Koeman: Nëse Barcelona dëshiron të përmirësohet, atëherë nuk duhet ta shesë De Jongun
Pasi magjepsi me Ajax për tre sezone, Frenkie de Jong iu bashkua Barcelonës. Por, në "Camp Nou" ambientimi nuk shkoi ashtu siç fillimisht u krijuan pritshmëritë.
Frekie de Jong nga Barcelona u ble në 2019-en për një shumë të konsiderueshëm parash për ta konsoliduar mesfushën. Megjithatë, pikërisht atëherë filloi një katandisje e Barcelonës, e cila nuk i ndihmoi as lojtarit që ta shfaqte më të mirën e tij. Në vetvete, ambientimi doli të jetë i vështirë për Frenkie de Jong në futbollin spanjoll.
Duke pasë parasysh edhe krizën e madhe financiare që po e shoqëron Barcelonën në muajt e fundit, mesfushori holandez nga shumë qarqe mediale është konsideruar si lojtari që do të sakrifikohet nga klubi, në mënyrë që të mund të inkasojë sa më shumë para, në shërbim të përmirësimit dhe rregullimit të bilancit vjetor.
Mirëpo, në lidhje me idenë e largimit të mesfushorit 25-vjeç nuk pajtohet assesi ish-legjenda e Barcelonës, Koeman, i cili ishte edhe trajner i klubit para se të vinte Xavi në stolin e klubit katalonas.
"Dëgjohem shpesh me Frenkie de Jongun. E njoh situatën në të cilën ndodhet dhe më ka thënë se dëshiron të luajë akoma për Barcelonën. Asgjë tjetër.
"Nëse klubi dëshiron të përmirësohet, atëherë nuk duhet t'i largojë lojtarët e kalibrit të Frenkie de Jong", u shpreh Koeman.
Shitja e kartonit të mesfushorit të Kombëtares së Holandës, do t'i hapte më shumë rrugë afrimit të Lewandowskit. Për momentin gjithçka është pezull, qoftë sa i përket të ardhmes së mesfushorit De Jong apo edhe të asaj të Lewandowskit.
De Jong deri më tani për Barcelonën ka regjistruar 97 paraqitje në kampionat, duke i shënuar tetë gola. Ndërkaq, në përgjithësi, duke i llogaritur paraqitjet në të gjitha kompeticionet, atëherë numri i tyre shkon në 139 sosh.

