fanellën e bashkëlojtarit tjetër shqiptar të Zvicrës, Ardon Jasharit.

Në gjoksin e tij figuronte fanella me emrin Jashari, ku nga shqiptarët u interpretua si një përçim mesazhi në shenjë nderimi për familjen legjendare Jashari.

Mirëpo, analistët në Zvicër nuk mendojnë se ishte një veprim i duhur. Ata e shohin krejtësisht të padobishëm. Madje, e etiketojnë si "budalla" Xhakën në rast të ndonjë reperkusioni nga FIFA.

"Ishte një gjest i padobishëm. Nëse do të ketë ndonjë pasojë nga FIFA për të dhe skuadrën, atëherë është budalla", komentoi analisti dhe njëherësh ish-futbollisti zviceran, Beni Huggel, për televizionin "SRF".

Mediet helvete gjatë ditës së sotme kanë publikuar shkrime të shumta ku druhen se FIFA do të hapë ndonjë hetim ndaj Xhakës në lidhje me atë mesazh, i cili nga pala serbe është interpretuar si politik, ndonëse nga futbollisti shqiptar është mohuar diçka e tillë.

Aq sa fitorja, bënë rëmujë edhe episodet që ndodhën jashtë kontekstit të fushës dhe skemave të lojës. Granit Xhaka që u provokua gjatë tërë kohës nga serbët ishte në llupën e të gjitha medieve.

Lajme të ngjashme