Dardani i Javës: Arbër Hoxha po konfirmon se është zhvilluar si futbollist, interesimi i Shqipërisë jo i rastësishëm
Ish-sulmuesi i Ballkanit, Arbër Hoxha, më në fund po ia del që t’i tregojë vlerat e tij në futbollin kroat. Ai ishte i pandalshëm gjatë fundjavës, dukë shënuar dy gola të bukur, që ia mundësun ekipit të tij sigurimin e tre pikëve të arta.
Sa ishte pjesë e Ballkanit, së bashku me Mirlind Dakun dhe Jetmir Topallin identifikoheshin si “treshja fantastike” nën udhëheqjen e Ismet Munishit. Arbër Hoxha tani po ia del që të jetë lokomotivë për ekipin e tij Slaven Belupo.
Forma e javëve të fundit më së miri e legjitimon se sa shumë është në zhvillim e sipër si futbollist. Të premten në fitoren 2-0 në udhëtim kundër Sibenikut ishte protagonisti kryesor në fushë.
Së bashku me Mirlind Dakun ishin dy lojtarët “dardanë” më të dalluar të fundjavës, por peshorja më shumë anon nga Hoxha për të vetmen arsye që kishte më shumë ndikim në pikët e siguruara dhe - njashtu - kishte të bënte me një ndeshje më të vështirë sesa ish-bashkëlojtari i tij, Daku.
Katër gola deri më tani dhe një asist në kampionatin aktual, duke i ndihmuar ekipit të tij të ngjitet në pozitën e 4-të tabelore, gjë që ishte jashtë pritshmërive, marrë parasysh që po flasim për një klub që operon me një buxhetor vjetor shumë më inferior sesa Rijeka, Hajduku, Osijeku apo Dinamo Zagrebi dhe disa të tjera skuadra.

Në bazë të paraqitjeve të fundit që ka dëshmuar në Superligën kroate ai ka legjitimuar në tërësi raportimet e medieve në Kroaci për një interesim të Kombëtares së Shqipërisë për të.
Siç dihet kombëtarja “kuqezi” vazhdimisht ka vuajtur për lojtarë shpërthyes në krahët e sulmit dhe një përmirësim i tillë i hovshëm nga sulmuesi teknik kosovar nuk është se i ka lënë indiferentë as ata. Me formën e sotme që po gëzon ai këtë interesim po e legjitimon në tërësi.
Te Kosova ishte grumbulluar për herë të fundit në dy miqësoret e zhvilluara në Turqi kundër Guineas dhe Gambisë në qershorin e vitit të kaluar. Në të dy rastet kishte luajtur vetëm për një pjesëlojë, ndërsa në paraqitjen ndaj Gambisë kishte shënuar edhe golin e fitores.

Thënë sinqerisht, ai tre herë sa është ftuar nga Kosova (duke llogaritur edhe miqësoren ndaj Suedisë në janar të vitit 2020), kanë qenë grumbullime ku janë ftuar kryesisht vetëm lojtarë të Superligës së Kosovës. Pra, asnjëherë duke u konsideruar në listën kryesore të lojtarëve për t'u ftuar në kualifikime të rregullta apo në miqësore zyrtare, pasi Kosova edhe ashtu ka një mbingarkesë në pozitat e krahëve të sulmit, me një mori lojtarësh që aktivizohen edhe në kampionate relativisht cilësorë.
Si rrufe kundër Sibenikut
Arbër Hoxha ishte më shumë sesa një sulmues i zakonshëm në fushë në ndeshjen e fundjavës. Ai ishte një lider i kudondodhur, duke u elektrizuar në çdo kontakt me topin.
Në fakt, pa fije dyshimi kjo ishte paraqitja më e kompletuar e tij nëse shihet nga minuta e parë e deri në fund të ndeshjes.
Jo vetëm që shënoi dy gola shumë të bukur, ku njëri prej tyre ishte mbresëlënës (konkretisht ai i dyti, nga distanca), por edhe ishte rrufe e pandalshëm për mbrojtësit e Sibenikut.
Kësisoj, ai krijoi dy aksione që dolën të ishin si raste tejet të volitshme shënimi, duke bërë që t’i nxjerrte bashkëlojtarët para portës me pasimet e tij. Për fatin e keq të tij dhe të skuadrës, aksionet në fjalë u shpërdoruan, pa mundur të finalizoheshin me tundje të rrjetës.
Në këtë paraqitje kishte të gjitha tiparet në anën e tij: duelet e fituara në sulm ndaj mbrojtësve kundërshtarë (46%), dy pasime vertikale të mirëfillta, tre goditje në kuadrat të portës, 67% të aksioneve ku ai mori pjesë e që rezultuan të suksesshme dhe driblimet (7) ku përqindja e saktësisë ishte surreale (86%).

Pas përfundimit të kësaj ndeshje shtypi kroat e glorifikoi atë, duke thënë se është shndërruar në njërin prej lojtarëve kryesorë të ekipit, që po ndihmon të arkëtojë pikë të reja në tabelë.
Sot, Slaven Belupo fitoi një ndeshje të radhës, atë të Kupës së Kroacisë, duke mposhtur Solin me rezultat 1-2. Në këtë ndeshje titullar luajti Arb Manaj, sulmuesi kosovar, i cili po ashtu është pjesë e Slaven Belupo, por që nuk po gjen minuta si titullar në kampionat.
Ndërkaq Arbër Hoxha u pushua, duke u lënë në stol, konsideruar faktin se orari është i stërngjeshur në këtë periudhë kohore dhe futbolli kroat nuk bën përjashtim nga kampionatet tjera, ku ekipet nga tani e deri në fillimin e Botërorit do t’i luajnë shumë ndeshje të njëpasnjëshme.
Ndeshja e radhës që do të luhet në kampionat për Slaven Belupon është ajo ndaj Rijekës, të dielën me fillim në ora 17:10.

