“Shikojeni llogarinë tuaj bankare” - Barcelona i përgjigjet ashpër Bayernit - NACIONALE

“Shikojeni llogarinë tuaj bankare” - Barcelona i përgjigjet ashpër Bayernit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, e ka akuzuar gjigantin gjerman Bayern Munich se po e shtrembëron të vërteten kur po flet për punën e klubit spanjoll në tregun e lojtarëve, pasi trajneri Julian Nagelsmann kishte thënë se është e çuditshme sesi katalonasit mund të blejnë lojtarë kaq shtrenjtë kur janë në borxh të thellë.

Robert Lewandowski, Raphinha, Franck Kessie, Andreas Christensen dhe Jules Kounde i janë bashkuar Barcelonës këtë verë, raporton Nacionale.

Kjo ka bërë që të ngrihen shumë pikëpyetje, duke qenë se telashet financiare të Barçës janë të dokumentuara shumë mirë, por klubi ka mbledhur para duke i shitur të drejtat televizive dhe Laporta është i etur për t’ua dëshmuar atyre që dyshojnë se Barcelona mbetet njëri prej gjigantëve më të mëdhenj në botën e futbollit.

Reagimi i Barcelonës ndaj komenteve të Bayernit

Duke folur në një konferencë për media gjatë kampit përgatitor të Barçës në Shtetet e Bashkuara, Laporta tha se për komentet e trajnerit të Bayernit Nagelsmann dhe të tjerëve në klub: “Komentet nga Gjermania? Ata duhet t’i kontrollojnë llogaritë e veta bankare, morën shumë para nga marrëveshja për Lewandowskin”.

“Çfarë po bëjnë ata është shtrembërim i së vërtetës. Ata nuk e dinë vlerën e Barcelonës. Për ata që po çuditen, ju them se ne jemi shumë të kthjellet. Jemi kthyer në treg. Pesha, forca dhe vlera e një entiteti me më shumë se 122 vjet histori është e madhe”, shtoi ai.

Çfarë kishte thënë Nagelsmann për Barcelonën?

Pas kalimit të sulmuesit polak Lewandowski nga Bayerni në Barçë për 50 milionë euro, Nagelsmann kishte thënë se është çmenduri se si një klub në borxh shumë të madh mund të blejë lojtarë të shtrenjtë.

“Ata blenë shumë lojtarë të rinj, jo vetëm Robertin. Nuk e di si po ia dalin, të jem i sinqertë. Ky është klubi i vetëm në botë që mund të blejë lojtarë pa pasur para. Është e çuditshme dhe çmenduri”.

Mbrojtësi francez Kounde është blerja më e fundit e Barcelonës, e cila do t’i kushtojë klubit 60 milionë euro.

Lajme të ngjashme