Bayerni s’ia shet Barcelonës Lewandowskin me rata sepse beson se ajo s’do të ekzistojë pas 2 viteve, thotë gazetari gjerman - NACIONALE

Bayerni s’ia shet Barcelonës Lewandowskin me rata sepse beson se ajo s’do të ekzistojë pas 2 viteve, thotë gazetari gjerman

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Bayern Munich ka dhënë një mesazh apokaliptik për Barcelonën, duke thënë se gjiganti katalonas nuk do të ekzistojë pas një apo dy viteve, sipas gazetarit të The Athletic, Raphael Honigstein.

Kampioni gjerman Bayerni ia ka bërë me dije Barcelonës se nuk do të pranojë t’ia shesë sulmuesin Robert Lewandowski me rata, por vetëm me para kesh, duke thënë se nuk beson se gjiganti katalonas do të ekzistojë pas një apo dy viteve.

Bayerni dhe Barça nuk ndahen nga shumë milionë në bisedimet për sulmuesin 34-vjeçar të Polonisë, të cilit i mbaron marrëveshja me kampionin gjerman në verën e vitit 2023.

Barça i ka ofruar 40 milionë plus 10 milionë të tjera bonuse të ndryshme, ndërsa Bayerni i kërkon së paku 50 milionë euro pa asnjë kusht.

Honigstein, nga dy mediume prestigjioze si Der Spiegel dhe The Athletic, jo gjithçka është e lehtë për Barcelonën në këto bisedime.

Duke folur për Football_Talk, Honigstein, tha: “Bayern Munich i ka thënë Barcelonës se nuk dëshiron asnjë ratë sepse nuk është i sigurt nëse klubi katalonas do të jetë ‘gjallë’ pas një apo dy viteve’, e tëra që Bayerni do është para kesh”.

Ky koment është në linjë me deklaratat e vazhdueshme të Uli Hoeness, ish-presidentit të Bayernit, tani president nderi, i cili beson se në Gjermani, Barcelona do të kishte falimentuar tanimë.

“Barcelona dëshiron ta marrë Lewandowskin kur kishte një borxh prej 1.3 miliard eurove para gjashtë muajve. Në Gjermani Barcelona do të kishte falimentuar para shumë kohësh. Gjykatësi i falimentimit i rri në derë e ajo bën ofertë milionëshe për një lojtar të Bayernit”, kishte thënë Hoeness kohë më parë.

Lewandowski ka kërkuar të largohet nga Bayerni këtë verë dhe këtë e ka bërë publikisht, por gjiganti gjerman nuk dëshiron ta lërë të ikë pa përfituar nga largimi i tij, duke qenë se ai ka edhe një vit kontratë me klubin.

Polaku e ka shijuar një periudhë tetëvjeçare shumë pjellore dhe me plot trofe në Bayern. Ai i ka shënuar 344 gola në 375 ndeshje për klubin, duke i fituar tetë tituj në Bundesligë dhe një në Ligën e Kampionëve.

Lajme të ngjashme