Shëndetësia në Kosovë pa zot shtëpie, shumë pozita me ushtrues detyre - NACIONALE

Shëndetësia në Kosovë pa zot shtëpie, shumë pozita me ushtrues detyre

1 vit më parë

nga Gentiana Hasani

Dy institucionet më të rëndësishme të shëndetësisë në Kosovë - Ministria e Shëndetësisë e Shërbimi Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) – janë duke u udhëhequr nga ushtruesit e detyrës. Pas dorëheqjes së mjekut Rifat Latifi më 6 tetor të këtij viti, MSh-ja udhëhiqet nga një ministre me mandat të përkohshëm. Pra janë bërë rrafsh 50 ditë që nga koha kur ky institucion shëndetësor drejtohet nga u.d., Dr. Dafina Gexha - Bunjaku. Gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes, Gexha - Bunjaku dy herë e mori pozitën e u.d. të ministres.

Por gjendja e njëjtë vazhdon edhe në Shërbimin Klinik dhe Universitar të Kosovës. Edhe ky institucion vazhdon të udhëhiqet që 115 ditë me ushtrues detyre. Kjo pas dorëheqjes së infektologut Valbon Krasniqi nga pozita e drejtorit të ShSKUK-së.

Që nga 2 gushti, ShSKUK-ja udhëhiqet nga gjinekologia Pranvera Zejnullahu - Raci.

E brenda ShSKUK-së janë ende disa klinika që nuk kanë zot shtëpie.

Klinika ku trajtohen rastet më të ndjeshme në Kosovë, ajo e Onkologjisë, vazhdon të udhëhiqet nga onkologu Arben Bislimi, i cili është ushtrues detyre i drejtorit në këtë klinikë.

E me mandat të shkurtër vazhdon të jetë edhe pozita e drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj.

Për këto dy problematika, pra për drejtorin e Onkologjisë e drejtorin e Spitalit të Ferizajt, së shpejti pritet që të zgjidhet situata. Të paktën kështu i thanë Nacionales zyrtarë të ShSKUK-së.

“Në fazën e parë, ShSKUK-ja i ka zgjedhur përmes konkursit publik drejtorët e klinikave dhe spitaleve, përjashtuar Klinikën e Onkologjisë dhe spitalin e Ferizajt”- kanë thënë nga zyra për medie e ShSKUK-së për Nacionalen.

Megjithatë, edhe në spitalet rajonale në vend ka pozita që vazhdojnë që të funksionojnë me ushtrues detyre.

Në spitalin e Vushtrrisë janë më dhjetëra pozita të tilla. Sipas shefit të personelit, Abdullah Klinaku, janë disa pozita që në këtë spital vazhdojnë të funksionojnë me ushtrues detyre.

Bëhet fjalë për shefat e Emergjencës, Kirurgjisë, Bllokut Operativ, Pediatrisë, Maternitetit, Radiologjisë e Internos, që janë në pozita me ushtrues detyre.

Edhe për këtë punë, nga ShSKUK-ja deklarojnë se shpejt do ta zgjidhin situatën.

“Në fazën e dytë do të procedohen konkurset edhe për pozicionet e tjera përfshirë shefat e reparteve dhe pozitave të tjera me UD”- thuhet në përgjigjen e ShSKUK-së dhënë Nacionales.

Për më tepër, në gjendje hiç më të mirë nuk është as spitali i Përgjithshëm në Mitrovicë.

“UD shefi i kirurgjisë, UD kryeinfermierja e kirurgjisë, UD shefi i ortopedisë, UD kryeinfermieri i kirurgjisë, UD shefi i urologjisë, UD kryeinfermieri i urologjisë, UD shefi i ORL-së, UD kryeinfermieri i ORL-së, UD shefi i Oftalmologjisë, UD kryeinfermierja e Oftalmologjisë” janë vetëm disa prej pozitave që funksionojnë me ushtrues detyre.

“Nijeti” i Qeverisë për sektorin e Shëndetësisë

Kushdo që pyet dikë se kush është ministër i shëndetësisë në Kosovë, do të mbesë pa përgjigje. Kjo ngase qytetarët as vetë s’e dinë se kush është i zoti i shtëpisë së institucionit që është jetik për jetën e tyre në shumë raste, pra Ministria së Shëndetësisë.

Që nga data 6 tetor, vendi është pa ministër të Shëndetësisë, të emëruar zyrtarisht, ani pse punën si u.d. e ministrit po e vazhdon Dr. Dafina Gexha – Bunjaku.

Sidoqoftë, Qeveria, siç duket, ende nuk ka reflektuar karshi emërimit të ministrit të ri.

Qeveria Kurti kishte mbetur pa ministër të Shëndetësisë edhe në vitin 2021. Më 1 tetor kishte dhënë dorëheqje Arben Vitia, i cili nuk ishte zëvendësuar deri më 15 nëntor.

Opozita e kërkon emërimin e shpejtë të ministrit të Shëndetësisë

Reflektim më të shpejtë të Qeverisë po kërkojnë nga ana e opozitës kosovare, gjegjësisht anëtarët e Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj, në një prononcim për Nacionalen theksoi se sektori i shëndetësisë nuk mund të funksionojë pa prani të ministrit.

“Sinqerisht, situata në shëndetësi nuk është e mirë dhe duhet të zgjidhet sa më parë. Ministria të funksionojë pa prani të ministrit, nuk është në rregull, ndërsa përgjegjësitë t’i mbajë mbi vete kryeministri, i cili ka mjaft obligime të tjera”- thotë Dreshaj.

Doktor Dreshaj thotë se shëndetësia në Kosovë nuk ka qenë asnjëherë prioritet i kësaj qeverie.

“Shëndetësia është problematike gjithkund në botë. Shëndetësia në Kosovë nuk ka qenë asnjëherë prioritet i qeverisjes së vendit e as i kësaj qeverie, aq më pak kur kjo qeveri vjen me 50% të buxhetit të reduktuar në shëndetësi dhe merret me disa infuzione, siç është rasti me 4 milionë [euro] për barna esenciale. Politikat shëndetësore duhet të ndërrohen komplet me ligjin për sigurinë shëndetësore. Sa më urgjente për shëndetësinë dhe të mos na largohen mjekët, është të sillet ligji i pagave”- tha ai.

Nga Shoqata për Mbrojtjen dhe të Drejtat e Pacientëve thonë se pas dorëheqjes së Latifit, ky komision ekzekutiv do të duhej t’i shpeshtonte takimet. Besim Kodra nga kjo shoqatë thekson se problemet në shëndetësi vetëm se janë thelluar edhe më shumë.

"Pas dorëheqjes së Latifit, unë besoj që Kurti është dashur që më shpesh ta mbledhë komisionin. E para, që të diskutojë rreth emrit potencial të ministrit të Shëndetësisë. Me largimin e ministrit nuk kanë përfunduar problemet në shëndetësi, ato veç janë rritur”- thotë Kodra.

Ai tha se nga dy ministra të Shëndetësisë, (duke aluduar në Kurtin e Latifin), Kosova mbeti pa asnjë.

“Realisht, ne një herë i patëm dy ministra të Shëndetësisë. Tash s'po e kemi asnjë. Njëherë, nuk e patëm të qartë kush me i kry punët e shëndetësisë, tash s'po i kryen asnjëri. Problemin e ministrit të Shëndetësisë qeveria duhet ta ketë shumë me urgjencë”- shtoi Kodra.

Lajme të ngjashme