Historia e klinikës "fantazmë" brenda QKUK-së ku gjuhen shtretër të prishur - NACIONALE

Historia e klinikës "fantazmë" brenda QKUK-së ku gjuhen shtretër të prishur

1 vit më parë

nga Gentiana Hasani

Në Klinikat e QKUK-së ka raste kur nuk ka shtretër të lirë për të pranuar pacientë që kanë nevojë për trajtim mjekësor. Si rrjedhojë, pacientët detyrohen të presin me orë të tëra deri në sigurimin e një shtrati për ta nga ekipi i QKUK-së. Sidoqoftë, janë mijëra shtretër që në rrethana të ndryshme janë prishur në klinikat e këtij institucioni shëndetësor. Këta shtretër “strehë” kanë gjetur në një objekt, misioni i të cilit nuk ka qenë aspak shndërrimi në depo - në objektin e Klinikës së re të Emergjencës në QKUK. Ky objekt nuk u bë tash e pesë vjet.

Dyshekë, mbulesa, shtretër, karrige e shumë gjëra të tjera mund të shihen në objektin e Emergjencës së Re, që gjendet brenda hapësirave të QKUK-së. Ky objekt tash e disa vjet ka mbetur vetëm në fazën e ndërtimit të vrazhdë.

Për gjithçka tjetër ky objekt tash po përdoret, e jo për të ofruar shërbime mjekësore. E brenda hapësirave, aty për tetë orë të ditës qëndron një person.

61-vjeçari që i rregullon shtretërit e të hospitalizuarve në QKUK

Pa kushte elementare për punë, Jakup Vitia, 61-vjeçar, kryen një mision të veçantë, atë të riparimit të shtretërve, karrocave e orendive të ndryshme që gjenden brenda klinikave të QKUK-së. Me darë në dorë, Vitia shëtit në hapësirën gjigande të objektit të ri të Emergjencës së QKUK-së ku për tetë orë, riparon shtretër, karrige, karroca e shumë gjëra të tjera.

Jakup Vitia, i cili me profesion është teknik i shërbimeve të posaçme, në një bisedë për Nacionalen ka treguar për sfidat me të cilat ballafaqohet gjatë kryerjes së detyrës së tij.

“Orarin e punës e filloj prej orës shtatë të mëngjesit deri në orën 15:00. Me pasë pjesë rezervë të gatshme, gjashtë ose shtatë shtretër në ditë unë i ndreqi, por më duhet me shku në klinika me pa se cila pjesë i është dëmtu shtratit, me ardhë këtu, me hallakatë nëpër shtretër që i kanë sjellë këtu edhe me ia përshtatë pjesën. Që nëntë vjet jam duke e ba këtë punë. Në këto hapësira me ka ra edhe vjet me punu,” - thotë z. Vitia.

Ai e tregon edhe ndjesitë e tij, kur rregullon një shtrat për njërin nga pacientët e QKUK-së.

“Me jua thanë të drejtën, kur arrij që ta rregulloj shtratin, e ndiej veten shumë të kënaqun, tepër të kënaqun. Kur nuk mundem me kry punë, e ndiej veten shumë keq. Punën e mundin tim nuk i kursej. S’ka ndodh deri tash me mbetë pa u ndihmu pacientëve,” - thotë ndër të tjera punëtori i moshuar.

Jakup Vitia ka vite që në QKUK i rregullon shtretërit, karrocat që i përdorin pacientët për terapi, orenditë e ndryshme e shumë gjëra të tjera.

Kush po i prish shtretërit e klinikave të QKUK-së

61-vjeçari rrëfen së në të shumtën e herëve, ata që i prishin shtretërit e pacientëve, janë vetë familjarët e tyre.

Pacientët nuk i prishin shtretërit kurrë. Palët krejt po i prishin. Qe, tash isha në klinikën e Ortopedisë, hyra në dhomë të pacientëve, i pashë katër veta ulë në shtrat të pacientit. Nuk u durova dhe u thashë: “Pse kështu?”. Te pacienti s'duhet me qëndru më shumë se pesë minuta. Shtrati nuk është për katër veta. I ka dërrasat e plastikës, që thyhen lehtë. Pjesë rezervë për to nuk kemi. Shtretërit e pacientëve barten edhe nëpër oborr të QKUK-së me pacientët”, thotë ai.

E nga ShSKUK-ja i thanë Nacionales së tashmë kanë lëshuar një urdhëresë që të minimizohen qëndrimet e palëve me pacientët në dhomat e klinikave të QKUK-së.

"Në njoftimin për qarkoret e lëshuara nga Qendra Klinike e Universitare të Kosovës është edhe ajo për ndalimin e palëve me qëllim të uljes së infeksioneve brendaspitalore, sidomos për rastet e lehta që nuk kanë nevojë për me pasë shoqërues tjetër. Urdhëresa shërben për të gjitha klinikat e QKUK-së", kanë thënë për Nacionalen nga zyra e ShSKUK-së.

4.5 milionë euro për ndërtimin e objektit “fantazmë” të Emergjencës së Re

Që nga viti 2017 e deri më sot, për objektin e Emergjencës së Re në QKUK, Ministria e Shëndetësisë ka paguar afër 4.5 milionë euro.

Ministria e Shëndetësisë për periudhën 2017-19 ia dha 4.25 milionë euro operatorit ekonomik, “AL-Trade”, kompani që i ndërpreu punimet dy muaj para afatit të përfundimit.

Në vitin 2020, ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, pati deklaruar se hapësirat e Emergjencës së Re kishte në plan t’i shndërrojë në spital për Covid-19. Për këtë punë madje u nënshkrua edhe një kontratë e re për projektim dhe mbikëqyrje të punimeve.

Sidoqoftë, as kjo nuk u finalizua, ngase tenderi i fazës së dytë, ajo për ndërtimin dhe adaptimin e këtyre hapësirave, u anulua në prill të vitit 2021 me arsyetimin se nuk ka linjë buxhetore.

Megjithatë, objekti në fjalë u synua që të funksionalizohej në mandatin e tashmë ish-ministrit Rifat Latifi, i cili kishte thënë se për këtë po punohet një projekt i hollësishëm dhe se Qendra e Traumës mendohej të vendosej në këtë objekt. Megjithatë, as ky propozim i Latifit, si duket, nuk do të jetësohet pas dorëheqjes së tij nga pozita e ministrit të Shëndetësisë./Nacionale.com/

Lajme të ngjashme