QKUK-ja "e shkatëruar" – mungesë barnash e infrastrukturë e vjetërsuar - NACIONALE

QKUK-ja "e shkatëruar" – mungesë barnash e infrastrukturë e vjetërsuar

1 vit më parë

nga Gentiana Hasani

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ballafaqohet me probleme të shumta. Mungesa e stafit mjekësor, e terapive, e infrastrukturës dhe mungesa e kushteve të punës janë vetëm disa nga të metat me të cilat ballafaqohet institucioni më i madh shëndetësor në vend. Nacionale jua sjell përmes fotografive anën e errët të këtij institucioni, ku shumë persona e kanë gjetur shpresën për jetë e shumë të tjerë ballafaqohen edhe sot me kushtet e mjerueshme në të cilat punohet aty.

Ka ditë që i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjike në sy. Por, edhe pas lirimit nga spitali, trajtimin e kontrollet ky i moshuar duhet prapë të vijë e t’i kryejë në QKUK nga Lipjani. Në karrocë, ai dy herë brenda dhjetë ditëve ka marrë rrugë drejt QKUK-së.

Në kushte anonimiteti për Nacionalen, ai ka thënë se ilaçet e terapitë, sa ka qenë i shtrirë në klinikën e ORL-së, është detyruar që t’i blejë vetë.

Sot erdha me e shikua nëse varra është mirë. Mi dha me i ble edhe do maste e ilaçe. 13 euro mu banen, nja 80 më kanë shku me ilaçe tjera. Zor valla boll që s’po janë këtu ilaçet”, ka thënë ky pacient për Nacionalen.

E në QKUK dihet gjerësisht tashmë se ka mungesa të mëdha të terapive, qoftë edhe të atyre elementare për trajtim, por edhe të materialeve shpenzuese. Shumë pacientë harxhojnë mijëra euro duke u gjetur ilaç sëmundjeve nga të cilat ata rënkojnë.

Sidoqoftë, përveç këtyre mungesave, në këtë institucion shëndetësor nevojitet investim i madh edhe në infrastrukturë.

Objekte të vjetërsuara, tapete të prishura, mungesë e shtretërve - edhe ata ekzistuesit janë me defekte -, mungesë e pritoreve për familjarët e pacientët nëpër klinika e pritore të prishura për pacientët.

Këto janë vetëm disa prej “lëndimeve” me të cilat ballafaqohet ky institucion shëndetësor më i madhi në vend.

Nacionale ka qëndruar për një ditë të plotë në këtë institucion shëndetësor.

Jashtë klinikave - në oborrin e QKUK-së - pamë gjithçka.

Që në hyrje të këtij institucioni, në klinikën e parë që binte më së shumti në sy, atë emergjente, shihej një shtrat që linte shumë për të dëshiruar.

Pak hapa largë Klinikës Emergjente 'pushonin' disa qenë endacak.

Në njërën nga rrugicat që çonte në Klinikën e Kirurgjisë gjendej një karrocë invalidore. E zbrazët e në mes të rrugës, nuk e largonte askush.

Atë karrocë e lamë aty. Ndoshta ndonjë pacienti hallexhi do t’i kishte kryer punë brenda klinikave të QKUK-së.

E me t’u futur brenda korridorit të ngushtë të Klinikës Interne, pacienti e familjari hasin në pritore të prishura e të improvizuara nga vetë pacientët me tulla për t’i mbajtur në këmbë duke i mundësuar vetes një pushim të shkurtër.

Dyer që nuk mbylleshin mirë e tollovi njerëzish pamë brenda kësaj klinike.

Pak më poshtë, në korridoret e bllokut kirurgjikal të QKUK-së, e pamë tapetin tërësisht të prishur.

E në disa prej klinikave të QKUK-së, nëse ju bie të hospitalizoheni për trajtim, shpeshherë do të keni mungesa të batanijeve për ta kaluar natën.

Si rrjedhojë, në QKUK pamë edhe shumë persona që mbanin në duar batanije e jorganë për ta kaluar natën në këtë institucion shëndetësor.

E para Klinikës Infektive të QKUK-së ka vite që kjo ulëse është e prishur.

Institucionet Shëndetësore Publike në Kosovë janë të stërvjetëruara për arsye të mosrinovimit të tyre që nga paslufta, por shpeshherë edhe ato objekte të cilat rinovohen, dëmtohen brenda pak muajve apo viteve.

Pamjet e shëmtuara e ndonjëherë të paperceptuara me mendje shihen brenda klinikave, spitaleve e qendrave shëndetësore në nivel vendi./Nacionale.com/

Lajme të ngjashme