Mozotmëkeq: Pas Gjermanisë, tash agjenci të huaja joshin mjekët tanë për ikje në Holandë - NACIONALE

Mozotmëkeq: Pas Gjermanisë, tash agjenci të huaja joshin mjekët tanë për ikje në Holandë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Mjekët kosovarë si referencë për punë tash e disa kohë e kanë shtetin gjerman. Por nuk është vetëm Gjermania e cila po u ofron kushte të mira të punës doktorëve tanë. Ofertë të mirë për punë, kohëve të fundit po bën edhe Holanda. Ky shtet po u ofron punësim punëtorëve shëndetësorë për të mbuluar nevojat e shërbimeve në institucione të ndryshme, spitale, qendra rehabilitimi, shtëpi të të moshuarve, infermieri rajonale.

Paga e një mjeku në Holandë është 6500 euro. Ndërkohë e një infermieri prej 2900 deri në 3500 euro. E një pagë të tillë mjekët kosovarë mund ta marrin lehtësisht në këtë shtet.

Kjo ofertë mjekëve tanë po u bëhet nga agjencioni ‘Partisan Medical Mercenaries’. Nga ky agjencion po deklarojnë se deri në muajin shtator e kanë në plan që të rekrutojnë deri në 60 infermierë kosovarë në Holandë.

E në kohën kur Kosova po ballafaqohet me mungesën e Ligjit të Pagave, edhe mjekët kosovarë janë të zhgënjyer me kushtet e punës.

Irritim të kësaj situate po ashtu ka bërë edhe deklarata e zëvendëskryeministrit të vendit, Besnik Bislimi, të cilit nuk i bëri aspak përshtypje largimi i mjekëve nga Kosova. Po ashtu ai nuk dha shumë shpresa për një pagë dinjitoze të mjekëve.

“Projektligji i ri s’do ta bëjë pagën e mjekëve 6000 euro që me thënë tash s’ke nevojë me shku”, thotë Bislimi.

Por, pagë dinjitoze mjekëve kosovarë po u japin shtetet e huaja.

“Një bursë 950 euro dhe një pagë 650-700 euro ku përfshihen dy ditë shkollë, dy ditë praktikë dhe dy ditë punë. Një diplomë ndërkombëtare në një ndër shtetet me shëndetësinë më të zhvilluar”, thuhet ndër tjerash në thirrjen për punë në Holandë nga agjencioni në fjalë.

E mosha adekuate për shkollim dhe punësim në këtë shtet është mbi 21 vjet.

Sipas të njëjtëve, në Holandë mund të bëhet lehtësisht edhe licencimi i mjekëve në periudhën kohore pre 6 deri në 12 muaj.

Infermierët e pakënaqur me shtetin, nesër futen në grevë

E të pakënaqur me gjithë mbështetjen e shtetit ndaj tyre janë edhe infermierët kosovarë. Sipas Sindikatës së Infermierëve, nesër grevë do të mbahet nga ora 08:00 deri në orën 09:00.

Përmes grevës njëorëshe ata kërkojnë përfaqësim në Bordin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, pjesëmarrje në Komisionin Disiplinor, paga dinjitoze e kushte të mira të punës.

“Koeficient 7.1 bazuar në tabelën e koeficientëve të publikuar së fundmi, apo 70% e pagës së mjekut specialist (10.1 koeficientin mjeku specialist). Pagesat për vikende, ndërrime të natës, rrezikshmëri, ngritja e pagesave për ndërrime të natës për 100%, pagesa e orëve shtesë”, thuhet në njoftimin për grevë.

Veç në tre muajt e parë të këtij viti, vendeve evropiane ia kanë mësyrë 62 doktorë kosovarë, duke heçur kështu dorë nga puna e tyre në vendlindje.

Nga Oda e Mjekëve konsiderojnë se këto largime po ndodhin ngase shteti nuk po bën asgjë për ta ndalur ikjen e trurit shëndetësor nga vendi.

“E dimë se çka u ka ofruar shteti këtyre profesionistëve. Sa i përket pagës, të githë janë të indinjuar, por një pjesë e madhe e tyre punojnë edhe në sektorin privat dhe mbulojnë nevojat. Por pas 10 viteve kemi me i pasë spitalet e mbyllura dhe injorimi i këtij problemi është çështja që më së shumti na brengos neve”, thotë Pleurat Sejdiu nga Oda e Mjekëve kosovarë.

Kujtojmë se në tri vitet e fundit, kosovarët janë braktisur nga plot 538 mantelbardhë.

Ndryshe, sipas të dhënave, paga bruto (e pataksuar) e mjekëve në Kosovë është 610 euro, derisa shembull në Gjermani, ata paguhen deri në 4000 euro.

Ndryshe, sipas odave të profesionistëve shëndetësorë, në Kosovë ka 24 mijë e 92 punonjës shëndetësorë të licensuar dhe prej tyre 14 mijë e 966 janë gra dhe 9 mijë e 126 burra. /Nacionale.com/

Lajme të ngjashme