Ministri i udhëtimeve: Kreu i Shëndetësisë Rifat Latifi për herë të tretë shkon në SHBA - NACIONALE

Ministri i udhëtimeve: Kreu i Shëndetësisë Rifat Latifi për herë të tretë shkon në SHBA

1 vit më parë

nga NACIONALE

Nuk ka as gjysmë viti që e ka marrë detyrën si i pari i shëndetësisë kosovare. Por hairin ministrit Latifi pak po ia shohin qytetarët. Por, për një gjë, mjeku Rifat Latifi do të mbahet në mend. Për udhëtimet e tij të shpeshta. Ky i fundit, për herë të tretë pritet të niset sot për në SHBA ku do të marrë pjesë në një konferencë shkencore.

Kështu ka bërë të ditur MSH përmes një njoftimi ku thuhet se Latifi do të marrë pjesë në konferencën shkencore ‘Louis R.M. Del Guercio’ në SHBA si profesor vizitor i hulumtimeve shkencore.

E në këtë konferencë Latifi do të flasë për shëndetësinë kosovare si dhe transformimin e saj.

Në SHBA, ministri Latifi do t’i takojë edhe mjekët shqiptarë që shërbejnë atje. Edhe aty do t’u kërkojë që të kthehen e të shërbejnë në atdhe.

“Gjithashtu, ai do të takohet edhe me shumë mjekë e liderë të komunitetit shqiptar në SHBA për të diskutuar metodat më të mira të kthimit të trurit shkencor shqiptar në SHBA në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Por për çka saktësisht mund të mbahet mend Rifat Latifi - ministri aktual i shëndetësisë në Kosovë?

Edhe 22 vite pas luftës kosovarët vazhdojnë të vuajnë për ilaçe e infuzione. Shumë spitale e shumë Qendra Familjare në mbarë vendin javëve të fundit po ballafaqohen me mungesa të mëdha të medikamenteve mjekësore që gjenden edhe në listat esenciale. Në QKMF të ndryshme anë e mbanë Kosovës, ditëve të fundit s’po ka as infuzione, penj kirurgjikal, gaza e fasha.

E në vend janë bërë gati gjashtë muaj tashmë kur në krye të Ministrisë së Shëndetësisë është emëruar specialisti i kirurgjisë, Rifat Latifi.

Por edhe pas këtyre muajve qeverisje, sistemi shëndetësor në Kosovë nuk ka pësuar ndonjë ndryshim nga i cili hairin do të mund t’ia shihnin qytetarët.

Në shumë klinika të QKUK-së, listat e pritjes për intervenime mjekësore të pacientëve janë të gjata deri në 4 vjet. Vendi s’ka as sigurime shëndetësore. Si pasojë shumë qytetarë po detyrohen që ilaçin e sëmundjeve të tyre ta gjejnë jashtë Kosovës duke shpenzuar kështu para të majme edhe nga xhepi i tyre.

Vizitat në spitalet turke: Aty ku kosovarët harxhojnë mijëra euro për shërim

Adresë kryesore për shërim të pacientëve kosovarë të cilët kryesisht vuajnë nga sëmundjet malinje është shteti i Turqisë. Kërkesat për shërim të Leukemisë e kancerit në spitalet e këtij shteti janë të mëdha.

Vetëm për dy muaj 203 kosovarë kanë kërkuar shërim jashtë vendit, nga ta 49 janë nën moshën 18 vjeçare.

E realitetin e kosovarëve që trajtohen në spitalet e Turqisë e takoi në muajin mars edhe vetë ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi. Në njërin nga spitalet turke, Latifi e takoi pacientin nga Peja, A.K. i cili në pamundësi të marrjes së shërbimeve shëndetësore në Kosovë ishte detyruar që të udhëtojë për në Turqi.

Por Latifi fatkeqësisht nuk ka arritur që t’i takoje edhe mijëra pacientët e tjerë që po trajtohen në spitalet turke. Ani se i vizitoi disa spitale atje.

Por nga vizita disaditore në Turqi, Latifi u kthye pa asnjë marrëveshje.

Zotimet për kthimin e trurit në Kosovë

Në kuadër të vizitës në shtetin Turk, ministri i Shëndetësisë takoi edhe disa prej mjekëve që si pasojë e mungesës së kushteve të punës kanë lënë Kosovën. Për ta, ministri i shëndetësisë, u zotua se do t’i bindë që të kthehen në Kosovë.

E zotim të ngjashëm Latifi kishte bërë edhe kur e pati marrë mandatin si ministër i Shëndetësisë.

“Ne do ta ndërpresim largimin e trungut mjekësor për në vende të tjera. Rezultatet nuk do të shihen as brenda ditës dhe as natës dhe kërkojnë përkrahje kolektive për të realizuar të gjithë këtë”, pati deklaruar Latifi.

Por kjo ende s’ka ndodhur.

Nga Kosova përgjatë vitit të kaluar kanë ikur mbi 500 profesionistë shëndetësorë. E vetëm për 28 ditë nga vendi u larguan 42 mjekë.

E këto statistika siç duket Latifit s’po i bëjnë përshtypje më shumë se sa udhëtimet për në shtetet fqinje. /Nacionale.com/

Lajme të ngjashme