Bekaj shkëlqeu edhe në derbin e Tiranës, vazhdon përmirësimin konstant
Visar Bekaj zhvilloi një tjetër paraqitje të mirë. Dje, në kuadër të derbit të Tiranës, përfaqësuesi kosovar bëri edhe një pritje drithëruese në fundin e ndeshjes, sa për ta konfirmuar formën e mahnitshme në të cilën po kalon.
Portieri 25-vjeç prishtinas, Visar Bekaj, vazhdon të demonstrojë një shkallë të lartë të formës me fanellën e “bardhekaltërve”. I tillë ishte edhe mbrëmë në derbin e zjarrët lokal kundër Partizanit.
Anipse Tirana kësaj radhe humbi 1:0 falë golit që shënoi në minutën e 4-t ylli i ri shqiptar, Xhuliano Skuka, portieri dardan ishte më meritori përse skuadra e tij në rrethana të caktuara nuk pësoi ndonjë gol shtesë, që do të mund t’i jepte një ngjyrë tjetër ndeshjes.

Një fluturim drithërues në minutën e 92-të bëri që t’i mohohej një gol i sigurt Carës. Në fakt, sulmuesi 22-vjeç i Partizanit bëri gjithçka mirë. Goditja e tij ishte e befasishme, e fuqishme dhe teknikisht optimale.
Mirëpo, Bekaj me një hedhje të mrekullueshme në këndin e majtë të portës së tij, arriti që ta devijojë topin në këndore, duke shmangur kështu dyfishimin e epërsisë për “Demat e Kuq”.
Pjekuri, siguri dhe lidership portieri i Kombëtares së Kosovës tregoi edhe gjatë gjithë ndeshjes. Ai mbetet njëra prej shtyllave kryesore dhe më të forta të ekipit kryeqytetas, i cili tani duhet t’i bëjë llogaritë me një dallim prej katër pikëve nga Partizani, që udhëheq në renditjen tabelore.
Bekaj ishte edhe cak i hedhjeve të gjësendeve nga tifozëria e Partizanit. E njëjta gjë vlente edhe për portierin Hoxha, që gjithashtu vihej në rrezik nga hedhja e gjërave të ndryshme.

Posaçërisht Bekaj u pa teksa protestonte në shumë raste te delegati i ndeshjes dhe vetë ekipi i gjyqtarëve, sepse topat e kartës dhe mjetet piroteknike që hidheshin në zonën e 16-metërshit shkaktonin një rrezik mjaft të konsiderueshëm, me ç’rast ai mund ta pësonte me ndonjë lëndim nga momenti në moment.

Bëhet fjalë për një ndeshje ku vetë fillimi i saj u shty për tetë minuta, ndërsa më vonë edhe gjatë pjesës së dytë u pezullua për më shumë se dymbëdhjetë minuta, gjithmonë për arsye të njëjta.
Loja me këmbë
Njëra prej të metave më të theksuara të Bekajt gjatë viteve të mëparshme ka qenë loja me këmbë. Edhe në Superligë sa ishte pjesë e Prishtinës na kishte mësuar me pritje të mira, shpesh edhe spektakolare, por loja me këmbë nuk kishte qenë arma e tij më e fortë.
Në dy sezonet e fundit me Tiranën ai ka filluar të prosperojë edhe në këtë drejtim. Në ndeshjen e djeshme kishte një përqindje prej hiç më pak se 96% të pasimeve të sakta, duke përcjellë kështu një siguri solide edhe te pjesa tjetër e bashkëlojtarëve.
Nëse loja me pasimet e shkurtëra e trajnerit Shehi fillon nga lojtari i fundit, që në këtë rast llogaritet Bekaj, ajo mund të quhet një nisje e mbarë, pasi me topin në pronësi ka minimizuar tej mase gabimet.

Nga 27 pasime që bëri dje, vetëm një e gaboi. Duhet theksuar faktin që 11 prej tyre ishin me topin në lëvizje.
Kështu ai po shënon edhe një tjetër hap të zhvillimit të tij si portier, që ishte shumë e nevojshme, veçanërisht duke ditur se si ka ndryshuar mënyra e lojës për portierët në më shumë se një dekadë.
E ardhmja
Visar Bekajt i mungojnë diç më shumë se gjashtë muaj deri në përfundimin e kontratës me Tiranën.
Vetë ai është treguar mjaft i rezervuar sa herë që është pyetur në lidhje me të ardhmen e tij.
Marrë parasysh faktin që deri tani nuk ka asnjë shenjë se do ta vazhdojë kontratën me kryeqytetasit, kjo lë të nënkuptojë se nga vera e ardhshme me shumë gjasë do të jetë një lojtar i lirë.
Të qenët një futbollist që mund të lëvizë gjetiu në parametra zero i mundëson atij që ta ketë veë nën kontroll të ardhmen, pa u ndikuar nga faktorë të jashtëm, si një palë e tretë, që në këtë rast do të ishte klubi.

Sido që të jetë, deri më tani nuk ka treguar shenja të shpërqendrimit nga një gjë e tillë. Niveli i paraqitjeve të tij nuk ka shënuar ndonjë lëkundje.
Në sezonin aktual në Superiore ka bërë 14 paraqitje. Në më shumë se gjysmën e herave (në 8 ndeshje) ka arritur që ta mbajë portën e patundur.
Më në fund edhe me Kombëtaren e Kosovës nën drejtimin e përzgjedhësit Alain Giresse arriti që ta zhvillojë një ndeshje si titullar.
Ai ishte kapiten i skuadrës në barazimin 2:2 kundër Armenisë, në miqësoren e cila u zhvillua më 16 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri”.


