Laporta: Kemi bërë ofertë për Lewandowskin, po presim përgjigjen e Bayernit
Saga që lidhet me të ardhmen e Robert Lewandowskit duket e pafund. Bayern deri më tani nuk po lëshon pe.
Pavarësisht dëshirës së yllit polak për t'iu bashkuar Barcelonës dhe vetë insistimit të kësaj të fundit që të bëjë çmos të sigurohet transferimi i tij në "Camp Nou" sa më parë, diçka e tillë ende duket një gjë e vështirë.
Bayern është barrikaduar në pozicionin e tij dhe nuk po lëshon terren, me arsyetimin se Lewandowski detyrohet ta respektojë kontratën deri në fund dhe duke qenë kështu ai duhet të qëndrojë edhe për një vit tjetër pjesë e ekipit.
Barcelona nuk po dorëzohet akoma, pavarësisht pengesave në të cilat po has rrugës. Drejtuesit e klubit këmbëngulin me çdo mjet që kanë në dispozicion t'i bindin drejtuesit e klubit gjermanë që të privohen nga shërbimet e sulmuesit të tyre.
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, gjatë ditës së sotme ka pranuar se kanë deponuar një ofertë tjetër për Lewandowskin.
"Po, kemi bërë një ofertë. Bayern është duke e shqyrtuar atë. Po presim për një përgjigje të tyre, duke shpresuar që do të jetë pozitive", deklaroi Laporta.
Gjatë ditës së djeshme gazetari Honigstein, pjesë e dy mediume prestigjioze si Der Spiegel dhe The Athletic, jo gjithçka është e lehtë për Barcelonën në këto bisedime.
Duke folur për Football_Talk, Honigstein, tha: “Bayern Munich i ka thënë Barcelonës se nuk dëshiron asnjë ratë sepse nuk është i sigurt nëse klubi katalonas do të jetë ‘gjallë’ pas një apo dy viteve’, e tëra që Bayerni do është para kesh”.
Dëshira e lojtarit është e pakthyeshme që të largohet nga Bayern. Sidoqoftë, ai do të duhej që t'i bashkohej Bayernit gjatë ditëve në vijim në fazën përgatitore.

