Privati ia ‘gëlltit’ QKUK-së anesteziologët - NACIONALE

Privati ia ‘gëlltit’ QKUK-së anesteziologët

1 vit më parë

nga Gentiana Hasani

Tre anesteziologë e braktisën QKUK-në gjatë dy javëve të fundit. Këta e lanë publikun për ta vazhduar kështu punën në sektorin privat, aty, ku rrogat për ta, po dalin të jenë shumë më të majme, krahasuar me sektorin publik. E në vitin 2020, QKUK-në e kanë braktisur 17 anesteziologë, ndërsa dy prej tyre kanë ndërruar jetë.

Por sherrin, largimit të këtyre anesteziologëve po ia shohin pacientët e QKUK-së.

Si rrjedhojë e mungesës së tyre, në shumë klinika të këtij institucioni shëndetësor janë krijuar lista të pritjes.

Në të gjithë QKUK-në për momentin janë vetëm 51 anesteziologë të cilët duhet të shërbejnë për 40 njësi punuese, 3 njësi intensive dhe emergjencën.

E kjo situatë po shihet shqetësuese nga ana e profesionistëve shëndetësorë. Sipas drejtorit Gazmend Spahia, puna në këto kushte në QKUK është shumë e vështirë të realizohet.

“51 anesteziologë i kemi. Para dy javëve, tre anesteziologë e kanë nënshkrua draftin me e lëshu punën. Po flitet edhe për të tjerë, por zyrtarisht nuk kam ende asnjë kërkesë. Po është shumë i vështirë menaxhimi, sepse me punu në 40 njësi punuese me i mbajt 3 njësi intensive, emergjencën e sallat operative po është shumë vështirë”, deklaron Spahia.

Ne tash i kemi shpeshtua kujdestaritë, jemi në çdo të gjashtën ditë kujdestar. nëse dikush shkon në pushim neve na bjen çdo të tretën ditë në kujdestari.”, thotë ai.

Doktori, shpjegon edhe arsyet që po çojnë në largimin e këtyre anesteziologëve nga QKUK-ja.

“Arsyeja kryesore pse këta të rijnë po ikin nga vendi është rritja e pagës. Kolegët tanë po dalin në sektorin privat se po marrin paga shumë më të mëdha”, thotë ai.

Spahia ka thënë se aktualisht kanë nevojë edhe për 70 anesteziologë, duke e quar numrin në 120, sa është parallogaritja.

E ky numër i anesteziologëve sa ka aktualisht QKUK-ja, po konsiderohet i pamjaftueshëm për të kryer të gjitha shërbimet mjekësore që nevojiten.

Nga mungesa e këtyre specialistëve në klinikat kosovare po krijohen lista të gjata të pritjes së pacientëve. Afro 2 mijë pacientë e presin një anesteziolog në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare.

Aktualisht në këtë klinikë vetëm një sallë është në shfrytëzim për shkak se tash e një muaj klinika ka vetëm një anesteziolog.

Sipas drejtorit, për aq kohë sa klinika kishte dy anesteziologë vëllimi i punës ka qenë më i lartë, mirëpo me vetëm një anesteziolog ai thotë se nuk mund të kryhen më tepër intervenime, duke potencuar edhe mungesën e shtretërve për hospitalizim të pacientëve.

“Në klinikën tonë momentalisht vetëm një sallë punon pasi në funksion e kemi vetëm një anesteziolog e në atë sallë duhet të kryen intervenime të cilat nëse nuk kryhen mund të kenë pasoja të gjata për pacientin. Arsyeja se përse kemi listë të pritjes ne në Klinikë është nga mungesa e anesteziologëve”, ka deklaruar për Nacionalen, mjeku i Klinikës Vasklulare të QKUK-së, Hajriz Rudari.

Si pasojë e mungesës së anesteziologëve në shumë klinika të QKUK-së janë krijuar lista të gjata të pritjes.

Listë të pritjes deri në katër vite ka edhe në Klinikën e Ortopedisë. Edhe aty sipas drejtorit, Gani Jashanica, ka mungesë të anesteziologëve.

"Ne kemi listë të gjatë të pritjes në Klinikën tonë për intervenime. Ka ndikuar mos-furnizimi me material por edhe mungesa e anesteziologëve. Ka disa anesteziologë që po ikin, ne po pësojmë. Sepse anesteziologët tanë po i marrin me shërbye në intensive dhe normalisht pastaj që krijohen probleme", kishte thënë Jashanica për Nacionalen.

Nga QKUK-ja u largua edhe edhe ish-drejtori i ORL-së Hajdin Thaqi

Për dekada ka shërbyer në Klinikën e ORL-së së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Por, doktorin, Hajdin Thqi, më nuk do të mund ta gjejmë në këtë klinikë.

Ai përfundimisht e ka lënë punën në institucionin publik, QKUK. Këtë e ka konfirmuar për Nacionalen vet mjeku Thaqi.

“Po, e kam lënë punën në QKUK. Kjo ka ndodhë për arsye personale dhe ka të bëjë me shëndetin. Vendimi është i pakthyeshëm”, ka thënë Thaqi për gazetën.

Podujevën për 7 muaj e braktisën 7 mjekë të përgjithshëm

Edhe në komunën e Podujevës përgjatë këtyre muajve të fundit, shumë mjekë e kanë lënë punën duke shkuar për të shërbyer kështu kryesisht në Gjermani.

Kështu po deklaron për Nacionalen, drejtori i Shëndetësisë, Driton Veliu.

“Prej fillimit të vitit 2022 në komunën tonë mbi 7 profesionist shëndetësor kanë braktisur vendet e punës. Të gjithë këta kanë qenë mjekë të përgjithshëm. Ndërkohë i kam edhe dy paralajmërime nga dy mjeke se do ta lëshojnë vendin e punës”, thotë ai.

Por, ai paralajmëron se nëse vazhdohet me këtë trend, atëherë disa sektore në këtë komunë jetike siç janë reparti i gjinekologjisë, rrezikojnë të mbyllen.

“Në QKMF-në ne Podujeve i kemi pasë në punë dy gjinekologe, njëra e ka lënë punën. Për momentin e kemi vetëm një. Nëse kjo e lë punën, atëherë do të detyrohemi që ta mbyllim repartin e maternitetin”, sqaron ai.

E shumë mantel bardhë të tjerë kosovarë përfshirë këtu edhe specialistët e anesteziologjisë po e lënë punën shtetërore, duke preferuar që të punojnë në institucione private apo edhe jashtë vendit./Nacionale.com/

Lajme të ngjashme