Bayern Munchen përgatit ofertë të majme për De Ligt
Bayern Munchen dëshiron që ta konsolidojë repartin defanziv. Klubi bavarez po e vëzhgon me kujdes situatën rreth të ardhmes së De Ligt.
Mbrojtësi holandez, De Ligt, ia ka kumtuar Juventusit dëshirën për t'u larguar nga klubi. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe njëri prej drejtuesve të Juventusit, Arrivabene. Mediet italiane të afërta me klubin italian bëjnë të ditur se Bayern Munchen po përgatitet për ta dërguar një ofertë të majme.
Interesimi i bavarezëve raportohet të jetë shumë serioz. Ata dëshirojnë që ta fitojnë garën me Chelsean. Për këtë arsye janë të gatshëm të paguajnë 75 milionë euro për transferimin e De Ligt në Bundesliga, sipas asaj që raporton gazetari dhe reporteri i besueshëm afër ambientit juventin, Romeo Agresti nga agjencia e lajmeve Goal. Përveç 75 milionë eurove, klubi gjerman po shqyrton që t'ia shtojë edhe 15 milionë euro tjera bonuse ofertës për mbrojtësin holandez.
Me këto shifra Juventus do t'i rekuperonte edhe paratë e shpenzuara për t'i siguruar shërbimet e De Ligt nga Ajax në 2019. Atëherë Juventus paguante 85 milionë euro për De Ligt.
Mundësia që De Ligt të rinovojë me Juventusin duket e largët ditë pas dite. Fillimisht interesimi konkret i Chelseat, e pastaj edhe i Bayern Munchen së fundi, kanë bërë që edhe De Ligt ta mendojë seriozisht largimin nga Juventus.
Deri në skadimin e kontratës atij i mungojnë edhe dy vite. Në anën tjetër, Juventus nuk ka asnjë vullnet që të rrezikojë për ta humbur me parametra zero mbrojtësin 22-vjeç.
Vetë prania e drejtuesve të klubit bardhezi me agjentin e Koulibalyt gjatë ditës së djeshme, është një tregues shtesë se klubi italian po mendon që tani për ta gjetur zëvendësuesin ideal për De Ligt, i cili është çdoherë e më pranë largimit.

