Nga "tradhtar" në “shqipe me dy krena”: Historia e madhërishme e Granit Xhakës - NACIONALE

Nga "tradhtar" në “shqipe me dy krena”: Historia e madhërishme e Granit Xhakës

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Granit Xhaka është njeriu më i komentuar aktualisht në hemisferën shqiptare. Pa fije diskutimi, edhe më i pëlqyeri. Si lojëtari i ndjeshjes me Serbinë, shqiptari Xhaka është meritor për këtë pëlqim aktual. Por ylli i Arsenalit dhe Zvicrës, nuk ka qenë gjithnjë popullor. Së paku, jo kaq shumë.

Veçanërisht në vitin 2016, kur Kosova, në krye me legjendën Fadil Vokrri, siguroi anëtarësimin në FIFA, që i dha leje përfaqësues kosovare të garonte për kualifikime në kampionatin evropian e botëror.

Xhaka, i lindur në vitin 1992, që zgjodhi të luante për kombëtaren helvetike, ishte shpallur tradhtar. I biri i Ragip Xhakës, ish i burgosur politik në Jugosllavi, e gjeti veten në shënjestër të nacionalistëve, duke u kritikuar ashpër për këtë vendim. Një padurim i madh kundrejt Xhakës, që jo rrallë shpërthente edhe në neveri.

Mbarë populli shqiptar duhet të dijë se unë Granit Xhaka, siç disa me akuzojnë tradhtar, jam biri i një të burgosuri politik, i cili vuajti nëpër burgjet e Serbisë vetëm e vetëm të bëhet Shqipëria etnike dhe s’iu tremb as burgut e as luftës kur ishte fjala për Shqipërinë. Jam lindur, jam rritur e jam edukuar nga prindërit e mi me frymën e patriotizmit dhe me atdhedashurinë për kombin shqiptar.” – ishte përgjigja e Xhakës, shkruan Nacionale.

Por këtyre zërave i ishte përgjigjur edhe babait i tij, Ragip Xhaka, që kishte zgjedhur të njëjtën gjuhë si shenjë revolte për etiketimet ndaj futbollistit Xhaka.

Është e vërtetë që kam thënë se të dy djemtë e mi do të luajnë për Kosovën, por është deklaruar totalisht e kundërta nga FIFA. Të gjithë ata që kanë thënë se Graniti është tradhtar, të tillë janë vetë” – kishte shpërthyer Xhaka i vjetër në vitin 2016.

Por euferinë nacionaliste, për të cilën njihen gjërësisht shqiptarët, do ta shuante tërësisht vetë Xhaka i ri. Së bashku me Xherdan Shaqirin, do të bëheshin “idhujt e rinjë” të nacionalizmit shqiptar bashkëkohor. Një shqiponjë me duar në Kaliningrad të Rusisë, do t’ia rikuperonte imazhin tërësisht Granit Xhakës. I anatemuari nga shqiptarët do të ringjallej porsi feniksi në hero.

Nga goli kundër Serbisë në vitin 2018, Xhaka më s’do të ishte kurrë i njëjti, s’do të ishte më heretiku Xhaka, por idhulli Xhaka. Për këtë shqiponjë në Kaliningrad, Xhaka e Shaqiri u dënuan nga FIFA.

Por Xhaka do të kritikohej sërish në vitin 2022, pasi u pa i penduar për festën në Kaliningrad, duke e cilësuar si veprim ta gabuar.

"Gjithçka shkoi mirë në ndeshjen ndaj Serbisë. Përveç shqiponjës. Nuk duhej ta kisha bërë këtë. Ajo që përjetoi babai im [i burgosuri politik nga Serbia] është diçka që nuk do t’ia dëshironi askujt.” – i rrëfehej gazetës “Blick”.

Megjithatë, Xhaka do t’i fitonte sërish “zemrat e mendjet” e shqiptarëve. Në ndeshjen e së premtes mbrëma, Xhaka do të udhëhiqte Zvicrën në fitoren kundër Serbisë në Kupën e Botës “Katar 2022”.

Por Xhaka ka qenë gjithnjë i njëjti. I bir i emigrantit, i kosovarit krenar e ish të burgosurit politik. Madje një gjë të tillë, ai vazhdimisht e ka theksuar. Në një intervistë për “The Guardian”, të përkthyer nga gazeta Nacionale, ai rrëfente për historinë tragjike të babait të tij, që i ngjan mijëra historive të shqiptarëve nga Kosova.

Për aq sa e di, muajt e parë në burg ishin në rregull” – tha Xhaka. “Por më pas nisën ta rrihnin” – e fillonte rrëfimin e tij Xhaka për gazetën e njohur britanike.

Tutje, ai i tregonte gazetës “The Guardian” se babai i tij ishte arrestuar si 22-vjeçar në vitin 1986, për t’u dënuar me gjashtë vite burg.

Si i biri i tij, storja është diçka që më prek tepër thellë – është përnjëmend, përnjëmend në zemrën time, – tha Xhaka. “Për ta përshkruar babanë tim si duhet, duhet që përnjëmend ta kuptoni mirë. Është aq tragjike. Nganjëherë e pyes: “Më trego prapë”, por s’mendoj që më tregon gjithçka. Ka pasur gjithnjë momente të heshtjes, kur kanë ndier se kishte përbirë diçka dhe s’mund ta qiste jashtë. Ndoshta ishte tepër shumë dhe ai s’donte që ne ta merrnim vesh dhimbjen e tij” – rrëfente Granit Xhaka, transmeton Nacionale.

Pas ndeshjes së mbrëmshme, shqiptarët shkruan mijëra postime që lartësonin Xhakën për paraqitjen e tij. Karvanit të postimeve që s'i shihet fundi iu bashkuan edhe politikanët, përfshirë Albin Kurti, Vjosa Osmani, Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku, Sali Berisha etj.

Xhaka aktualisht është pjesë e ekipit të njohur anglez “Arsenal”, me të cilën fanelë është duke shkëlqyer këtë sezonë. Arsenali, i udhëhequr nga Xhaka, po kryeson tabelën e “Premier Ligës”, duke e lënë pas edhe Manchester City-n e fuqishëm. Xhaka gjërësisht llogaritet si njëri ndër futbollistët më të mirë në botë në pozitën e tij.

Biri i emigrantit kosovar do të vazhdojë ndeshjet në Kupën e Botës, duke udhëhequr drejt triumfeve Zvicrën, ndërsa shqiptarët drejt “ekstazës patriotike”.

Lajme të ngjashme