Aleati i VLEN-it, Mickoski “provokon” duke injoruar himnin kombëtar: Zgjodhi pikërisht Shqipërinë për të shfaqur agjendën e tij të vjetër nacionaliste
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, me të cilin VLEN-i i Izet Mexhitit dhe Bilall Kasamit, me “aminin” e kryeministrit në detyrë dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, hyri në koalicion, ka vizituar ditë më parë Shqipërinë, konkretisht komunën e Pustecit, duke shkelur protokollin zyrtar.
Gjatë vizitës së tij, në një festival që supozohej të festonte kulturën dhe bashkëjetesën në Pustec, u ekzekutua vetëm himni i Maqedonisë së Veriut, ndërsa Himni Kombëtar Shqiptar u injorua plotësisht.
Ky nuk ishte një gabim teknik dhe as një rastësi, por një akt i pastër arrogance politike, i dirigjuar nën syrin miratues të Kryeministrit maqedonas.
Mickoski, lideri i VMRO-DPMNE-së, parti me një histori të njohur të retorikës nacionaliste, zgjodhi pikërisht Shqipërinë e Edi Ramës për të shfaqur agjendën e tij të vjetër. Duke sjellë, siç e cilësoi Rama, “cirkun e nacional-folklorizmit ballkanik” në Pustec, ai shfaqi mungesë respekti ndaj vendit pritës, normave diplomatike dhe parimeve të fqinjësisë së mirë.
Duhet theksuar se Kurti dhe Mickoski njihen për afrimin e tyre politik, veçanërisht pas koalicionit të VLEN-it me VMRO-DPMNE-në, i cili i afroi edhe më shumë dy liderët.
Albin Kurti, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, janë parë bashkë në disa raste, ku më i përfoluri ka qenë pjesëmarrja e tyre e përbashkët në Kongresin e parë të koalicionit politik VLEN në Shkup, më 9 maj 2026.

Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar për këtë ngjarje, duke e cilësuar atë si “një parodi domethënëse për botëkuptimet tona të ndryshme në këtë lagje të Europës”.
Rama ka thënë se kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, kishte kërkuar paraprakisht që të luhej edhe himni shqiptar, por kërkesa ishte injoruar dhe më pas ai kishte kërkuar ndjesë për një situatë për të cilën, sipas Ramës, nuk kishte përgjegjësi.
Rama ka kritikuar atë që e ka quajtur “cirk të nacional-folklorizmit ballkanik”, duke theksuar se Shqipëria nuk duhet të zbresë në nivelin e kësaj “parodie”.
“Jo, Shqipëria, Europa e Ballkanit, kurrsesi nuk mund t’ia lejojë dhe nuk do t’ia lejojë vetes ta zbresë monedhën e vlerave të saj në nivelet e parodisë së Pustecit”, ka shkruar Rama.
Reagimi i plotë i kryeministrit Edi Rama, për “shfaqjën" siç e quajti “cirki nnacional-folklorizmit ballkanik”
Ajo që ndodhi në Pustec është një parodi domethënëse për botëkuptimet tona të ndryshme në këtë lagje të Europës.
Kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, kërkoi paraprakisht që të luhej edhe himni shqiptar. U injorua dhe më pas kërkoi ndjesë për një faj që nuk ishte i tij. U tregua një shtetar dhe qytetar i denjë i Shqipërisë Europiane, në nder të vetes dhe të komunitetit të tij maqedonoverior, të cilit i duam vetëm më të mirën.
Ne e kemi nderuar edhe atë komunitet të vockël me një status të posaçëm si bashki më vete, pikërisht sepse për Shqipërinë minoritetet nuk janë statistikë, por pasuri kombëtare, dhe qytetarët minoritarë nuk janë numra, por vëllezër e motra me të njëjtat liri dhe të drejta si të gjithë ne.
Tani, kjo ardhja e herëpashershme në territorin tonë e trupave të cirkut të nacional-folklorizmit ballkanik, herë nga një vend, herë nga një tjetër e herë nga një tjetër akoma, nuk se na shqetëson për vete, për sovranitetin e Shqipërisë jo e jo, por as për ekuilibrat e jetës politike këtu brenda, ku nuk ka mushkë Troje të rritur në kodrat tona apo ‘diasporë’ të eksportuar nga brenda lagjes sonë që na lëkund.
Gjithsesi, u shpreh sot një keqardhje të sinqertë për të gjithë sponsorët e këtij cirku të lashtë flamujsh në epokën e Inteligjencës Artificiale, ndërsa mëmëdhetarëve mes nesh që në kësi rastesh hidhen përpjetë përpara pasqyrave të tyre digjitale, duke kërkuar përgjigje me të njëjtën monedhë, u them:
Jo, Shqipëria, Europa e Ballkanit, kurrsesi nuk mund t’ia lejojë dhe nuk do t’ia lejojë vetes ta zbresë monedhën e vlerave të saj në nivelet e parodisë së Pustecit.