Rifati shkon në Austri për ta kthyer trurin, kur ai po i ikën nga Kosova - NACIONALE

Rifati shkon në Austri për ta kthyer trurin, kur ai po i ikën nga Kosova

1 vit më parë

nga Gentiana Hasani

Ministri i Shëndetësisë kosovare Rifat Latifi, për një gjë do të mbahet mend. Për udhëtimet e tij të shumta. Në kohën kur Kosovën me të madhe po e braktisin mantelbardhët, Latifi merr rrugë për në Austri. Atje, ministri ka shpalosur kauzën e tij kryesore, kthimin e trurit në Kosovë.

Por, a ka qenë Latifi në QKUK për ta bindur trurin mos t’a braktisë vendlindjen? Kujtojmë se veç në dy javët e fundit këtë institucion shëndetësor e kanë braktisur tre anesteziologë e dhjetëra mjekë e infermierë, duke vështirësuar kështu tej mase punën në klinikat e QKUK-së.

Në këta shtatë muaj sa është në krye të shëndetësisë kosovare, Rifat Latifi shtatë herëe ka shëtitur botën.

Nga Shqipëria në Turqi e nga Turqia në Norvegji e SHBA, e së fundmi në Austri-, janë disa nga destinacionet në të cilat Latifi ka qëndruar përgjatë këtyre muajve. Hairin këtyre vizitave nuk po ia sheh shëndetësia kosovare. Të paktën jo në këtë kohë.

Në Austri, ku gjendet për momentin, Latifi do të qëndrojë disa ditë.

Vizitën atje, ministri e ka nisur duke takuar mjekët shqiptarë në Graz. Të njejtit i ka lutur për bashkëpunim në transforimin e sistemit shëndetësor të Kosovës.

Ministri Latifi në këtë takim shpalosi prioritetet e tij, duke veçuar shtatë shtyllat e transformimit të shëndetësisë, ndër to edhe kthimi i trurit dhe formimi i 14 Qendrave Ekselente!...Për këtë çështje, ai ftoj mjekët shqiptarë në Graz për bashkëpunim, pasi që kthimi i trurit në këtë kohë është më se i domosdoshëm”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Në fjalën e tij në tryezën me mjekët kosovarë që kontribuojnë në Austri, Latifi ka theksuar se kontributi i tyre është i domosdoshëm për ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët e Kosovës.

“….kontributi i të gjithëve është më se i nevojshëm në këtë periudhë, pasi që pacienti është në rend të parë dhe se prioriteti kryesor është ofrimi i shërbimeve sa më të mira për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Latifi.

Por, kjo fjali e ministrit, bie shumë në kundërshtim me situatën që sot është në Kosovë.

Sa për sqarim, vetëm sot në Ministrinë e Shëndetësisë së Shqipërisë ka shkuar një listë me 80 emra të pacientëve që po e luftojnë kancerin, e të cilëve Kosova dështoi t’u ofronte shërbime mjekësore.

Krejt në fund të këtij bashkëbisedimi me mjekët shqiptar në Austri, Latifi u duk se mori lavdata për punën por jo edhe premtime se ‘truri’ do t’i kthehet në Kosovë.

T’i listojmë pak vizitat e Latifit si ministër i shëndetësisë nëpër botë përgjatë mandatit të tij

Gjatë kohës sa jetonte në Amerikë, ardhjet e mjekut kosovar Rifat Latifit në vendlindje nuk ishin shumë të shpesha. Po në vendin ku ka kontribuar në mënyrë shkencore, në Amerikë, Latifi po shkon shpesh.

Veç brenda këtyre shtatë muajve sa është në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, ministri ynë me aq sa dimë, ka udhëtuar tri herë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me datë 5 maj, mjeku Rifat Latifi ateroi për të tretën herë në aeroportin e Nju Jorkut, ku parashihej të merrte pjesë në një konferencë shkencore. Aty qëndroi për më shumë se dy javë.

Para SHBA-ve, Latifi kishte udhëtuar për në Turqi. Atje qëndroi në spitalet të cilat kosovarëve u marrin mijëra euro fatura me shpenzime për trajtimin e sëmundjeve të cilat ka dështuar Kosova që t’i kurojë.

Latifi vizitë kishte bërë edhe në Norvegji, ani se ky shtet ka integruar një numër të madh të mjekëve kosovarë e infermierëve të cilëve u ka dhënë paga të majme.

Për të mos harruar, Latifi është një ndër ministrat më të kritikuar të Qeverisë Kurti./Nacionale.com/

Lajme të ngjashme