Sakatimi i shëndetësisë kosovare: QKUK-ja me pak mjekë, shumë pacientë e shumë kërkesa - NACIONALE

Sakatimi i shëndetësisë kosovare: QKUK-ja me pak mjekë, shumë pacientë e shumë kërkesa

1 vit më parë

nga Gentiana Hasani

Spitalet publike kosovare rrezikojnë të mbesin pa profesionistë shëndetësorë - mjekë e infermierë. Dita- ditës, Qendra Klinike Universitare e Kosovës po zbrazet nga mantelbardhët. Për nëntë muajt e këtij viti, mbi 150 mjekë kosovarë e kanë lëshuar vendin e punës. Mungesa e anesteziologëve dhe të infermierëve janë më të vërejtshmet në QKUK dhe, sipas të gjitha gjasave, ato nuk do të mund të adresohen së shpejti.

Përveç klinikës së Anesteziologjisë së QKUK-së, që ka mungesa të theksuara të anesteziologëve e për të cilat kemi raportuar në vazhdimësi, në situatë kritike është edhe klinika e ORL-së.

Në këtë klinikë, për nëntë muaj, tre mjekë e kanë dorëzuar zyrtarisht detyrën, duke e braktisur kështu sektorin publik. Në ShSKUK nuk e kanë komentuar largimin e tyre, veçse gazetës nga ky institucion i thanë se së shpejti të njëjtit do të zëvendësohen.

Sidoqoftë, nga zyra e ShSKUK-së thanë dhanë pak hollësi për Nacionalen për largimin e këtyre mjekëve.

“Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ju njofton se gjatë këtij viti 3 mjekë, të cilët ishin të angazhuar në Klinikën e ORL-së, i kanë shkëputur me vetëdëshirë kontratat e punës me ShSKUK-në. Brenda afatit sa më të shkurtër kohor, ShSKUK-ja do të hapë konkurs publik për dy specialistë të rinj, duke e respektuar legjislacionin përkatës në fuqi”- thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së dhënë Nacionales.

Ish-drejtori i Klinikës së ORL-së e la punën në QKUK

Megjithatë, situata në këtë institucion shëndetësor po duket mjaftë shqetësuese. Drejtori Arsim Behramaj po deklaron se mjekët kanë shkuar në sektorin privat.

Madje ai alarmon se nëse vazhdon ky trend i ikjes së mjekëve nga kjo klinikë, atëherë po paraqitet rreziku edhe për mbylljen e saj.

Në disa reparte, mjekët e kanë lëshuar klinikën, kanë shkuar në privat. Punën e kanë lëshuar tre mjekë, këto kohët e fundit tre e kanë lëshuar. Këta kanë qenë në repart të fytit dhe në repart të fëmijëve. Me lënë punën edhe ndonjëri prej nesh, po rrezikohet mbyllja e ORL-së, normal që mbyllet, nuk ka kush punon”- deklaroi ai.

Punën në këtë klinikë, para më pak se dy muajve, e ka lënë edhe ish-drejtori i saj, Dr. Hajdin Thaqi.

“Po, e kam lënë punën në QKUK. Kjo ka ndodhë për arsye personale dhe ka të bëjë me shëndetin. Vendimi është i pakthyeshëm”- pati thënë Thaqi për gazetën.

Pak mjekë - shumë pacientë e kërkesa

E ngarkesa në punë si pasojë e mungesës së profesionistëve shëndetësorë po kanë edhe mjekët që janë aktivë në ORL-në e QKUK-së.

Doktori Xhevdet Latifi thotë për Nacionalen se “sherrin” atyre që ikën po ua shohin mjekët që janë ende duke punuar aty.

"Normal që nuk është mirë, sepse është ngarkesë për stafin tjetër. Ne po mundohemi që t'i kompensojmë mungesat deri në plotësimin e stafit. Realisht, jemi keq për momentin. Krejt repartet e obligimet po duhet t'i kryejmë këta që jemi. Unë personalisht nuk jam duke e shqyrtuar largimin nga QKUK-ja"- tha Latifi.

Për më tepër, edhe Klinikën e Pediatrisë së QKUK-së këtë viti e kanë braktisur disa pediatër.

Hajdin Imeri dhe Avdi Murati, të dy pediatër të pulmologjisë, a kanë lëshuar punën në QKUK për ta vazhduar atë në sektorin privat.

Opozita ia ngreh veshët Qeverisë për gjendjen në shëndetësi

Të pakënaqur me qasjen e Qeverisë karshi mantelbardhëve janë deputetët e opozitës, disa nga ta me profesion mjekë.

Infektologu Shemsedin Dreshaj thotë se shteti ua ka kthyer shpinën mjekëve.

“Në investime kapitale kanë qenë 0 për qind të realizuara në sektorin e shëndetësisë. A ka vend që shëndetësia të jetë vend debati e të kthehet në prioritet? Ministria e Shëndetësisë ka rritje të buxhetit rreth 13 për qind, por në aspektin e pagave ka qenë 13 milionë e jemi prapë 13 milion. Pra heronjtë e vendit, që ishin dje në pandemi, sot u shënuan heronj në letër e jo në vepër. Mos të harrojmë: Kina ka filluar të mbyllet për shkak të koronavirusit”- tha Dreshaj gjatë seancës së Kuvendit.

Për ikjen e mjekëve foli edhe ish-ministri i shëndetësisë, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

Ai ka thënë se vetëm gjatë viteve 2021 dhe 2022, rreth 350 mjekë e kanë lëshuar Kosovën. Kështu ka thënë ai në seancën e Kuvendit, ku u shqyrtua në lexim të parë projektligji për buxhetin për vitin 2023.

“191 mjekë janë larguar vetëm në vitin 2022. 159 mjekë janë larguar në vitin 2021”- tha ai.

E shumë mantelbardhë të tjerë kosovarë, përfshirë këtu edhe specialistët e anesteziologjisë, por edhe infermierë e mami e staf tjerë ndihmës, po e lënë punën shtetërore, duke preferuar që të punojnë në institucione private apo edhe jashtë vendit.

Qe dy herë periudha të gjata pa ministër: Z. Kurti, ku mbeti ministri i ri i shëndetësisë?

Kushdo që pyet dikë se kush është ministër i shëndetësisë në Kosovë, do të mbes pa përgjigje. Kjo ngase qytetarët as vet s’e dinë se kush është i zoti i shtëpisë së institucionit që është jetik për jetën e tyre në shumë raste, pra Ministrisë së Shëndetësisë.

Që nga data 6 tetor vendi është pa ministër të shëndetësisë, të emëruar zyrtarisht ani pse punën si U.D e ministrit po i vazhdon Dr. Dafina Gexha – Bunjaku. Kjo pas dorëheqjes së dr. Rifatit nga pozita e ministrit.

Por, Qeveria siç duket ende nuk ka reflektuar karshi emërimit të ministrit të ri.

Qeveria Kurti kishte mbetur pa ministër të shëndetësisë edhe në vitin 2021. Më 1 tetor kishte dhënë dorëheqje Arben Vitia, dhe i cili nuk ishte zëvendësuar deri më 15 nëntor./Nacionale.com/

Lajme të ngjashme