"Ia bëjmë ëndrrën realitet" - Laporta zotohet se do të bëjë gjithçka për ta kthyer Messin në Barcelonë - NACIONALE

"Ia bëjmë ëndrrën realitet" - Laporta zotohet se do të bëjë gjithçka për ta kthyer Messin në Barcelonë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, është zotuar se do të bëjë gjithçka që mundet për ta kthyer Lionel Messin në Camp Nou verën e ardhshme, kur marrëveshja me Paris Saint-Germainin t’i ketë mbaruar.

Messi, 35 vjeç, u largua nga gjiganti katalonas dhe iu bashkua gjigantit francez si lojtar i lirë në vitin 2021, duke i dhënë fund një karriere të bujshme 21-vjeçarë në Barcelonë, raporton Nacionale.

Laporta, i cili e pranoi se ndihet borxhli ndaj superyllit argjentinas, është i gatshëm të bëjë gjithçka në pushtetin e tij për ta joshur atë të kthehet në klub vitin e ardhshëm.

‘Ndihem borxhli ndaj Messit”, tha Laporta të premten.

“Dëshiroj që ai ta përfundojë karrierën në fanellën e Barçës dhe të duartrokitet në të gjitha stadiumet”.

“Ndihem pjesërisht fajtor për mënyrën se si përfunduan gjërat dhe ndiej se kjo është ndarje e përkohshme dhe ne do t’ia bëjmë ëndrrën realitet. Të paktën kjo është ëndrra”, nënvizoi ai.

Messi u largua nga Barcelona në gusht të vitit të kaluar, pasi klubi nuk ishte në gjendje ta regjistronte si lojtar të vetin, pavarësisht se kishin arritur marrëveshje, për shkak të rregullave financiare të La Ligës.

Largimi i tij nga klubi ku ishte rritur dhe kishte fituar gjithçka tronditi botën e sportit dhe Messi arriti marrëveshje me PSG-në, duke nënshkruar kontratë dyvjeçare me mundësinë për edhe një vit tjetër.

Messi shpërtheu në lot gjatë konferencës së lamtumirës por ai mund të kthehet aty ku lulëzoi vetëm dy vite pasi u detyrua të ikte, nëse Laporta është në gjendje ta orkestrojë një marrëveshje.

34-vjeçari i shënoi 670 gola dhe i dhuroi 302 asiste në 776 ndeshje në dy dekada të kaluara te Barcelona.

Robert Lewandowski, Raphinha, Franck Kessie, Andreas Christensen dhe Jules Kounde i janë bashkuar Barcelonës këtë verë, raporton Nacionale.

Kjo ka bërë që të ngrihen shumë pikëpyetje, duke qenë se telashet financiare të Barçës janë të dokumentuara shumë mirë, por klubi ka mbledhur para duke i shitur të drejtat televizive dhe Laporta është i etur për t’ua dëshmuar atyre që dyshojnë se Barcelona mbetet njëri prej gjigantëve më të mëdhenj në botën e futbollit.

Laporta do të shpresojë ta kthejë Messin në Camp Nou përmes një marrëveshjeje të financuar njëlloj si për blerjet e kësaj vere.

Lajme të ngjashme