Vdekjet në Francë u shtuan për 30 për qind gjatë javës më të nxehtë të vapës rekorde të qershorit - NACIONALE

Vdekjet në Francë u shtuan për 30 për qind gjatë javës më të nxehtë të vapës rekorde të qershorit

55 minuta më parë

nga NACIONALE

Numri i vdekjeve të regjistruara në Francë u shtua për afro 30 për qind gjatë javës më të nxehtë të valës rekorde të vapës që përfshiu një pjesë të madhe të Evropës muajin e kaluar, ka bërë të ditur autoriteti i shëndetit public, duke shtuar se pret që shifra të rritet edhe më tej.

Autoriteti i shëndetit publik në Francë tha të premten se është shënuar “rritje prej 29,1 për qind, ose një numër prej 2,025 vdekjesh në krahasim me javën e mëparshme”. Ky institucion tha se numri ndoshta është i nënvlerësuar dhe “vdekshmëria do të rritet më tej”, raporton gazeta “The Guardian”.

Shifrat e reja dhe ende të paplota e dyfishuan vlerësimin e mëparshëm prej të paktën 1.000 vdekjesh shtesë të paraqitura nga autoriteti i shëndetit publik të dielën e kaluar. Vlerësimi i mëhershëm mbulonte vetëm tri prej ditëve më të nxehta të vapës ekstreme.

Ministria e Shëndetësisë e Belgjikës tha se numri i përgjithshëm i vdekjeve nga vapa ekstreme është rreth 1.200 mes 18 e 29 qershorit, ndërsa 530 prej të vdekurve ishin 85-vjeçarë ose më të moshuar. Qeveria holandeze tha se vala e vapës ka shkaktuar rreth 480 vdekje, kryesisht të të moshuarve.

Shifra e përditësuar e autoriteteve francize e mbulon javën prej 22 deri më 28 qershor, gjatë të cilës Franca i regjistroi ditët e saj më të nxehta ndonjëherë. Rekordet e mëparshme të temperaturave më të larta të ditës dhe natës u thyen në qytete të ndryshme në mbarë vendin. Qindra rekorde të tjera u thyen edhe në pjesë të tjera të Evropës.

Vdekjet në shtëpi e shënuan rritjen më të madhe, pothuajse duke u dyfishuar brenda një jave, ndërsa Parisi ishte rajoni më i prekur, me një rritje prej 62 për qind, thuhet në raportin javor.

Lajme të ngjashme