Dardani i javës: Arbër Hoxha stuhi e vërtetë, me paraqitjet e fundit po i vetimponohet Kosovës - NACIONALE

Dardani i javës: Arbër Hoxha stuhi e vërtetë, me paraqitjet e fundit po i vetimponohet Kosovës

3 vjet më parë

nga Shpend Thaçi

Arbër Hoxha zhvilloi një tjetër paraqitje të madhe në fundjavën që lëmë pas. Ish-sulmuesi i Ballkanit po shënon një erupsion forme enorme. Ajo çfarë tregon në fushë është edhe një lloj vetimponimi që po i bën Kosovës.

Kosova ka një trafik lojtarësh që zënë dy pozitat e krahëve të sulmit. Arbër Hoxha krejt çfarë ka mundur të marrë vëmendje nga kombëtarja dardane ka qenë në dy grumbullime ku u zhvilluan më shumë ndeshje testuese të karakterit stërvitor sesa miqësore në vete (me Suedinë në janar 2020, respektivisht Gambian dhe Burkina Fason në qershor të 2021).

Ai është ftuar vetëm në listat kur janë përjashtuar lojtarët legjionarë. Një përjashtim jo dashakeqës, por forma e Rashicës, Zenelit, Rashanit, Zhegrovës, Bytyqit dhe me raste ajo e Kastratit – e pamundësonin çdo freski alternative jashtë këtyre emrave.

Sidoqoftë, me formën që po demonstron në javët e fundit me Slaven Belupon në kampionatin kroat, në një mënyrë apo tjetër po i vetimponohet Kosovës, veçmas para ndeshjeve të radhës miqësore në nëntor, që janë në program në datat 16 dhe 19 ndaj Armenisë, respektivisht Ishujve Faroe.

Gjatë fundjavës ishte lojtari që shënoi ndër golat më të bukur në vitet e fundit në kampionatin kroat kundër Rijekës, në fitoren që Slaven Belupo e arriti me rezultat 2:1. Ai ishte i pranishëm në aksionet e skuadrës së tij gjatë tërë ndeshjes.

Kjo është java e dytë rresht që Arbër Hoxha tregon më shumë sesa “dardanët” tjerë që ishin të angazhuar në fushë. Megjithëse, lojtarët si Muriqi, Muric, Daku dhe Zeneli vijuan me paraqitje të mira.

Edhe kësaj radhe, njësoj sikur në rastin e javës paraprake, kontributi i Hoxhës veçohet më shumë nga ideja se ka kontribuar në nxjerrjen e pikëve të plota nga dy ndeshje shumë të vështira, e aq më shumë kur dihet se nuk ka cilësinë më të madhe të mundshme në skuadër. Pra, falë tij ekipi ka marrë pikë maksimale që nuk korrespondojnë me objektivat e veta.

Statistikat e Arbër Hoxhës nga ndeshja e fundit

Arbër Hoxha shënoi një gol kryevepër ndaj Rijekës, por me kaq nuk mund të përkufizohet tërë paraqitja e tij. Ai ishte sinonim i një lojtari që bëri dallimin edhe në veçori tjera.

Ishte i saktë në 67% prej driblimeve që tentoi. Njashtu, kontribuoi shumë edhe në fazën defansive duke fituar 83% të dueleve.

Në përgjithësi ai pati 53% të aksioneve të nisura nga ai rezultuan të sakta. Në pjesë të dytë kjo përqindje shkoi deri në 57%.

Duhet pasur parasysh që Rijeka zotëron cilësi më të mëdha sesa Slaven Belupo, përkundër fitores së arritur. Kësisoj, Hoxha bëri vetëm një goditje në kuadrat, e cila rezultoi me gol të shënuar, e që ishte një bukuri e rrallë.
Po ashtu, edhe sa u takon pasimeve të sakta ai kishte një përqindje tejet të mirë: 75%.

Arbër Hoxha deri më tani ka shkuar në kuotën e pesë golave të shënuar në kampionat, ku ka bërë edhe një asist. Krejt këto numra në 13 paraqitje të bëra.

Sulmuesi 24-vjeçar kosovar mund të luajë në tre pozita të ndryshme: në këndet e sulmit, si dhe si qendërsulmues. Rolin e fundit e ka përvetësuar edhe më shumë gjatë këtyre javëve të fundit të kampionatit, ku shpesh ka luajtur edhe në atë pozitë të fushës, si “9-sh fals”




Lajme të ngjashme