Mediet zvicerane frikësohen që FIFA mund të hapë hetime ndaj Xhakës për fanellën me mbiemrin Jashari
"Blick", si mediumi më i madh zviceran, ka vendosur që t'ia dedikojë ballinën Granit Xhakës pas paraqitjes sublime që bëri mbrëmë ndaj Serbisë, por njëherësh ngre dyshime për ngritjen e ndonjë hetimi të FIFA-s për sjelljet e tij pas ndeshjes.
Një gjest më se simbolik i interpretuar nga prizma e shqiptarëve bëri që Xhaka të shndërrohej edhe një herë në një imazh patriotizmi dhe në një figurë heroike. Po flasim për veshjen e fanellës me mbiemrin Jashari nga ylli shqiptar, Granit Xhaka.
Megjithatë, në Zvicër druhen se mos një gjest i tillë do të nxisë edhe reagimin e FIFA-s duke hapur një hetim, ngase për dikë mund të duket si mesazh politik.
Mirëpo, siç bën të ditur "Blick", deri më tani nuk është shënuar asnjë hap nga instanca më e lartë e futbollit në lidhje me këtë çështje.
Ishte vetë Granit Xhaka që dje pas ndeshjes sqaroi publikisht se s'kishte asnjë mesazh me prapavijë politike, por thjesht ishte një dedikim për bashkëlojtarin e tij, Ardon Jasharin.