Depay nuk dorëzohet: Edhe nëse vijnë gjashtë sulmues, unë do të qëndroj te Barcelona - NACIONALE

Depay nuk dorëzohet: Edhe nëse vijnë gjashtë sulmues, unë do të qëndroj te Barcelona

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Memphis Depay nuk e ka ndërmend të dorëzohet. Barcelona ka afruar në radhët e veta sulmues si Lewandowski apo Raphinha, por holandezi ka qëndruar indiferent ndaj këtyre lëvizjeve.

Kur Koeman erdhi në krye të Barcelonës në vitin 2020, njërin prej lojtarëve që më së shumti këmbënguli ta transferonte në skuadër ishte bashkëkombësi i tij, Memphis Depay.

Pas një viti, Barcelona i siguroi shërbimet e tij si lojtar i lirë me parametra zero. Ai erdhi në një kohë kur skuadra katalonase filloi të përballej me një humbje të madhe, siç ishte ajo e largimit të legjendës së saj, Lionel Messi.

Barra që iu atribua Depayt për të qenë sulmuesi katalizator, i cili do të bënte që Barcelona ta vazhdonte karvanin e shënimit të golav, ishte e rëndë. Ai në tërësi regjistroi një mesatare prej një goli në tre ndeshje. Shifra jo të përfillshme për sulmues që ishte mësuar t'i kishte në gjirin e saj Barcelona ndër vite.

Kokëfortësia e Depayt për të qëndruar te Barcelona

Së voni, disa zëra që kanë qarkulluar që e lidhin Depayn me një largim nga Barcelona. Aq më shumë pasi klubi spanjoll ka bërë disa lëvizje në repartin sulmues.

Sido që të jetë, i të njëjtit mendim nuk është vetë ai, Depay. Sipas burimeve të mediumit Sport, mësohet se Depay u ka thënë në zhveshtore bashkëlojtarëve të tij se nuk e ka për synim fare largimin.

"Edhe nëse vijnë gjashtë sulmues, unë do të qëndroj këtu"
, besohet të ketë thënë sulmuesi 28-vjeçar në bazë të informacioneve të siguruara nga mediumi spanjoll.

Këto zëra kanë ardhë duke u shtuar jo vetëm për shkak të lëvizjeve që ka bërë Barcelona në afatin kalimtar veror duke sjellë lojtarë të rinj, por edhe për arsye se Depayt i skadon kontrata në vitin e ardhshëm.

Qëndrimi i Depayt se dëshiron të mbesë lojtar i Barcelonës, nënkupton se klubi mund të rrezikojë që nga largimi i tij potencial pas një viti, të mos mund fitojë qoftë edhe një qindark, pasi ajo do të lirohej me parametra zero.

Lajme të ngjashme