Kurti s'e mbledh më Komisionin Ekzekutiv pas dorëheqjes së ministrit Latifi: A ishte qëllimi vetëm te shkarkimi? - NACIONALE

Kurti s'e mbledh më Komisionin Ekzekutiv pas dorëheqjes së ministrit Latifi: A ishte qëllimi vetëm te shkarkimi?

1 vit më parë

nga Gentiana Hasani

Shëndetësia në Kosovë sot nuk ka zot shtëpie - pas dorëheqjes së ish-ministrit të këtij dikasteri, mjekut Rifat Latifi. E me shkuarjen e Latifit, kryeministri Kurti i ka ndalur edhe takimet me komisionin që vetë e pati formuar e emëruar veten në krye të tij, pra Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi. Ka tri javë qëkurse Kurti, bashkë me anëtarët e këtij komisioni, nuk ka mbajtur as edhe një mbledhje. E gjendja në shëndetësinë kosovare po vazhdon të rëndohet dita-ditës.

Të mërkurën e 14 shtatorit, Qeveria e Kosovës e miratoi formimin e një komisioni, detyra kryesore e të cilit ishte evidentimi i problemeve dhe përmirësimi i sektorit të shëndetësisë kosovare.

Në mbledhjen e Qeverisë të po asaj date, vetë Kurti kishte njoftuar se Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi do ta udhëhiqte personalisht ai, duke e anashkaluar kështu edhe kreun e atëhershëm të shëndetësisë, Dr. Rifat Latifin. Takimi i parë i këtij komisioni u mbajt në po atë ditë (14 shtator), pasdite.

“Si kryeministër, propozoj që të themelohet komisioni ekzekutiv për shëndetësi. Ky komision ka këto përgjegjësi: e para, t’i bëjë analizën dhe ndarjen e bashkëpunimit publiko-privat, reformimin e ShSKUK-së përmes fuqizimit të QKUK-së dhe spitaleve rajonale, zhvillimin e sektorit publik të shëndetësisë, themelimin e spitalit rajonal të Prishtinës”, kishte thënë Kurti.

I pranishëm në këtë mbledhje ishte edhe vetë ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

E fiks pas kësaj date, Kurti dhe dhjetë anëtarët e këtij komisioni mbajtën edhe dy mbledhje të tjera. Takime të tjera që nga 1 tetori nuk ka pasur ky komision.

“Me largimin e Rifatit nuk janë zgjidhur problemet në shëndetësi

Për punën e këtij komisioni, emërimin e Kurtit në krye të tij e anashkalimin e ish-ministrit Latifi ka pasur shumë kritika. Disa e kanë parë edhe si presion për dorëheqjen e ish-ministrit Rifat Latifit.

Nga Shoqata për Mbrojtjen dhe të Drejtat e Pacientëve thonë se pas dorëheqjes së Latifit, ky komision ekzekutiv do të duhej t’i shpeshtonte takimet. Besim Kodra nga kjo shoqatë thekson se problemet në shëndetësi vetëm se janë thelluar edhe më shumë.

"Pas dorëheqjes së Latifit, unë besoj që Kurti është dashur që më shpesh ta mbledhë komisionin. E para, që të diskutojë rreth emrit potencial të ministrit të Shëndetësisë. Me largimin e ministrit nuk kanë përfunduar problemet në shëndetësi, ato veç janë rritë”, thotë Kodra.

Ai tha se nga dy ministra të Shëndetësisë, (duke aluduar në Kurtin e Latifin), Kosova mbeti pa asnjë.

“Realisht, ne njëherë i patëm dy ministra të Shëndetësisë. Tash s'po e kemi asnjë. Njëherë, nuk e patëm të qartë kush me i kry punët e shëndetësisë, tash s'po i kryen asnjëri. Problemin e ministrit të Shëndetësisë Qeveria duhet ta ketë shumë me urgjencë”, shtoi Kodra.

“Ka qenë presion për me e detyru ministrin Latifi që të jepte dorëheqje

E nga opozita shprehen se Kurti e ka formuar këtë komision ekzekutiv për t’i bërë presion Rifat Latifit për t’u dorëhequr nga pozita e ministrit.

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale nga PDK-ja, Bekim Haxhiu, i jep arsyet pse mendon se Kurti e formoi këtë komision.

“Këtë komision ekzekutiv e ka ba Kurti për me i mbulua dështimet në shëndetësi. Ka qenë një lloj presioni për me e detyrua ministrin Latifi që të japë dorëheqje. Ne e kemi ba kërkesën prej më shumë se një muaji për debat parlamentar për gjendjen në sektorin e shëndetësisë dhe nuk ka kush vjen nga Qeveria për të debatu në njërin prej sektorëve më të ndjeshëm në Kosovë”, thotë Haxhiu.

Ai tha se për situatën në shëndetësi, shteti duhet të ndërhyjë menjëherë.

“Situata është alarmante me ikjen e mjekëve, me dështimin e operacioneve për shkak të mungesës së profesionistëve, lista të gjata të pritjes. E s'ka kush vjen raporton në Kuvend. Shikone se në çfarë gjendje e kanë sjellë gjendjen. Shëndetësia, prej një prioriteti të premtuar të Kurtit, është shndërruar në një sektor të përplasjeve e grupacioneve të interesit brenda Vetëvendosjes”, ka shtuar ai.

Nacionale ka provuar që të marrë përgjigje nga Qeveria e Kosovës rreth asaj se kur pritet të mbahet mbledhja e radhës e këtij komisioni, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje./Nacionale.com/

Lajme të ngjashme