Mjekët vazhdojnë të ikin nga Kosova, gjersa ministri Latifi flet për liberalizimin e vizave në Austri - NACIONALE

Mjekët vazhdojnë të ikin nga Kosova, gjersa ministri Latifi flet për liberalizimin e vizave në Austri

1 vit më parë

nga Gazeta Nacionale

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, po vazhdon të qëndrojë në Austri. Krahas tentativës së tij të “kthejë” trurin e ikur nga Kosova, ai ka gjetur kohë të flasë për liberalizimin e vizave në shtetin austriak. I pari i shëndetësisë, që kritikohet shumë për udhëtimet jashtë vendit, nuk dihet kur do të kthehet nga Vjena.

Latifin, që portofolin e tij si ministër nuk e lidh me liberalizimin e vizave, nuk e ka penguar të diskutojë për këtë çështje.

Liberalizimi i vizave

Në një takim me dy eurodeputetët austriakë, Lukas Mandl dhe Andreas Schieder, Latifi ka folur për mundësitë e zhvillimit të sistemit shëndetësor dhe çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Po, po, i nderuari lexues, ministri i Shëndetësisë flet për liberalizimin e vizave.

Në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë tregohet saktësisht çka u bisedua në takimin e Latifit me dy eurodeputetët austriakë.

Në këtë takim u bisedua për mundësinë e zhvillimit të sistemit shëndetësor të Kosovës, e po ashtu edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Për këto çështje, ministri Latifi, kërkoi nga eurodeputetët, z. Mandl dhe z. Schieder, lobim më të madh në institucionet e Bashkimit Evropian, në mënyrë që të bëhet lëvizja më e lehtë e mjekëve tanë dhe e qytetarëve të Kosovës në përgjithësi në shtetet e Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Madje, i pari i shëndetësisë në Kosovë, nuk ngurroi të ofrojë një konkluzion për atë se çka shkakton mosliberalizimi i vizave.

Ministri Latifi, theksoi se mosliberalizimi i vizave po na shkakton shumë probleme në shkëmbimin e përvojave dhe trajnimin e stafit të mjekëve, infemierëve dhe teknikëve, në vendet e Bashkimit Evropian”, shkruhet tutje në njoftim.

Ikja e trurit

Latifi është kritikuar shumë edhe për çështjet e udhëtimeve jashtë vendit.

Ministri i Shëndetësisë kosovare, Rifat Latifi, siç ka shkruar ditë më parë Nacionale, do të mbahet mend për udhëtimet e tij të shumta.

Në kohën kur Kosovën me të madhe po e braktisin mantelbardhët, Latifi merr rrugë për në Austri. Atje, ministri ka shpalosur kauzën e tij kryesore, kthimin e trurit në Kosovë.

Por, a ka qenë Latifi në QKUK për ta bindur trurin mos ta braktisë vendlindjen? Kujtojmë se veç në dy javët e fundit këtë institucion shëndetësor e kanë braktisur tre anesteziologë e dhjetëra mjekë e infermierë, duke vështirësuar kështu tej mase punën në klinikat e QKUK-së.

Në këta shtatë muaj sa është në krye të shëndetësisë kosovare, Rifat Latifi shtatë herë ka shëtitur botën.

Nga Shqipëria në Turqi e nga Turqia në Norvegji e në SHBA, e së fundmi në Austri, janë disa nga destinacionet në të cilat Latifi ka qëndruar përgjatë këtyre muajve. Hairin këtyre vizitave nuk po ia sheh shëndetësia kosovare. Të paktën jo në këtë kohë.

Në Austri, ku gjendet për momentin, Latifi do të qëndrojë disa ditë.

Vizitën atje, ministri e ka nisur duke takuar mjekët shqiptarë në Graz. Të njëjtit i ka lutur për bashkëpunim në transformimin e sistemit shëndetësor të Kosovës.

“Ministri Latifi në këtë takim shpalosi prioritetet e tij, duke veçuar shtatë shtyllat e transformimit të shëndetësisë, ndër to edhe kthimi i trurit dhe formimi i 14 Qendrave Ekselente!...Për këtë çështje, ai ftoj mjekët shqiptarë në Graz për bashkëpunim, pasi që kthimi i trurit në këtë kohë është mëse i domosdoshëm”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Në fjalën e tij në tryezën me mjekët kosovarë që kontribuojnë në Austri, Latifi ka theksuar se kontributi i tyre është i domosdoshëm për ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët e Kosovës.

….kontributi i të gjithëve është mëse i nevojshëm në këtë periudhë, pasi që pacienti është në rend të parë dhe se prioriteti kryesor është ofrimi i shërbimeve sa më të mira për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Latifi.

Por, kjo fjali e ministrit, bie shumë në kundërshtim me situatën që sot është në Kosovë.

Sa për sqarim, vetëm sot në Ministrinë e Shëndetësisë së Shqipërisë ka shkuar një listë me 80 emra të pacientëve që po e luftojnë kancerin, e të cilëve Kosova dështoi t’u ofronte shërbime mjekësore.

Krejt në fund të këtij bashkëbisedimi me mjekët shqiptarë në Austri, Latifi u duk se mori lëvdata për punën, por jo edhe premtime se ‘truri’ do t’i kthehet në Kosovë.

Lajme të ngjashme